Trafikimi i organeve dhe “shtëpia e verdhë”, Thaçi: Shqipëria t’i drejtohet Këshillit të Evropës për akuzat

08:11 | 27 Tetor 2020
M. A.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tregoi detaje të pathëna në lidhje me intervistimin e tij nga Gjykata e Hagës, pas aktakuzës për krime lufte.

Thaçi rrëfeu se është pyetur për çdo gjë, por kurrë për akuzat e rënda të trafikimit të organeve dhe ekzistencën e Shtëpisë së verdhë në Shqipëri ku edhe thuhet se ndodhte trafikimi, siç akuzohet në raportin e përgatitura nga hetuesi i të drejtave të njeriut, Dick Marty.

Thaçi shkoi më tej dhe tha se këto akuza të rënda përveçse përlyejnë UÇK-në, rëndojnë edhe mbi vetë shtetin shqiptar. Prandaj, ai tha se Shqipëria duhet t’i drejtohet Këshillit të Europës.

“Limaj e Haradinaj janë thirrur në Hagë e kanë dalë të pafajshëm, vetë OKB ka bërë hetime. Pasi shpallëm pavarësinë u instalua Eulex që vijoi hetimet, burgosjet dhe gjurmimet e njerëzve të UCK. Për 17 vite ndërkombëtarët kanë hetuar në Kosovë, ndërkohë që kosovarët s’kanë pas mundësi të hetojnë vetë pasi edhe drejtësia ka qenë nën autoritetin e ndërkombëtarëve. Njerëzit që kanë kryer gjenocid janë në Beograd. Drejtësia ndërkombëtare nuk bën përpjekje për t’i hetuar ata. Ne i dimë kush janë viktimat dhe kush agresorët”.

“Sa i përket intervistimit tim, dua të them se UÇK ka qenë grumbullim i lirë nuk ka ndërhyrë askush me prirje terroriste, ka pas zero tolerancë, nuk janë lejuar shfaqjet radikale, pasi kurrë askush nuk do të na mbështeste”, tha Thaçi në studion e emisionit “Real Story” në News 24.

“Unë jam intervistuar për 4 pasdite, jam pyetur që momentin kur kam lindur edhe për vitin ‘88, ‘95, për çdo gjë më kanë pyetur. Raporti i Dick Marty-t atë jehonën e ka marrë me pretendimin për trafik organesh. Asnjë pyetje për trafik organesh nuk kam pasur unë. Gjithashtu as edhe një pyetje për shtëpinë e verdhë pasi nuk ka ekzistuar”.

“Sot vetë shteti shqiptar duhet me pyet dikënd: Cfarë ndodhi? Se përmendet Shqipëria. I drejtohem qytetarëve të Shqipërisë dhe njerëzve të politikës, drejtuesve të shtetit atëherë, që flasin nëpër studio: Duhet të flasin hapur, ka pasur trafik organesh ? Ka pas shtëpi të verdhë? Cili ka qenë roli i UÇK-së? Shteti shqiptar ka lejuar trafik organesh? Ka lejuar shtëpinë e verdhë dhe kampe përqendrimi? Pra, akuzohet Shqipëria këtu. Në këtë moment Shqipëria duhet t’i drejtohet Këshillit të Europës, pasi është akuzë e rëndë. Unë si një nga të dyshuarit them le ta ftojnë Nanon për dëshmi edhe Mejdanin, edhe Majkon, edhe liderin e opozitës Berisha, edhe zotin Meta zv. kryeministër në atë kohë. Ata kanë njohuri për çfarë ndodhte në territorin e vetë”, tha Thaçi.

Të ngjashme