Gjatë dëshmisë së saj në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitarja Time Kadrijaj, ka thënë se e ka njohur një person me nofkën “Ujku”.
Avokati Jean-Louis Gilissen e pyeti Kadrijajn nëse gjatë viteve 1998-1999 ka dëgjar për Pjetër Shalën, mirëpo përgjigja e saj nuk u dëgjua, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas kësaj, avokati Gilissen njoftoi se pyetjet për dëshmitaren nga mbrojtja e Pjetër Shalës kanë përfunduar.
Kurse, pyetjet për dëshmitaren do të vazhdojë t’i parashtrojë përfaqësuesit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Mirëpo, pas një pushimi 15 minutash, seanca rifilloi duke qenë e mbyllur për publikun.
Time Kadrijaj për Safete Hadergjonajn: Nuk është mjeke dhe kurrë nuk e kam pa gjatë luftës
Dëshmitarja Time Kadrijaj gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtja e Pjetër Shalës është pyetur edhe për disa persona duke përfshirë edhe Safete Hadergjonajn, Ramush, Daut e Agron Haradinajn si dhe Shaip Musaj.
Time Kadrijaj tha se Safete Hadergjonajn e njeh mirëpo ajo nuk është mjeke dhe se kurrë nuk e ka takuar gjatë luftës.
“Jemi të një vendi. Me thanë të drejtën raportet më të mira i kemi se kemi qenë të dyja deputete, më shumë që kemi pas kontakt është pas lufte kur kemi punuar bashkë të dyja si deputete. Ajo nuk është mjeke dhe unë kurrë nuk e kam pa gjatë luftës”, tha dëshmitarja Time Kadrijaj.
Ndërsa për Ramush Haradinaj ajo tha se ka qenë ushtar i dalluar dhe se ai nuk ka qenë kurrë në Shqipëri.
“Në luftë ka qenë një ushtar i dalluar. Ramushi nuk ka qenë në Shqipëri kurrë”, tha Kadrijaj ndërsa lidhur me Daut Haradinaj nuk u dëgjua përgjigja e saj.
Personin me emrin Agron Haradinaj, Kadrijaj tha se e ka parë në Koshare.
“Në Koshare ka qenë. Në rrethana të zakonshme qysh takohen njerëzit në rrugë dhe jo në rrethana ta tjera”, tha Kadrijaj, mirëpo du sëgjua përgjigja kur u pyet për personin me emrin Shaip Musaj.
Kadrijaj tha se nuk ka qenë asnjëherë në Kukës në vitin 1999 dhe se nuk i ka ofruar ndihmë Milaim Zekës atje kur ka qenë i plagosur.
Dëshmitarja Time Kadrijaj tha se Milaim Zeka është plagosur në Koshare dhe se aty iu është ofruar ndihma mjekësore.
“Është plagos në Koshare dhe ndihmën e pparë e ka marrë në Koshare. Nuk ka asgjë reale, e vërteta është së Milaim Zeka është plagos në Koshare, tek Karaulli i Kosharës, pas ca ditësh dhe Milaim Zeka aty e ka marrë ndihmën e parë nga ekipi mjekësor. Ne kemi qendru aty dhe kur janë plagos të plagosurit e kanë marrë ndihmën e parë në Koshare ose në Papaj ose në BAdesh dhe më pas janë përcjell sipas rasteve në spitalin e Bajram Currit”, tha dëshmitarja Kadrijaj.
Fillon dëshminë deputetja Time Kadrijaj në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, thotë se në UÇK është kyçur më 1998
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, ka filluar dëshminë dëshmitarja Time Kadrijaj, me kodin W04440, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Kadrijaj tha se është kyçur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1998 në Deçan, duke shtuar se puna e saj ka qenë mjeke.
Kadrijaj do të dëshmojë pa masa mbrojtëse dhe është dëshmitarja e shtatë e mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pyetjet për këtë dëshmitare, ka filluar që t’i parashtrojë mbrojtja e Pjetër Shalës përmes avokatit, Jean-Louis Gilissen dhe do të zgjasë një orë e gjysmë.
“Mjeke e përgjithshme, e kam kry specializimin si gjinekologe. (Aktualisht) deputete e Republikës së Kosovës. (I përkas) Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, tha Kadrijaj, duke treguar se para fillimit të luftës ka jetuar në fshatin e lindjes në Rastavicë të Deçanit.
Kadrijaj tha se ajo ka qëndruar në fshatin e saj të lindjes dhe se aty ka shërbyer.
“Furnizimi me barna ka qenë i vështirë. Unë kam qëndru në fshatin tim të lindjes për shkak se ka qenë vijë e parë e luftës dhe unë aty kam shërbyer. Secili fshatar aty ka shërbyer me aq sa mundësi kemi pas. Meqenëse unë isha mjeke, kam punu në shoqatën “Nënë Tereza” me automatizëm kam fillu me punu në fshatin e lindjes si mjeke”, tha Kadrijaj.
Kadrijaj tha se gjatë viteve 1998 dhe 1999 është larguar nga Kosova, duke përshkruar edhe vendet se ku ka shkuar.
“Diku në shtator-tetor ‘98 jam largu nga Kosova. Pas ofenzivave jemi detyruar të largohemi dhe rruga që kemi ndjekë ka qenë Rugova që është bjeshkë, pastaj kemi dalë në Mal të Zi, në Ulqin dhe më pas në Durrës, për shkak se e kemi pas një pjesë të familjes atje. Udhëtimin e kam bërë në Koshare-Papaj- Badesh dhe në Koshare”, tha Kadrijaj, duke theksuar se koha kur ka mbërri në Koshare ka qenë fillimi i vitit 1999.
Në Koshare, Kadrijaj tha se ka pasur ekip mjekësor në vijën e parë të frontit.
“Edhe ekipa mjekësore ka qenë në vijat e para të frontit, për shkak të terrenit nuk ka pas spital… kur ka pas ndonjë të plagosur kemi shku me ndihmu”, tha Kadrijaj.
Ndërsa, për punët që i ka kryer, Kadrijaj tha se ka dhënë ndihmën e parë dhe më pas i kanë transferuar të plagosurit në qytetin e Bajram Currit.
“Jemi kanë një grup i mjekëve dhe kemi funksionu si ekip mjekësor. Nuk e di a ka pas njësi apo emër, por kemi qenë si njësi e mjekëve. Kemi funksionu si ekip dhe nuk e kemi pas ndonjë përgjegjës”, tha Kadrijaj tutje.
E pyetur se a ka qenë e pranishme ndonjëherë në Kukës, Kadrijaj tha se është caktuar në Koshare dhe aty ka filluar dhe përfunduar misionin e saj.
“Unë jam përcaktu me qenë në Koshare, aty kam fillu dhe aty kam përfundu”, tha Kadrijaj.
Ndërsa, tha se Milaim Zekën dhe Nasim Haradinajn i ka parë në Koshare, por që nuk e di se në çfarë periudhe kohore.
Ndryshe, pas deklaratës nën betim të Kadrijajt, seanca kaloi në sesion privat me kërkesën e trupit gjykues. Para kësaj, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia i tha dëshmitares se ajo është e pranishme në këtë seancë gjyqësore që të dëshmojë me kërkesën e mbrojtjes së Pjetër Shalës.
Sipas Veldt-Foglia, mbrojtja e Pjetër Shalës ka gjykuar së dëshmia e Kadrijajt është e rëndësishme në këtë çështje gjyqësore duke menduar se ajo mund të ketë informata për ndonjë krim të kryer apo ndonjë kryerës të mundshëm.
Mbaron dëshminë Safete Hadergjonaj, thotë se ndjehet e shqetësuar që nuk iu dha mundësia të flasë
(Përditësuar, ora 12:19)- Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka mbaruar dëshminë e saj dëshmitarja Safete Hadergjonaj, në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, e cila në fund tha se ndjehet e shqetësuar qe nuk iu dha mundësia për të folur.
“Ndjehem e shqetësuar që nuk ma ke dhënë mundësinë me fol, por i kuptoj rregullat e gjyqit”, tha Hadergjonaj.
Ajo filloi të fliste edhe për Pjetër Shalën, mirëpo fjala iu ndërpre nga kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Unë jam institucionaliste, besoj në drejtësi dhe ju panel i gjyqtareve, kam bindje që nuk do të dëgjoni as këtë palë, as këtë palë dhe do ta nxjerrin të vërtetën dhe vetëm të vërtetën dhe do ta thoni drejtësinë këtu. Nëse ka drejtësi në këtë gjykatë, ai burrë që nuk ia pava ftyrën do të…”, tha dëshmitarja.
Ndryshe, mbrojtja e Shalës nuk kishte raund tjetër të pyetjeve, ndërsa trupi gjykues nuk parashtroi pyetje për dëshmitaren.
Gjyqtarja Veldt-Foglia tha se pas pushimit të drekës do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmisë së një dëshmitareje tjetër.
Avokati Laws- Hadergjonajt: A e kuptoni sa e dhimbshme është për personat që kanë vuajtur në Kukës të dëgjojnë dikë duke thënë se është gënjeshtër?
(Përditësuar, ora 12:15)- Në seancën e së enjtes në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, mbrojtësi i viktimave Simon Laws, ka pyetur dëshmitaren, Safete Hadergjonaj se a e ka menduar ndonjëherë se sa e dhimbshme është për personat që sipas tij kanë vuajtur në Kukës, ta dëgjojnë dikë të thotë se ka qenë e gjitha gënjeshtër.
Laws e bëri këtë pyetje, pasi dëshmitarja Hadergjonaj insistoi në qëndrimin e saj se në Kukës nuk ka pasur krime dhe të gjitha janë sajesa nga Shërbimi Sekret Serb.
“A keni menduar ndonjëherë se sa e dhimbshme mund të jetë për personat që kanë vuajtur në Kukës të cilëve ju vuajtën të dashurit ose iu vranë të dashurit, e kuptoni se sa e dhimbshme është për ata të dëgjojnë dikë që thotë është një gënjeshtër, janë të gjitha gënjeshtra dhe të gjitha sajesa politike, pra a ua merr menja se sa e dhimbshme mund të jetë për këta persona?”, pyeti Laws.
Mirëpo, Hadergjonaj sërish insistoi në qëndrimin e saj se nuk kanë ndodhur gjëra të atilla në Kukës.
“E kam bindjen e plotë që në Kukës nuk ka pas ndonjë rast të tillë që i ka shkaktu këtë gjë që po thoni ju viktimat. Unë nuk du që në shtetin tim, në Kosovën e lirë të ketë viktima dhe dua të zbardhet gjithçka. Mirëpo, nuk pajtohem kurrë që dikush me u bë viktimë mbi gënjeshtrën apo nuk pajtohem kurrë që nga Shërbimet Sekrete Serbe me u bë dëshmitar i rrejshëm, me këtë nuk pajtohna kurrë, kurse një popull i tërë në Kosovë jemi viktimë e një gjenocidi serb që ka ndodhë aty dhe nuk dua që të ketë asnjë viktimë”, tha ajo.
Mirëpo, fjala e Hadergjonajt u ndërpre nga kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, e cila edhe i tha se aty nuk është vendi që të zgjedhë të mospërgjigjet.
“Nuk ishte kjo pyetja. Ua kam mbyllur mikrofonin dhe nuk po merret përkthimi i fjalës tuaj. E dhatë përgjigjen, unë e shtypa mikrofonin, e mbylla, pjesa tjetër e përgjigjes nuk është pasqyruar. Unë iu kërkova thjesht t’iu përgjigjeni pyetjes dhe jo të merrni fjalën dhe të thoni se çfarë dëshironi ju. Nuk është ky vendi dhe nuk është ky vend që të zgjedhësh të mos përgjigjes se me sa duket për ju qenka e vështirë kjo gjë”, tha gjykatësja.
Ndërsa, avokati Laws insistoi sërish në pyetjen e tij, duke i thënë dëshmitares se mund të përgjigjet me ‘po’ ose ‘jo.
“Pyetje e thjeshtë ishte kjo. Mund të përgjigjeni me ‘po’ ose ‘jo’. Pra, a u ka shkuar ndonjëherë në mend se sa e dhimbshme për personat të ju dëgjojnë të thoni se janë të gjitha gënjeshtra dhe se nuk ka viktimë”, pyeti Laws.
Por, Hadergjonaj u përgjigj me vetëm: “Nuk ka pas aty viktima”.
Avokati Simon Laws i tha dëshmitares sërish që do t’i japë shansin e fundit për tu përgjigjur para se të ulet, duke e bërë sërish pyetjen e njëjtë.
“Po ju jep një shans të fundit të përgjigjeni dhe pastaj do ulem. A u ka shkuar ndonjëherë në mend se sa e dhimbshme mund të jetë që ju thoni këto gjëra dhe personat të ju dëgjojnë teksa thoni këto gjera, viktimat e vërteta. Unë nuk po ju pyes, a ka a s’ka viktima të vërteta, por po ku them a e keni menduar ju vetë ndonjëherë, po apo jo”, pyeti Laws.
Megjithatë, dëshmitarja Hadergjonaj u shpreh sërish e bindur që ndodhitë në uzinën e metalit në Kukës kanë qenë vetëm sajesa.
“As që e kam mendu sepse jam e bindun që ajo qendër është sajesë e Shërbimit Sekret Serb. Unë jam ulur mbi një dëshmi të rrejshme, kaq di”, tha dëshmitarja Hadergjonaj.
Ndryshe, avokati Laws ka përfunduar pyetjet për dëshmitaren Safete Hadergjonaj.
Hadergjonaj: Zërat e rrahjeve në stacionin policor të Serbisë, mbrëmë nuk më kanë lënë të flija
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitarja Safete Hadergjonaj tha se gjatë mbrëmjes së djeshme është ndjerë keq dhe se zërat e rrahjeve në stacionin policor të Serbisë nuk e kishin lënë të flejë.
Deklarata e Hadergjonajt erdhi pasi mbrojtësi i viktimave, avokati Simon Laws pyeti dëshmitaren se a jep përfundime në profesionin e saj për ndonjë çështje pa pasur prova.
“Këto sajesa të Shërbimit Sekret Serb nuk du me i lexu kurrë sepse më kthejnë në një kohë të vështirë dhe ndihem jashtëzakonisht keq siç jam ndi keq mbrëmë, sepse zërat e rrahjeve në stacionin policor të Serbisë mbrëmë nuk më kanë lënë të flejë zotri avokat, të cilat janë kanë nga policia e një regjimi diktatorial gjenocidal i Serbisë, a e kupton ti këtë gjë”, tha dëshmitarja Hadergjonaj.
Praprakisht, dëshmitarja tha se nuk i ka lexuar shkresat e kësaj çështje gjyqësore, mirëpo është e bindur që në Kukës nuk ka pasur krime.
Lidhur me këtë deklaratë, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia i tha Hadergjonajt se nuk ka shkuar aty për ndonjë qëllim tjetër, por vetëm t’iu përgjigjet pyetjeve që po iu bëhen.
“E dëgjuam që nuk jeni ndje mirë dje sepse iu sjellë kujtime që nuk doni t’i sjellni më ndërmend. Ne e vlerësojmë shumë faktin që keni ardhur, faktin që po jepni dëshmi, por unë po e përsëris edhe njëherë, ju lutem vetëm jepni përgjigje pyetjes që iu kanë drejtuar. Nuk keni ardhur këtu për asnjë qëllim tjetër, keni ardhur këtu vetëm për t’iu përgjigjur pyetjeve”, tha gjykatësja.
Ndërsa, mbrojtja e Pjetër Shalës përmes avokatit Jean-Louis Gilissen tha se nuk beson që duhet t’i kërkohet dëshmitares t’i justifikojë mendimet e saj.
“Qofshin këto të mira apo të këqija, këto janë mendime të dëshmitares. Ne kemi dëgjuar disa shpjegime, jemi a po s’jemi të bindur është tjetër gjë, por pse po vazhdojmë? Nuk është në kuadër të pyetjeve tona dhe sikur për të testuar besueshmërinë. Ne e dimë qartë pozicionin e dëshmitares”, tha avokati Gilissen.
Megjithatë, gjykatësja Veld-Foglia i tha avokatit të Pjetër Shalës që nuk është duke parë asnjë problem në pyetjet e mbrojtësit të viktimave.
“Qëndrimet e një personi mund të vihen në dyshim sigurisht edhe prandaj përdoren edhe argumentet, unë nuk shoh asnjë problem në pyetjet e mbrojtjes së viktimave”, tha ajo.
Pos kësaj, avokati Laws tha se nuk pajtohem me ato se çfarë tha mbrojtja e Shalës dhe se personave që ai i përfaqëson, nuk është e drejtë t’iu mohohen krimet për të cilat kanë vuajtur.
“Nuk pajtohem absolutisht me atë se çfarë tha mbrojtësi. Personat që unë përfaqësoj, nuk kanë ardhur këtu, nuk është e drejtë atyre t’iu mohohen krimet në të cilat ata kanë vuajtur, nuk është kjo drejtësi, prandaj jam unë këtu që t’i përfaqësoj ata përmes pyetjeve të mija. Ta eksplorojmë pozicionin e dëshmitares”, tha Laws, duke vazhduar me pyetje të tjera për dëshmitaren.
Hadergjonaj: Jam e bindur që në Kukës s’ka pasur krime, nuk i dëgjoj thashethemet e kësaj Gjykate
Dëshmitarja Safete Hadergjonaj, gjatë dëshmisë së saj të enjten në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, ka thënë se është e bindur që në Kukës nuk ka pasur krime.
Deklarata e saj, erdhi pasi mbrojtësi i viktimave, Simon Laws i tha dëshmitares që ai përfaqëson viktimat e krimeve që kanë ndodhur në Kukës.
“Këtë që thua e kuptoj, por nuk e kuptoj që në Kukës ka pas krime dhe jam e bindur që aty nuk ka pas krime”, tha dëshmitarja Hadergjonaj.
Ajo tha se nuk i intereson të dëgjojë sajesa nga Shërbimi Sekret Serb e po ashtu sipas saj edhe thashethemet e Gjykatës Speciale.
“Unë arrij në përfundimin që sapo thash se nuk kam dëgju kurrë nga askush që ka pas gjëra të tilla në Kukës dhe unë kam të drejtë ta ruaj mendimin tim të bazuar në këtë që ajo çka po thoni ju ndalesë në Kukës është sajesë e Shërbimit Sekret Serb, prandaj nuk me interesojnë gjërat e tilla t’i lexoj. Unë nuk kam dëgju kurrë që ka pas gjëra të atilla aty. Sikur ta kisha dëgju prej dikujt, unë do të ua thosha me sinqeritetin më të madh, por unë nuk kam dëgju. Nuk kam informatë që aty ka pas diçka. Nuk i dëgjoj dhe as nuk i lexoj thashethemet e kësaj gjykate që kanë shqitë nga ajo për të cilën është formu”, tha Hadergjonaj.
Këtë deklarim, ish-deputetja e bëri pasi avokati Laws e pyeti nëse për rastin në Kukës ka ardhur në këtë përfundim, për shkak se nuk i ka lexuar materialet e kësaj çështjeje.
“Po e them, edhe dje, po e them edhe sot materialet e kësaj çështje nuk i lexoj sepse janë sajesa të Shërbimit Sekret Serb dhe nuk dua as me i lexu. Zotri avokat, unë që jam ulë këtu si dëshmitare jam viktimë e regjimit gjenocidal të Serbisë dhe kërkush nuk po merret me të drejtat dhe jetën time këtu. Kurrkush nuk po më mbron mua…okej”, tha Hadergjonaj, derisa ia ndërpreu fjalën kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veld-Foglia.
Ish-deputetja Hadergjonaj thotë që s’e di nëse Time Kadrijaj do dëshmojë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës
Dëshmitarja Safete Hadergjonaj gjatë dëshmisë së saj është pyetur për deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, teksa tha se nuk e di nëse ajo do të dëshmojë në këtë çështje.
Këtë deklaratë, Hadergjonaj e bëri pasi u pyet nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, nëse e di që Kadrijaj do të ofrojë dëshmi në këtë çështje.
“Nuk e di”, u përgjigj shkurt Hadërgjonaj, duke shtuar se Kadrijaj është deputete e Kuvendit të Kosovës.
“Unë me sa di ajo jeton në Deçan a në Prishtinë, ajo është deputete në Parlamentin e Kosovës, nuk e di ku e ka vendqëndrimin. Fshati i origjinës është Restavicë”, tha dëshmitarja Hadergjonaj, e cila shtoi se nuk e di se sa larg është vendi i saj i origjinës me atë të Kadrijajt.
Ndërsa, e pyetur nëse ka mësuar ndonjëherë që të japë ndihmën e parë, Hadergjonaj e mohoi një gjë të tillë.
“Zotri avokat, kurrë në jetën time nuk kam mësu se si jepet ndihma e parë dhe as sot nuk di se si jepet ndihma e parë, e them me përgjegjësi dhe nën betim”, tha dëshmitare Hadergjonaj.
Hadergjonaj tha se edhe kur ka qenë mësuese nuk ka pasur rastin që të mësojë të ofrojë ndihmën e parë.
“Unë kam qenë mësuese e lëndëve ekonomike dhe s’kam pas lidhje me asgjë që ka të bëjë me shëndetësinë, mjekësi apo më gjerë”, shtoi ajo.
Ndryshe, pas pyetjeve për Time Kadrijajn, me kërkesën e avokatit mbrojtës të viktimave, seanca kaloi në sesion privat.
Shala për Hadergjonajn: E ka involvuar Prokuroria me dëshmi të rrejshme, ne e kemi ftuar për sqarime
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të enjten po e vazhdon dëshminë e saj dëshmitarja Safete Hadergjonaj, ish-deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës. Ky i fundit, tha se Hadergjonaj është involvuar në çështjen ndaj tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) me deklarata të rrejshme.
“Vetëm për sqarim, nuk është që ekipi im e ka ftuar, por e ka involvuar Prokuroria më dëshmi të rrejshme e ne jemi vetëm për sqarim. Nuk është që e kemi ftu ne dhe e kemi involvu ne. Ne e kemi ftu për të sqaru deklaratat që i ka bërë dikush tjetër dhe që e kanë involvu dhe jo unë dhe as mbrojtja ime. Ju faleminderit. Kaq pata, vetëm për sqarimin tuaj”, tha Shala.
Deklarata e Shalës erdhi pasi kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia i tha dëshmitares se prezenca e saj në këtë seancë është me kërkesën e mbrojtjes së Shalës.
Sipas saj, mbrojtja ka kërkuar ndihmën e DhSK-së që të sigurojë prezencën e saj në këtë çështje gjyqësore.
Veldt-Foglia i tha dëshmitares së mbrojtja ka konsideruar që Safete Hadergjonaj mund të japë informacione të rëndësishme lidhur me veprat e pretenduara, si dhe këtë çështje gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.
Hadergjonaj e falënderoi gjyqtaren për sqarimin dhe i tha që iu është përgjigjur ftesës në mënyrë të rregullt. Pyetjet për Safete të ka filluar që t’i parashtrojë mbrojtësi i viktimave Simon Laws.
Hadergjonaj dëshminë e saj e ka filluar të martën më 22 nëntor, ku deklaroi që nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se nuk ka qenë as motër medicinale dhe se nuk ka të bëjë asgjë me profesionin e mjekut.
Po ashtu gjatë dëshmisë së saj dje, Hadergjonaj tha se ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë luftë të pastër, duke e quajtur Specialen gjykatë qesharake. Madje, për aktakuzat e ngritura, ajo tha se janë të motivuara nga Serbia si dhe nga sajesat e Shërbimit Sekret Serb dhe dëshmitarëve të rrejshëm.
Ndërsa, për të akuzuarin Pjetër Shala, Hadergjonaj tha se emrin e tij dhe figurën e tij e ka parë vetëm atëherë kur është arrestuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Veç tjerash, ajo tha se edhe emri i saj është gjetur mbi një dëshmi të rrejshme pasi që nuk ka pasur farë të bëjë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.
Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.
Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
ShBA-ja dënon sulmin në Ibër-Lepenc: Qeveria e ka mbështetje...
Momentet më pikante mes Sarës dhe Drilonit, çfarë po ndodh m...
Rusia mbyll muzeun e njohur që dokumenton mizoritë e Gulagut
Edi – Gjestit: S’ki nevojë me u tut se dola unë tash!
Krasniqi: Që të rinjtë të qëndrojnë në Kosovë, atyre u duhet...
Pamje nga veriu, pas shpërthimit në kanalin e ujit në Zubin ...