I pranuar nga familja por i refuzuar nga shteti, një transgjinor në Kosovë bëri publike betejën e tij për të ndryshuar zyrtarisht në dokumentet e identifikimit emrin e tij nga gjinia femërore në mashkullore.
“Nuk kishte asnjë moment të vetëm kur mendova, ‘tani ndihem si një djalë apo një burrë’. Që kur isha fëmijë, e kam marrë si të mirëqenë… veten e kam parë gjithmonë si burrë”, tha Morina për BIRN.
Por për shoqërinë konservative të Kosovës, kjo nuk mjafton.
Tani, 28 vjeçar, Morina është anëtari i parë i komunitetit trangjinor të Kosovës që publikisht sfidoi shtetin për refuzimin ndaj tij për të ndryshuar zyrtarisht emrin e tij të parë femëror Blerta ose për të ndryshuar gjininë në dokumentet e identitetit nga femër në mashkull.
Kërkesa iu refuzua më 16 Maj nga Zyra e Gjendjes Civile në vendlindjen e Morinës në Gjakovë.
Morina kishte kërkuar ndërrimin e emrit të tij zyrtar pasi emri pengoi integrimin e tij në shoqëri, si një nga arsyet e mundshme për ndryshimin e emrit, listuar sipas ligjit.
Mesazhi që po dërgohej, tha ai, ishte dekurajues.
“Kjo mund t’i ndalë personat e tjerë transgjinorë që të dalin në pah,” tha ai.
Morina këmbëngul se nuk është i vetmi që kërkon ndryshime të tilla, por të tjerët janë shumë të frikësuar për të dalë publikisht.
“Ka raste të tjera për kërkesa të tilla, por sigurisht që nuk kanë dalë publikisht. Ata nuk ndihen ende të gatshëm për shkak se shoqëria jonë nuk ka treguar ndonjë gatishmëri për t’i pranuar”, tha ai.
Tani, Morina po merr hormone dhe po përgatitet për operacion kirurgjik për ndërrimin e gjinisë, ndërkohë që pret një përgjigje ndaj një ankese të paraqitur në Regjistrin Civil më 29 Maj. Ka kohë 30 ditë për t’u përgjigjur.
“Rasti i Blert Morinës mund të përdoret si një mësim për krijimin e procedurave për personat transgjinorë të cilët në të ardhmen do të duhet të bëjnë ndryshime të tilla në dokumentet zyrtare, pa u refuzuar”, tha Liridon Veliu, menaxher i projektit në Qendrën për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, OJQ kjo e cila punon në mbrojtje të të drejtave LGBTI në Kosovë.
“Përkundër faktit që kemi ligje mjaft të mira për të drejtat e komunitetit LGBT, ka ende disa ligje që duhet të ndryshohen në mënyrë që të mos kundërshtojnë njëra-tjetrën”.
Ankesa ligjore
Vetëm katër vjet më herët, Morina foli hapur me prindërit e tij, pasi më parë i kishte besuar vetëm disa miqve.
Në fillim, “ishte problem për mua të flisja me shumë njerëz, pasi unë vetë nuk isha mjaft mirë i informuar për identitetin transgjinor” tha ai.
Por, “krahasuar me atë se si reagojnë shumica e prindërve [në Kosovë], në situata të tilla, të paktën nga historitë që kam dëgjuar, e konsideroj veten shumë me fat, sepse prindërit e mi më pranuan shumë mirë”, shtoi ai.
“Ata nuk kishin shumë informata për çështjet transgjinore kështu që u desh kohë që t’u shpjegoja atyre”, tha ai.
Mospërfillja filloi në shkollë, tha ai, duke e përshkruar periudhën si “shumë të trishtuar”.
“Përvoja më e keqe qe kam pasur në jetën time ishte gjatë shkollës së mesme kur duhej të vishja uniformën e vajzave. Shkolla nuk më lejoi të vishja uniformën e djemve”.
Avokatja e Morinës, Rina Kika, tha se të drejtat themelore të klientit të saj ishin shkelur nga Regjistri Civil dhe se ata ishin të përgatitur të shkonin në gjykatën më të lartë të vendit.
Sipas Ligjit të Kosovës për Barazi Gjinore dhe Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, identiteti gjinor është i mbrojtur ligjërisht, argumenton Kika.
“Përveç kësaj, identiteti gjinor është gjithashtu i mbrojtur nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila sipas Nenit 22 të Kushtetutës së Kosovës zëvendëson ligjin kombëtar”, tha Kika për BIRN.
“E drejta e Morinës për t’u njohur ligjërisht, e drejta për privatësi dhe e drejta për të mos u diskriminuar mbi bazën e identitetit gjinor” të gjitha janë shkelur, tha ajo.
Protesta në të gjithë vendin për djegien e pemës së Krishtli...
Një delegacion nga SPAK vizituan Zyrën e Kryeprokurorit të S...
Përmes veturës intelegjente policia identifikon 30 vetura të...
Djali i Donald Trump poston një foto të babait të tij ‘duke ...
Gresa e imiton Rovenën
Panik në kullën Eifel, zjarr në ashensor