Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka hedhur poshtë akuzat e fshehjes së ndonjë qëllimi prapa ndihmës financiare për restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës.
Për këtë projekt, për të cilin u ngritën shqetësime nga profesorë universitarë dhe profesionistë të trashëgimisë kulturore, TIKA thotë se nuk ka për qëllim që të zbatojë asnjë projekt që është në kundërshtim më të kaluarën e shtetit të Kosovës.
“Deri më tani, në asnjë mënyrë në asnjë shtet nuk kemi zbatuar, nuk jemi duke zbatuar dhe nuk do të zbatojmë projekte në kundërshtim me kulturën dhe traditat e atij shteti”, thuhet në përgjigjen e TIKA-s dërguar Radios Evropa e Lirë.
Çështja e Hamamit të Madh u bë temë diskutimi javën e kaluar, kur në fotografitë e prezantimit të projektit nga ana e Komunës së Prishtinës dhe TIKA-s vërehej se këtij objekti i ishte ndryshuar emri.
TIKA nuk është përgjigjur në pyetjen e REL-it nëse ka propozuar që Hamami i Madh pas restaurimit të quhet “Fatih Hamami Muzesi”.
Përkundër kundërshtimeve, TIKA thotë se do të vazhdojë me zbatimin e projektit.
“Sa i përket projektit në fjalë, është një proces që është duke vazhduar për zbatimin e saj dhe ne sikur deri më tani, do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë popullit të Kosovës si dhe me projektet tona do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën në çdo aspekt”, thuhet në përgjigjen e TIKA-s.
Rishikimi i projektit
Shqetësimet e ngritura për projektin për restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës kanë shtyrë Inspektoratin për Trashëgimi Kulturore që të ndërmarrë hapa drejt rishikimit të projektit.
Drejtori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, Imer Hakaj, tha të martën për Radion Evropa e Lirë se pas shqetësimeve të ngritura, ky institucion është duke analizuar të tërë lëndën e këtij projekti.
“Jemi duke e analizuar lëndën. Ende nuk e kemi shikuar tërë projektin”, tha Hakaj.
Ai nuk dha më shumë detaje, me arsyetimin se pas rishikimit dota kenë më të qartë situatën.
Çështja e restaurimit të Hamamit të Madh u bën temë kritikash më 24 mars kur Komuna e Prishtinës bëri të ditur se ka nënshkruar një memorandum me TIKA-n për restaurimin e këtij objekti.
Në fotografitë që prezantoi Komuna e Prishtinës dhe TIKA, Hamamit të Madh i ishte ndërruar emri.
“Fatih Hamami Muzesi”, ishte propozuar që të jetë emërtimi i ri, por profesorë universitarë dhe drejtues institucionesh të trashëgimisë kulturore, thanë se ndërrimi i emrit e shndërron Hamamin e Madh në muze të një prej sulltanëve më famëkeq të Perandorisë Osmane, Sulltan Mehmetit të Dytë.
Projekti përfshin një shumë prej më shumë se një milion eurosh dhe rreth 51 për qind të shumës totale parashihet ta financojë TIKA.
Mehmetaj: Turqia po mundohet ta tjetërsojë trashëgiminë shqiptare
TIKA po akuzohet se ka për qëllim tjetërsimin e trashëgimisë kulturore përmes donacioneve dhe investimeve të ndryshme në objekte të trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Arkeologu Haxhi Mehmetaj, që para një dekade kishte kryer gërmime arkeologjike në hapësirat e Hamamit të Madh, kundërshton projektin e propozuar nga Komuna e Prishtinës dhe TIKA.
Mehmetaj thotë se ky objekt nuk bën të tjetërsohet dhe se fillimisht duhet të kryen gërmime të reja arkeologjike të cilat i kanë paraprirë Hamamit të Madh.
Ai është kundër faktit që restaurimin ta udhëheqë TIKA.
“TIKA edhe më parë, kudo që ka punuar është përpjekur dhe ka ndryshuar autenticitetin e trashëgimisë sonë kulturore”, Mehmetaj.
Mehmetaj përmend një objekt tjetër kulti në të cilin ka qenë e përfshirë Agjencinë Zhvillimore Turke, përkatësisht Tyrbja e Sulltan Muratit, që gjenden në rrethinën e Prishtinës.
Përmes punimeve që janë kryer në këtë objekt, sipas Mehmetaj, TIKA është përpjekur që ta nxjerr ëatë si monument të Sulltan Muratit, gjë që sipas tij nuk është e vërtetë.
“TIKA kudo që ka shkuar, kudo që ka vepruar ka bërë kulturocid, do të thotë ka ndryshuar, ka rrënuar monumente, ka rrënuar shtresa të trashëgimisë kulturore vendore ndërsa është përpjekur që të ringjallë Perandorinë Otomane”, tha Mehmetaj.
Tendenca për përvetësim
Me shumë dyshime projektin për restaurimin e Hamamit të Madh po e shohin edhe në Institutin Arkeologjik të Kosovës.
Drejtori i këtij institucioni, Enver Rexha, thotë se disa organizata të huaja, duke përfshirë TIKA-n turke, vazhdimisht kanë shfaqur tendenca për të lënë gjurmë në intervenimet që bëhen në trashëgiminë kulturore të Kosovës.
“Krejt është në rregull donacioni, por jo donacioni të marrë një kuptim që ata janë njëfarëlloj hisedari sepse në qoftë se dikush dëshiron të japë një donacion, le ta japë atë donacion që të rregullohet trashëgimia e Kosovës, e jo të dilet aty me emra dhe përkushtime të ndryshme, të cilat kanë pasur tendenca dhe ka tendenca prej disa organizatave që të shfaqen por në njëfarë forme të hyjnë në atë identitetin e monumentit”, shprehet Rexha.
Rexha thotë se emri i Hamamit nuk duhet të ndryshohet pavarësisht se kush është donatori.
Shpjegimi i komunës
Pak kohë pas reagimeve, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në Facebook, mohoi ndryshimin e emrit të Hamamit të Madh.
Ahmeti tha se TIKA nuk ka vendosur asnjë kusht sa i përket emërtimit dhe tha se pas restaurimit, Hamami i Madh do të shërbejë për ekspozita, konferenca dhe ngjarje të tjera që do të organizohen nga komuna që ai udhëheq.
Hamami i Madh apo siç edhe quhet Hamami i Sulltan Mehmet Fatihut, është një nga pak monumentet e epokës së Perandorisë Osmane në Prishtinë.
Në këtë objekt janë bërë gërmime arkeologjike në të kaluarën dhe është thënë se janë gjetur artefakte që i takojnë kohës të para sundimit osman.
Ky objekt është restauruar në të kaluarën, mirëpo punimet ishin ndërprerë për shkak të, siç ishte thënë, humbjes së pamjes origjinale.
Që nga viti 2012, me vendim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hamami i Madh i Prishtinës është pjesë e trashëgimisë kulturore.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...