Tomë Gashi tregon pse Ministria e Drejtësisë nuk po e publikon raportin, për vdekjen e Deharit

00:13 | 16 Tetor 2019
Trina Galanxhi

Tomë Gashi, avokat i familjes Dehari ka thënë se Ministria e Drejtësisë për arsye politike nuk po e publikon raportin e institutit zviceran për hetimin e rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit në burg, tre vjet më parë.

Ai ka thënë se ka më shumë se një javë që kur ka marrë përgjigje zyrtare se ky raport i është dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë.

“Sot qëllimisht e kam bërë këtë lajm sepse duket se ka mbetur e vetmja formë e luftimit për të vërtetën, sepse sipas informatave me shkrim, jo thashetheme, jemi njoftuar se raporti nga instituti zviceran ka ardhur para zgjedhjeve. Kemi kërkuar informatë dhe këtë informatë e kemi nga data 8 tetor. S’kemi pasur qëllim ta keqpërdorim atë në fushatë, e ata na njoftuan dy ditë pas zgjedhjeve se raporti ka ardhur një javë më herët. Nuk e dimë përmbajtjen, por na kanë njoftuar që ka ardhur raporti te institucioni që e ka porositur, te Ministria e Drejtësisë. Kam prit pesë ditë që të përgjigjen e të dërgojnë kopje të raportit se çfarë do gjuhe që të jetë. Asnjë lloj përgjigje s’kemi marrë”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Teksa ka thënë se çfarëdo që del nga raporti i këtij instituti familja Dehari e pranon raportin, Gashi ka thënë se është i bindur që bëhet fjalë për vrasje.

“Bëhen tre vjet, e dimë që u vra për shkak të bindjes partiake, dhe e dimë që për 78 ditë s’u mor në pyetje fare sa ishte në paraburgim. Ideja e ditës së sotme ishte që të bëhet publik raporti i instituti zviceran. Është dokumentuar që këtë MD-ja e ka pasur para ditës së zgjedhjeve”, ka shtuar ai. “Familja e Astrit Deharit, unë dhe të tjerët kemi thënë gjithmonë që rezultati i ekspertizës që vjen nga Zvicra është i pranueshëm për ta. Organet e drejtësisë mund të bëjnë atë që u lejon ligji, por s’besoj se në këtë rast do të kërkojnë ekspertizë shtesë. Për çfarë arsye nuk e bëjnë publike, tashmë jemi në javën e dytë që e dimë që është raporti, s’gjej arsye ligjore pos politike”.

Gashi ka thënë se është MD-ja që ka raportin dhe se të njëjtin nuk e ka përcjellë te prokurorët e rastit.

Astrit Dehari ishte arrestuar më 30 gusht të vitit 2016, nën dyshimin se bashkë me aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes e sulmuan Kuvendin e Kosovës. Ai vdiq më 5 nëntor të po të njëjtit vit, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Instituti i Mjekësisë Ligjore në Kosovë kishte vlerësuar se Dehari kishte bërë vetëvrasje, por rezultatet e këtij raporti nuk u pranuan nga prindërit e të ndjerit, të cilët më pas kërkuan hetim ndërkombëtar./ktv/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme