Google ADS

Themelohet paneli hetimor për procedurën disiplinore ndaj prokurores së rastit të Sebahate Morinës

11:13 | 20 Prill 2023
L G

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në takimin e 229-të, të mbajtur të enjten, ka themeluar panelin hetimor për zhvillimin e procedurës disiplinore ndaj prokurores së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Hava Krasniqi, prokurore në rastin e Sebahate Morinës, për të cilën Gjykata Kushtetuese konstatoi se i është shkelur e drejta për jetë.

Paneli do të përbëhet nga Shukri Jashari (kryesues), Drita Hajdari dhe Enis Gashi (anëtarë), kurse Dëshirë Jusaj dhe Afrim Shefkiu (anëtarë rezervë), raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku fillimisht paraqiti në pika të shkurta dy kërkesat e autoritetit kompetent, për fillimin e hetimit disiplinor ndaj kësaj prokuroreje.

Kërkesa e parë, kishte të bënte lidhur me një rast të vjedhjes së rëndë, ku prokurorja sipas autoritetit nuk ka vepruar në mënyrë të vazhdueshme në veprimet siç i ka kërkuar ligji dhe nuk ka vepruar konform kërkesës së policisë duke pasur vonesa dhe hetim joefektiv.

Tutje tha se në këtë kërkesë, sipas autoritetit kompetent e njëjta nuk e ka pranuar lëndën me urgjencë dhe nuk ka pasur parasysh pasojat e veprës penale, duke dështuar në përmbushjen e detyrave zyrtare që burojnë nga Kushtetuta dhe Ligji dhe se e njëjta ka dëmtuar procesin hetimor, duke kërkuar që ndaj saj të shqiptohet vërejtje jopublike me shkrim.

Kurse, kërkesa e dytë ka të bëjë me shkeljet e konstatuara në vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me rastin e Sebahate Morinës.

Mbështetur në atë se kjo gjykatë ka gjetur se “Policia e Republikës së Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Graçanicë dhe Prokurori i Shtetit, përkatësisht Prokuroria Themelore në Prishtinë, kanë dështuar në përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara me paragrafin 4 të nenit 18 (Detyrimet e Përgjithshme), paragrafin 1 të nenit 50 (Reagim, parandalim dhe mbrojtje të menjëhershme), paragrafin 1 të nenit 51 (Vlerësimi i rrezikut dhe menaxhimi i rrezikut) dhe paragrafin 1 të nenit 55 (Procedimet ex parte dhe ex officio) të Konventës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje”, autoriteti kompetent ka kërkuar që ndaj saj të shqiptohet sanksioni i zvogëlimit të pagës për 50% për një vit.

Lidhur me këto dy kërkesa gjatë këtij takimi, është krijuar vetëm një panel hetimor për trajtimin e tyre.

Kurse, paraprakisht është miratuar rendi i ditës dhe procesverbali i takimit 220-të të KPK-së.

Ndryshe, më 31 mars 2023, IKD ka bërë ankesë disiplinore në pajtim me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjykatësve dhe Prokurorëve ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi dhe prokurores së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Hava Krasniqi.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 22 mars 2023 njoftoi se ka marrë vendim lidhur me kërkesën e dorëzuar nga vajza e të ndjerës Sebahate Morina, përmes të cilit konstatohet shkelja e të drejtës për jetën, e garantuar me Kushtetutë. Kjo kërkesë ishte hartuar nga Qendra për Ndihmë Juridike Falas e Institutit të Kosovës për Drejtësi, në emër të fëmijëve të tani të ndjerës Morina dhe ishte dorëzuar nga vajza e saj Velerda Sopi.

“Gjykata, njëzëri vendosi që kërkesa është e pranueshme dhe konstatoi se Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Graçanicë dhe Prokurori i Shtetit, përkatësisht Prokuroria Themelore në Prishtinë, kanë dështuar në përmbushjen: (i) e detyrimeve të tyre pozitive për mbrojtje të jetës së S.M.-së, të garantuar me paragrafin 1 të nenit 25 [E Drejta për Jetën] të Kushtetutës dhe paragrafin 1 të nenit 2 (E drejta për jetën) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (ii) e detyrimeve të përcaktuara me paragrafin 4 të nenit 18 (Detyrimet e Përgjithshme), paragrafin 1 të nenit 50 (Reagim, parandalim dhe mbrojtje të menjëhershme), paragrafin 1 të nenit 51 (Vlerësimi i rrezikut dhe menaxhimi i rrezikut) dhe paragrafin 1 të nenit 55 (Procedimet ex parte dhe ex officio) të Konventës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Në këtë raport ishin prezantuar gjetjet kryesore dhe shkeljet e institucioneve shtetërore, duke përfshirë edhe rekomandimet për rastin konkret, ku IKD dhe RrGK kishin kërkuar nga KPK dhe Kryeprokurori i Shtetit që të formojë një grup punues për të hartuar një raport lidhur me shkeljet dhe veprimet e ndërmarra lidhur me këtë rast, me ç’rast ky grup punues duhet të ketë qasje në të gjitha shkresat e lëndës, në mënyrë që ta zbardhë këtë rast në tërësi. Si dhe, në mënyrë që këto raste të mos përsëriten, të formohet një grup punues me ekspertë të fushës për të shqyrtuar Procedurat Standarde të Veprimit në secilën Prokurori Themelore lidhur me procedurën e pranimit, trajtimit dhe ofrimit të ndihmës për viktimat e dhunës në familje. Sipas IKD dhe RrGK, ndërmarrja e këtyre veprimeve është e domosdoshme për të parandaluar praktikat ku shteti dështon në ushtrimin e përgjegjësive të tij, ku si rezultat i kësaj, qytetarët e paguajnë me jetën e tyre këtë dështim.

Kurse, IKD më 23 mars 2023 në një konferencë për medie lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me rastin e Sebahate Morinës, theksoi se pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ku vërteton se institucionet i kanë mohuar të drejtën e jetës Sebahate Morinës, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, nuk ka më kredibilitet dhe duhet të japë dorëheqje dhe se të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe prokurori i rastit.

Ndryshe, që nga 14 marsi 2021, kur e ndjera Sebahate Morina u vra nga ish-burri i saj, i cili po ashtu kishte vrarë edhe vetën, institucionet përgjegjëse nuk kishin ndërmarrë kurrfarë masa për ta adresuar përgjegjësinë institucionale në këtë drejtim.

Për më tepër, edhe institucioni i Avokatit të Popullit në fund të muajit prill 2021, ka publikuar Raportin përkitazi me detyrimet pozitive të shtetit për të drejtën në jetë dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, ku ka konstatuar shkeljet nga institucionet përgjegjëse shtetërore në këtë rast.

Të ngjashme