Google ADS

Trajtim degradues i të burgosurve në Kosovë

08:32 | 8 Prill 2017
Arbresh.info

Vdekjet, vetëvrasjet dhe tentim vetëvrasjet, por edhe përkujdesja ndaj shëndetit në përgjithësi kanë vënë në pikëpyetje sigurinë e personave që vuajnë dënimet nëpër burgjet e Kosovës. Këta persona marrin një trajtim degradues thonë në institucionet që mbrojnë të drejtat e njeriut.

Dy rastet e fundit, ku të burgosurit  kanë humbur jetën brenda grilave janë, rasti i aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari dhe rasti i bashkëbanuesit të qelisë së Deharit, Naser Makolli, për të cilët deri më tani nuk është dhënë sqarimi përfundimtar për vdekjen e tyre.

Sipas njohësve të çështjeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, një ndër faktorët që ndikojnë në rritjen e numrit të këtyre rasteve  është edhe mungesa e stafit adekuat mjekësorë nëpër burgje.

Kryetari i KMLDNJ-së, Behxhet Shala, thotë për arbresh.info se në burgje nuk ka mundësi që të burgosurve t’iu ofrohet shërimi i duhur, prandaj sipas tij po ndodhin këto rastet e vdekjeve në burgje.

“Kur flasim për shëndetësinë nëpër burgje, e cila nuk ka kapacitet profesional të mjaftueshëm për t’i trajtuar rastet e rënda, atëherë duhet ta kemi parasysh shëndetësinë publike, pra nëse nuk kemi shëndetësi publike cilësore atëherë nuk duhet të pyetni se ashtu janë edhe nëpër burgje. Nuk është gjendja e mirë, mungon kuadri profesionist mjekësore. Nuk mundet një mjek i përgjithshëm t’i trajtoj sëmundjen e zemrës”, tha Shala për Arbresh.info.

Shala për këtë ia hedh gjithë fajin Ministrisë së Shëndetësisë,  e cila sipas tij,  ka kompetenca për menaxhimin e shërbimit shëndetësorë nëpër burgje.

Në Institucionin e Avokatit  Popullit nuk kanë pranuar të flasin  specifikisht për rastet e vdekjeve brenda burgjeve,  por thonë se Mekanizmi për Parandalimin e Torturës (MKPT) ka dhënë disa rekomandime për përmirësimin e kushteve dhe shtimin e numrit të personelit mjekësor.

“Sa i përket masave të sigurisë IAP /MKPT vazhdimisht ka rekomanduar vendosjen e kamerave të sigurisë, shtimin e numrit të personelit mjekësor, trajnimin e shtuar të personelit shëndetësor dhe korrektues, krijimin e kushteve të punës, si dhe bashkëpunimin më të ngushtë mes personelit shëndetësor dhe atij korrektues”, thonë në këtë institucion për arbresh.info.

Sipas, Avokatit të Popullit, mungesa e ndihmës mjekësore në kohën e duhur, që i shtohet refuzimit të autoriteteve për t’i ofruar atij trajtimin e duhur mjekësor të dhënë nga mjekët civilë, krijuan një ndjenjë të fortë mungese sigurie, e cila, e kombinuar me vuajtjet fizike, çojnë në trajtimin degradues duke shkelë nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ndryshe që nga vitit 1999 e deri këtë vit në burgjet e Kosovës kanë kryer vetëvrasje  13 të burgosur, ndërsa  201 të tjerë kanë tentuar të vetëvriten .

Gjatë të njëjtës periudhë, 28 të burgosur gjithashtu vdiqën nga shkaqe natyrore, duke e sjellë totalin e vdekjeve në burgje që nga viti 1991 në 52./Arbresh.info/Mira Avdimetaj/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme