Të ardhur në mënyrë të organizuar, me shumë autobusë e makina, pelegrinët serbë përkujtuan dje Betejën e Kosovës në Monumentin e Gazimestanit, rreth pesë kilometra larg nga Prishtina.
Kremtimi i kësaj dite ndërlidhet me përvjetorin e 628-të të Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitoren shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Llazar.
Ceremonia fetare në Gazimestan është mbajtur pranë Monumentit të Betejës së Kosovës, të ndërtuar nga mesi i shekullit të kaluar, nën administrimin jugosllav, në një fushë ku besohet të jetë zhvilluar Beteja e Kosovës e shekullit XIV.
Qytetarët serbë të mbledhur në Gazimestan kanë brohoritur parulla nacionaliste “Kosova është zemra e Serbisë”, kanë bartur flamuj serbë dhe rusë, si dhe kanë mbajtur edhe portrete të presidentit rus Vladimir Putin.
Në mesin e tyre ka pasur pjesëtarë të organizatave me ngjyrime nacionaliste sikurse organizata “Obraz” (“Fytyra”).
Temperaturat mbi 30 gradë nuk i penguan qytetarët serbë të të gjitha grupmoshave, prej fëmijëve e deri te të moshuarit, që t’i valojnë në mesditë flamujt e Serbisë duke kënduar e duke thirrur slogane të njohura nacionaliste që i kushtohen kësaj dite, për më shumë se dy orë.
Pa dyshim që thirrja “Kosova është Serbi” ishte ajo që u dëgjua më së shumti në shënimin e kësaj feste edhe sivjet. Edhe shitblerjet në tezgat e vendosura për ushqim dhe pije u bën me dinarë e jo me valutën zyrtare që përdoret në Kosovë, euron.
Klerikët ortodoksë serbë mbajtën një ceremoni për disa qindra pelegrinë në Monumentin e Gazimestanit, i cili shënon vendin e Betejës së Kosovës, ndërkohë që edhe në qytetin me shumicë serbe të Graçanicës u mblodhën disa qytetarë.
Patriarku serb Irinej foli për historikun e kësaj dite. Nga Gazimestani ai u bëri thirrje serbëve në Kosovë të mos i shesin tokat dhe shtëpitë e tyre meqë kjo tokë është e larë me gjakun e paraardhësve të tyre.
Pas liturgjisë së Vidovdanit në portën e Manastirit të Graçanicës patriku serb tha se çdo pjesë e kësaj toke flet për vuajtje, ndërsa ku ka vuajtje aty ka ringjallje. Patriarku Irinej foli me admirim për gjithë ata serbë që kanë zgjedhur të vazhdojnë të jetojnë në Kosovë.
“Ne i admirojmë ata që kanë mbetur këtu. Adhurojmë trimërinë e tyre. Kemi ardhur këtu që ju, të cilët jetoni këtu, në këto hapësira të mbeteni. Mos i shitni tokat, sepse kjo tokë është e larë me gjakun e të parëve tanë”, tha patriarku. Siç është shprehur ai, Vidovdani flet për faktin se si populli serb është popull i Zotit, popull i bekuar, i cili bart me vete Zotin.
“Nëse ka ditë kur të gjithë mendojmë bashkërisht dhe që na mbush kjo është dita e Vidovdanit. Dita e madhe kur populli serb përjetoi të Premten e Madhe, kryqëzimin e vet. Ky kryqëzim jeton sot e gjithë ditën. Si popull duhet ta bartim kryqin që e ka mbajtur edhe Zoti ynë”, ka thënë ndër të tjera patriarku.
“Populli serb ka përjetuar kryqin e vet dhe të Premten e Madhe”, ka thënë ai, duke shtuar se “pas të Premtes së Madhe vjen ringjallja. Ne jemi popull që jetojmë në tokë, por shikojmë në qiell”.
Në anën tjetër, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën Marko Gjuriq, dje gjatë një fjalimi për Festën e Vidovdanit në Graçanicë, ka thënë se Serbia nuk do të heqë kurrë dorë nga Kosova. Sipas tij, arma më e madhe e serbëve është këmbëngulja.
Edhe këtë vit ishte Policia e Kosovës në koordinim me KFOR-in ata të cilët u kujdesën për sigurinë e pelegrinëve serbë. Gjithë ky organizim kaloi pa incidente. Një ditë para Festës së Vidovdanit zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë se Policia e Kosovës konform detyrave të saj ka ndërmarrë një operacion për menaxhimin e situatës.
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...