Kërkohet më shumë demokraci brenda subjekteve politike (VIDEO)

10:47 | 18 Korrik 2017
Arbresh.info

Partitë politike duhet të kenë më shumë demokraci brenda subjekteve të tyre politike në mënyrë që të rritet transparenca e shpenzimeve.

Kështu u tha sot në tryezën me temë  “Transparenca në shpenzimet e fushatës nga subjektet politike: Kur do të kemi raportet e publikuara?”, të organizuar nga Demokraci Plus.

Fitim Mulolli nga Fondacioni Britanik në Kosovë tha në këtë tryezë se çështja e financimit të partive politike dhe të shpenzimeve të tyre është një problem që ka dominuar me vite në opinionin publik në Kosovë, shkruan arbresh.info.

Sipas tij, nuk mund të ketë proces demokratik dhe të drejtë zgjedhor nëse nuk ka transparencë të shpenzimeve në fushata zgjedhore.

“Edhe pse Kosova ka një legjislacion solid dhe që i plotëson deri diku standardet ndërkombëtare, tash e disa vite ai legjislacion nuk po zbatohet. Vetë anëtarët e partive duhet të jenë ata që duhet të mbajnë përgjegjësi kryetarin e partisë dhe anëtarësinë në lidhje me transparencën financiare. Partitë politike duhet të avancojnë demokracinë e brendshme dhe komunikimin. Ky avancim do të forconte edhe kontrollin e shpenzimeve financiare”, tha Mulolli.

Vjosa Sheholli  nga Partia Demokratike e Kosovës tha se kjo parti i ka dorëzuar të gjitha raportet e mëparshme financiare dhe është në përgatitje të raportit të ri.

“Ne kemi 45 ditë afat që nga mbajtja e zgjedhjeve që të dorëzojmë raportet tona për fushatë. PDK është në përgatitje të raportit të të gjitha shpenzimeve tona për fushatën e zgjedhjeve të 11 qershorit. PDK pas zotimit të kryetarit tonë z. Kadri Veseli ka bërë publike raportet financiare përmes mjeteve të komunikimit”, u shpreh Sheholli.

Ilir Cacaj nga Lëvizja Vetëvendosje tha se Vetëvendosje në gjashtë vitet e fundit ka qenë subjekti i vetëm transparent në Kosovë.

“Financat e subjekteve politike janë financa publike dhe si të tilla duhet ti trajtojmë si në aspektin ligjor ashtu dhe në atë të llogaridhënies publike.  VV është kujdesur që financat t’i trajtoj si financa publike duke e konsideruar shumë të rëndësishme llogaridhënien si brenda ashtu edhe jashtë subjektit”, tha Cacaj./Arbresh.info.

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme