“Tone nacionaliste në fushatë”, Sela: Maqedonia e Veriut të jetë krah Kosovës, jo me Serbinë dhe Moskën

21:08 | 25 Prill 2024
E.G

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka deklaruar se fushata e opozitës për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut është shoqëruar me tone nacionaliste dhe kundër shqiptarëve.

Duke folur në një intervistë për RTSH-në, Genc Ymeraj, Sela theksoi se forca politike që ai drejton dhe koalicioni ku bën pjesë është në krah të Kosovës dhe aleatëve perëndimorë.

Sipas Selës, Kosovës i duhet një Maqedoni e Veriut që është aleate e saj dhe jo e Serbisë apo Moskës.

“E gjithë fushata e opozitës ka qenë me tone nacionaliste dhe vazhdojnë me këto tone. Një faktor shqiptar politik i fortë dhe i bashkuar siç ka ndodhur me Frontin Evropian. Fronti Evropian ka kapacitetet që t’u bëjë ballë, pavarësisht se sa e fortë do të ishte VMPRO-DMPNE pas zgjedhjeve.

Populli duhet ta mendojë qartazi këto gjëra. Ne kemi bërë frontin evropian për të qenë një krah mbështetës për rajonin, sidomos për Kosovën duke marrë parasysh që rajoni ka qenë i trazuar, konflikti ose agresioni rus ka bërë të vetën. Natyrisht Kosovës i duhet një Maqedoni me një faktor politik shqiptar dhe një Maqedoni që është aleate e Kosovës, dhe jo aleate e Serbisë ose e Moskës”, u shpreh Sela.

Ai theksoi më tej se Maqedonia e Veriut duhet të dalë nga ngërçi politik ku është futur. Ndërsa theksoi se procesin e integrimit në Bashkimin Evropian të Maqedonisë së Veriut e sheh në një bllok me Shqipërinë dhe jo të ndarë prej saj.

“Shqiptarët janë të zotë që të vendosin vetë për përfaqësuesit e tyre. Zgjedhjet e 8 majit do ta dyfishojnë përkrahjen për frontin evropian dhe përcaktimi i shqiptarëve do të jetë i qartë dhe i zëshëm.

Maqedonia e Veriut nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që të dalë nga ngërçi politik që ka hyrë për ndryshimet kushtetuese dhe asesi nuk duhet të jemi, sidomos shqiptarët që do të bëheshin pengesë edhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Sado që mendohet që Maqedonia e Veriut mund të ndahet nga Shqipëria unë jam skeptik që të ndodhë një gjë e tillë”, tha Sela.

 

Të ngjashme