Ka dy ditë që në Pallatin e Rinisë nuk kryhet asnjë shërbim bazë nga punëtorët e kësaj ndërmarrje publike.
Për arsye të mos marrjes së pagave tash e tre muaj, ata kanë shpallur grevë të përgjithshme. Pavarësisht se Komuna e Prishtinës e ka marr në menaxhim, punëtorët shprehen se nuk po e kanë mbështetjen e tyre.
Për shkak të kësaj gjendje dhe shpërfilljeve që po iu bëhen, punëtorët kanë themeluar Këshillin Grevist, që përbëhet prej tre anëtarëve.
Njëri prej tyre, Adem Bucolli me tone të ashpra shprehet i vendosur se pavarësisht presioneve që mund t’i kenë, ata nuk do të ndërpresin grevën deri sa të plotësohen kërkesat e tyre.
Ai, me bindje të plotë thotë se nuk do të kryhet asnjë aktivitet që iu takon atyre dhe se të gjitha aktivitetet sportive do të anulohen.
Primare për të është marrja e pagave dhe kthimi i kontratës së vitit 2016, para futjes në AKP.
“Ne nuk kryejmë shërbime të cilat i kemi kryer deri më sot, asnjë shërbim nuk e kryejmë sigurinë, pastrimin, këto problemet me elektricitet që e kanë rrymën. Këto ne nuk i kryejmë, asnjë aktivitet, dhe aktivitetet sportive të cilat janë ndeshjet kampionale që mbahen basketi, hendbolli, karate, futsall të gjitha sportet që i kemi këtu dhe ato janë të anuluara, deri në realizimin e kërkesave tona, pa u realizuar do të vazhdojmë me grevën. Dy kërkesa janë, kërkesa primare është pagat tre muaj e pagave tona të cilat nuk i kemi marr. Me gjitha kontributet se ato ne kemi marr paga dhe më herët kur kemi qenë në situata të tilla, por fatkeqësisht 13 muaj, pse 14 muaj nuk e kemi pasur trustin e paguar, nuk është paguar as trusti. Kështu që kërkojmë pagat dhe kthimin e kontratës në vitin e 2016, para futjes në AKP”, tha Bucolli.
Anëtarja tjetër e Këshillit Grevist, Fatmire Sijarina, duke përmendur marrjen në menaxhim të Pallatit të Rinisë nga organet komunale, thotë se mbështetja nga ta është minimale.
Sijarina shprehet se dëmet për shkak të grevës do të jenë të mëdha, duke marr parasysh numrin e madh të aktiviteteve sportive, kulturore dhe bizneseve.
Mirëpo, përkundër kësaj, ajo shprehet e vendosur se greva nuk do të ndërpritet derisa të plotësohen kërkesat e tyre.
“Kemi mbetur në një farë mënyrë si në mjegull. Për atë arsye dhe jemi duke mbajtur grevë që le të dëgjohet pak zëri jonë, i punëtorëve, kërkesat e punëtorëve. Greva, kanë vendosur punëtorët, çka të vendosin punëtorët ne do të vazhdojmë, pa u realizuar kërkesat tonat, greva nuk ndërpritet, pavarësisht gjithçka, greva nuk do të ndërpritet pa u realizuar kërkesat tona. Normal se është dëmi i madh se këtu ka shumë aktivitete sportive, kulturore, sa biznese kemi këtu. Nëse nuk i kryejmë shërbim atëherë është gjithçka e bllokuar”, deklaroi Sijarina.
Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Pallatit të Rinisë, Ilir Dugolli, thotë se menaxhmenti i kësaj ndërmarrje nuk është në grevë, mirëpo shprehet në mbështetje të punëtorëve, pasi kërkesat e tyre i sheh si njerëzore.
Përkundër kësaj, ai thotë se greva po shkakton dëme, të cilat sipas tij, do të jenë të dukshme në mos mbarëvajtjen e rregullt të punës.
“Padyshim se ka një reflektim në atë aspektin e normalitetit, nuk shkojnë gjërat normal, nuk ka mbarëvajtje të punës normale. Sepse e drejta e grevës ekziston tek punëtorët, dhe si e tillë ka ndikim, ndikimet do të jenë të dukshme, por shpresojmë që të zgjidhet shpejt. Stafi menaxhues i Pallatit të Rinisë nuk është në grevë, sepse konsiderojmë që çështjet procedurale nuk mund të shtyhet përmes grevave. Përmes grevave konsiderojmë që mund të shtyhen atëherë kur nuk e kanë vullnetin palët të zgjidhin problemin”, tha Dugolli.
Për dëmet e mëdha që po shkaktohen u shprehën edhe bizneset në Pallatin e Rinisë.
Ata jashtë kamerës së KosovaPress-it, kanë treguar se moskryerja e obligimeve të punëtorëve po iu paraqet problem në punën e rregullt të tyre.
KosovaPress ka bërë përpjekje që të marr një deklaratë edhe nga zyrtarë të komunës së Prishtinës, por kontakti me zyrtarët për media ishte i pamundur.
Pallati i Rinisë më herët ka qenë në menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit kurse prej muajit dhjetor ka kaluar në duar të kryeqytetit. Ndërsa, për shkak të borxheve të shumta që ka ndërmarrja, kreditorët përmes përmbaruesve po iu bllokojnë xhirollogaritë e punëtorëve.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...