Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka deklaruar se situata aktuale politike në Kosovë është e përshtatshme për liderët rajonalë të korruptuar, në veçanti për presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe atë të Kosovës, Hashim Thaçin.
Në një intervistë për Nova.rs ajo ka thënë se Thaçi është përgjegjës për destabilizimin në Kosovë, derisa ka shtuar se po mundohet ta ruaj edhe më shumë rëndësinë e tij politike dhe të shmangë Gjykatën Speciale.
Ajo thekson se shkarkimi i Albin Kurtit nga posti i kryeministrit me siguri do të çojë në destabilizim rajonal, por gjithashtu do ta shkaktojë protesta në mes të situatës me pandemi.
Ajo tutje ka shtuar se do të ishte më mirë për serbët që ta mbajnë Kurtin në pushtet, pasi sipas saj, zgjedhja e tij, ishte shpresë që më në fund të zhduket krimi rajonal.
Trajkoviq tutje është shprehur e bindur se ka një marrëveshje Kosovë-Serbi për shkëmbimin e territoreve.
“Absolutisht po. Takimet e Vuçiqit dhe Thaçit për këtë temë ishin një ‘sekret publik’ dhe plani i tyre madje u promovua publikisht në Alpbach, Austri. Ajo që po ndodh tani nën kujdesin e Grenellit është vetëm një pasojë. Mos harroni se Vuçiq dhe Thaçi ‘njoftuan’ Trumpin me shkrim për marrëveshjen e tyre, dhe që ata të dy insistuan që Amerika të marrë drejtimin në vazhdimin e negociatave. Misioni i tanishëm i Grenellit është thjesht rezultat i fjalëve dhe veprimeve të tyre të pamatura dhe të rrezikshme”, ka shtuar ajo.
Ajo gjykon se në Kosovë po fillon një destabilizim i rëndë. Kjo sipas saj, për faktin se Kurti ka shumë mbështetje nga publiku dhe të rinjtë shqiptarë të Kosovës që duan të heqin qafe regjimin e korruptuar, kriminalistik.
“Kurti gjithashtu ka mbështetjen e një numri të madh intelektualësh. Nga ana tjetër, ju keni Thaçin, i cili po e humb shpejt rëndësinë. Legaliteti i tij nuk është verifikuar në zgjedhje për një kohë të gjatë. Thaçi u zgjodh indirekt president në kuvendin e vitit 2016. Dhe në zgjedhjet e fundit, partia e tij ishte vetëm e treta më e popullarizuar. Popullariteti i Kurtit nuk është aspak i krahasueshëm me asnjë lider tjetër, gjë që e bën atë një politikan shumë të rëndësishëm dhe premtues”, ka thënë ajo.
Ndërkaq duke folur për dhënien e mandatarit te LDK-ja për krijimin e Qeverisë, ajo thotë se Qeveria do të jetë e paqëndrueshme.
Sipas saj, “Vetë-përcaktimi nuk do të lejojë as Kuvendi dhe as Qeveria të funksionojnë normalisht dhe do të ndërmarrin një seri aktivitetesh për të destabilizuar punën e institucioneve të Kosovës. Kjo do të rezultojë në zgjedhje të reja në të cilat Kurti do të jetë fituesi i sigurt”.
Duke folur për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, Trajkoviq ka thënë se presidenti serb po e pengon hetimin për vrasjen e tij.
“Për sa kohë që Milan Radoiçiq gëzon mbrojtjen e tij dhe përderisa presidenti e konsideron atë të paarritshëm për gjyqësorin e Kosovës, Vuçiq pengon hetimin. Nëse Vuçiq dëshiron të shfajësojë veten e tij nga përgjegjësia për pengimin, ai duhet t’i dorëzojë Radojçiqin në gjyqësorin e Kosovës dhe t’i lejojë atij të dëshmojë pafajësinë e tij në gjykatë. Pas largimit të Vuçiqit nga pushteti, me siguri do të kthehemi në këtë çështje, sepse aktualisht, dhe madje edhe për shkak të marrëdhënieve të Vuçiqit me politikanë në Kosovë, rezultati i këtij rasti nuk duket i vështirë. Por edhe regjimi Vuciqit nuk mund të jetë i përjetshëm”, ka thënë ajo.
Trajkoviq shton se bashkëpunimi Thaçi-Vuçiq ka gisht edhe në arratisjen, e siç thotë ajo, vrasësve të Ivanoviqit.
“Të mos harrojmë se një marrëveshje e tillë jo-transparente ishte ‘rrjedhja’ e informacionit nga institucionet e Kosovës që mundësuan arratisjen e njerëzve nga Veriu që janë në aktakuzë në rastin e Oliver Ivanoviqit”, ka shtuar ajo.
Shqipëria pranohet si Vëzhguese në Rrjetin Evropian të Admin...
Kush do të largohet e kush “rikthehet”? Sonte ju pret një pr...
Kosovarët pa viza edhe në Tajvan
Osmani bashkë me Hovenierin dhe ushtarët në kampin Bondsteel...
Çiftet e rrethit të parë të Kupës së Kosovës, lehtë për favo...
Trafiku Urban thotë se janë eliminuar paqartësitë rreth proc...