Google ADS

Topalli: Diaspora të trajtohet barabartë me qytetarët e Kosovës

00:46 | 30 Shtator 2019
Trina Galanxhi

Faton Topalli nga PSD-ja  ka thënë se interesimi i diasporës për të votuar në zgjedhjet e 6 tetorit duket se është shumë i madh.

“Kësaj radhe duket një interesim jashtëzakonisht i madh për të marrë pjesë në votimet në Kosovë. Numri i atyre që janë regjistruar për të votuar është 38200”.

“Mërgata shqiptare ka qenë gjithmonë e interesuar politikisht prej viteve ’70, gjatë gjithë viteve ’80 dhe deri më tani. Interesi i mërgatës është një interes për Kosovën. Ata e duan vendin e tyre”.

Ish-deputeti Topalli e ka pasë edhe vet një eksperiencë të tillë pasi ai ka jetuar mes Zvicrës dhe Kosovës ku edhe është angazhuar politikisht.

Por, pse e mori një vendim të tillë që të vijë nga Zvicra në Kosovë ku edhe u bë pjesë e politikës?

“Mbase, shumë mërgimtarë do të donin të ktheheshin në Kosovë shumë shpejt po të ishte kjo e mundur, po të lejonin rrethanat ekonomike. Arsyeja pse unë jam angazhuar është dashuria ndaj vendit. Kur them dashuria ndaj vendit mendoj dashuri ndaj njerëzve sepse nuk ka dashuri ndaj vendit nëse nuk i do njerëzit”.

Topalli në Analizën Zgjedhore të Klan Kosovës ka treguar një shifër interesante të udhëtimeve dhe kilometrave që ka kaluar përderisa ka jetuar mes Kosovës dhe Zvicrës.

“Unë nuk jam kthyer asnjëherë. Kam jetuar gjatë gjithë kohës në Zvicër, tri ditë të javës i kam kaluar në Zvicër dhe tri ditë të tjera të javës në Kosovë”.

“Kjo është pak e mundimshme, por kur njeriu është i interesuar dhe dëshiron të japë një kontribut ka një çmim të caktuar. Unë këtë çmim e kam bërë me shumë kënaqësi”.

“Kam bërë llogaritë para pak ditësh, kam bërë mbi 600 udhëtime dhe diku 720 mijë kilometra gjatë kësaj kohe. Ka qenë e mundimshme, por në të njëjtën kohë dëshira për të kontribuar dhe kjo nuk është vetëm dëshirë e imja, por e shumicës së mërgimtarëve”.

“Mërgimtarët jetojnë larg vendit, por janë angazhuar nët gjitha kohërat. Së fundmi, kemi angazhim ekonomik të një pjese të caktuar të mërgatës. Mërgata është faktor i paqes sociale në Kosovë sepse kontribuon diku afër 1 miliardë në vit – është një kontribut shumë i madh ekonomik”.

Topalli ka treguar edhe pse nuk është në listën zgjedhore të PSD-së për këto zgjedhje të parakohshme.

“Unë nuk i kam rënë pishman në kuptimin e angazhimit politik. Kam treguar arsyet se pse nuk kam kandiduar. Mendoj të angazhohem edhe më tutje politikisht në Kosovë”.

“Nuk është angazhimi politik vetëm duke qenë deputet i Kuvendit të Kosovës. Unë angazhimin politik e dua më shumë në bazë, te qytetarët, në projekte të caktuara, në rreth, në degë, në lagje. Ajo që më jep më shumë kënaqësi është të jem afër qytetarëve të vendit tonë”.

“Duke mos qenë deputet ku kam qenë në tri legjislatura, po atë kontribut që është dashtë ta japë jam përpjekur ta japë, por është interes i jemi personal për të punuar më shumë me njerëz”.

Të ngjashme