Google ADS

Transporti i të burgosurve me rrezikshmëri të lartë nga burgu deri në gjykata

15:08 | 16 Tetor 2022
A Z

Në natyrën e bukur të fshatit Dyz të Podujevës gjendet Burgu i Sigurisë së Lartë, në të cilin vendosen të burgosurit me rrezikshmërinë të lartë në vend.

Niveli i sigurisë së burgut të Dyzit është shumë i lartë dhe nuk ka vend për ndonjë lëshim nga ana e oficerëve dhe zyrtarëve korrektues.

Për të burgosurit, Shërbimi Korrektues i Kosovës organizon gjithmonë sigurinë, përcjelljen apo transportin e të dënuarve apo të akuzuarve nga burgu në gjykatë.

Këtë përcjellje të tyre e bën përmes oficerëve korrektues, të cilët pasi marrin urdhëresën nga gjykata, njoftojnë njësitet e tyre dhe oficeri kryesor jep urdhrin që i burgosuri të nxirret nga qelia dhe të përgatitet për seancë gjyqësore.

Me aprovimin e dhomës së kontrollit, i burgosuri E.I, i dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë në qershor të këtij viti me 22 vjet burgim unik për vrasjen e një të mituri përcillet deri tek dhoma ku bëhet pritja e zyrtarëve korrektues, të cilët vijnë për ta dërguar atë në Gjykatën e Apelit, raporton arbresh.info.

Oficerët kontrollojnë dokumentacionin e të burgosurit dhe komunikojnë me të.

Pasi vërtetojnë se gjithçka po shkon sipas rregullave, ata bëjnë ‘bastisjen’ e tij në mënyrë që të mos ketë vend për asnjë dyshim.

Më pas, i burgosuri futet në veturë dhe kështu, dalëngadalë niset për gjykatë, aty ku do përballet me akuzat për të cilat akuzohet.

Udhëheqësi i drejtoratit për Siguri, Operativë dhe Transport të të Burgosurve, Besar Gashi, na tregon më shumë detaje për procedurën dhe organizimin e përcjelljes së një të burgosuri në gjykatë.

Vet emri Burgu i Sigurisë së Lartë tregon se mundësia e arratisjes për të burgosurit është jashtëzakonisht e vogël, për të mos thënë e pamundur.

Sipas udhëheqësit për siguri, Besar Gashit, asnjëherë nuk ka pasur tentim të arratisjes nga ndonjë i burgosur në Dyz, kjo për shkak se oficerët janë profesionalë dhe të trajnuar mirë.

Gashi thotë se mobilizimi i oficerëve korrektues bëhet varësisht nga rrezikshmëria e të burgosurit, pra, nëse i burgosuri ka rrezikshmëri të lartë, atëherë realizohet edhe bashkëpunimi me Policinë e Kosovës, të cilët bëjnë asistimin e oficerëve deri në momentin kur i burgosuri dorëzohet në gjykatë dhe më pas kthehet në qeli.

Stacioni i fundit para se i burgosuri të largohet nga burgu i Dyzit për në seancë është “Porta Zero”, ashtu siç e quajnë në terminologjinë korrektuese.

Pasi kontrollohet vetura dhe nuk ka asgjë të dyshimtë, vetura e oficerëve me të burgosurin brenda shkon për gjykatë dhe kështu përfundon procesi i përcjelljes së tij nga Burgu i Sigurisë së Lartë.

Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz është një nga katër qendrat korrektuese në Kosovë, së bashku me Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, Dubravë dhe Qendra Korrektuese për të mitur dhe për femra në Lipjan.

Burgu i Dyzit është ndërtuar në vitin 2013 dhe ka filluar pranimin e të burgosurve një vit më pas, më 2014. Këtu qëndrojnë vetëm të burgosurit të cilët janë të dënuar me 15 e më shumë vite burg./arbresh.info/Emir Abduramani/

 

Video

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme