Google ADS

Themelorja shtynë vendimin për lejet ndërtimore, Krasniqi: Nuk heshtim ndaj praktikave diskriminuese në Graçanicë

18:59 | 1 Gusht 2024
E.H

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka bërë të ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktvendim duke shtyrë ekzekutimin e një Rregullore diskriminuese të Komunës së Graçanicës derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor.

Krasniqi ka thënë se procedurën gjyqësore në këtë rast e ka iniciuar MAPL-ja kundrejt Komunës së Gracanicës, e cila sipas ministrit, kishte nxjerrë Rregullore diskriminuese mbi kushtet e përgjithshme për parcelim, rregulla dhe procedurën e ndërtimit të objekteve dhe lëshimin e kushteve ndërtimore për ndërtesat nën kompetencën e komunës, përcjell Arbresh.info.

“Kjo Rregullore ka hyrë në fuqi në vitin 2018, duke mos u shqyrtuar nga ministritë e linjes. Sipas vlerësimeve profesionale të MAPL dhe jo vetëm, kjo Rregullore dhe praktikat që janë ndjekur në bazë të saj, janë në kundërshtim me rregullativën e përgjithshme kushtetuese dhe ligjore në Republikën e Kosovës. Nga viti 2018 e deri me tani, kur ne e kundërshtuam këtë Rregullore diskriminuese, shumë kërkesa dhe procedura pronesore të qytetarëve, kryesisht shqiptarë, janë refuzuar nga komuna e Graçanicës, duke ua pamundësuar në këtë mënyrë qytetarëve disponimin e lirshëm dhe ligjor të pronës së tyre”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.

“Komunat duhet të ofrojnë kushte të favorshme për qytetarët dhe jo t’i pengojnë dhe penalizojnë ata, mbi çfarëdo baze. Andaj, në përputhje me mandatin tonë kushtetues dhe ligjor, asnjëherë nuk do të qëndrojmë indiferent ndaj akteve dhe praktikave diskriminuese të asnjë komune”, shtoi tutje ministri./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme