Google ADS

Tip raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit vlerëson përpjekjet e Qeverisë së Kosovës në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore

15:59 | 20 Korrik 2022
K.B

Njësoj sikurse edhe viteve të kaluara, raporti thekson se trafikantët e qenieve njerëzore shfrytëzojnë viktimat vendase dhe të huaja në Kosovë si dhe jashtë saj dhe së shumica e viktima të trafikimit seksual në Kosovë janë vajza.

Raporti thekson se Qeveria organizoi një fushatë të fuqishme vetëdijesimi dhe institucionet koordinuese mblodhën dhe përgatitën raporte tremujore.

Organet e zbatimit të ligjit vazhduan ta klasifikojnë kërkimlëmoshën e detyruar të fëmijëve nga prindërit e tyre, si neglizhencë ose abuzim prindëror në vend se trafikim, dhe për shkak të procedurave jo të duhura të identifikimit për kërkimlëmoshën e detyruar, autoritetet ka të ngjarë të kenë dëbuar disa viktima të paidentifikuara trafikimi.

Lidhur me ndjekjen penale, Raporti thekson se policia, prokuroritë dhe gjykatat përdorin metoda të ndryshme për numërimin e rasteve të përndjekjeve dhe kjo ka çuar në statistika të paqëndrueshme.

Në raport theksohet se Policia hetoi 17 raste të reja me 43 të dyshuar, krahasuar me 62 raste të reja në vitin paraprak të raportimit. Policia hetoi gjithashtu shtatë të dyshuar të tjerë për “shfrytëzim të shërbimeve seksuale nga një viktimë e trafikimit”, krahasuar me nëntë të dyshuar në vitin paraprak.

Autoritetet ndoqën penalisht 35 raste të reja, me 60 të pandehur, krahasuar me 20 raste të reja me 32 të pandehur në vitin paraprak.

Gjykatat dënuan shtatë trafikantë, krahasuar me tre në vitin paraprak.

Gjykatësit vazhduan të shqiptojnë dënime nën kufirin minimal prej pesë vjetësh heqje lirie. Derisa një gjykatës dënoi një trafikant me pesë vjet heqje lirie, katër trafikantë u dënuan me tri vjet, një u dënua me dy vjet me kusht dhe me gjobë prej 300 eurosh.

Prandaj, raporti thekson s dënimet me kusht dhe ato të gjobave zhvlerësuan përpjekjet për t’i mbajtur trafikantët përgjegjës, dobësuan parandalimin, krijuan shqetësime të mundshme për sigurinë e viktimave dhe nuk ishin të barasvlershme me seriozitetin e krimit.

Edhe si viteve të kaluara raporti ka theksuar se Gjykatat nuk e zvogëluan numrin e përgjithshëm të lëndëve që përfshijnë rastet e trafikimit dhe 70 raste mbeten të hapura nga vitet e mëparshme.

Raporti ka 13 rekomandime për Qeverinë e Republikës së Kosovës, mes tyre: të hetojë fuqimisht, të ndjekë penalisht dhe të dënojë trafikantët, duke përfshirë zyrtarët bashkëfajtorë; t’u shqiptojë trafikantëve të gjetur fajtorë, burgim në përputhje me dënimet e parashikuara; të hartojë udhëzime me shkrim dhe fuqizojë përpjekjet për identifikimin dhe asistimin e fëmijëve të eksploatuar në kërkimlëmoshën e detyruar; të zvogëlojë më tej numrin e lëndëve të pazgjidhura nga gjyqësori, duke përfshirë rastet e trafikimit të qenieve njerëzore.

Me këtë rast Ministria e Punëve të Brendshme, si dhe Koordinatori Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore do të angazhohen që të gjitha këto rekomandime nga Raporti i Departamenti Amerikan i Shtetit për Trafikimin e Personave për vitin 2022, të trajtohen seriozisht nga Autoriteti Kombëtar Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe institucionet tjera relevante të Republikës së Kosovës, me qëllim të luftimit sa më efikas të kësaj dukurie që po vazhdon të shqetësojë jo vetëm vendin tonë, por tërë globin. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme