Google ADS

“The Guardian”: Trump shpreson të përfitojë në zgjedhje nga bisedimet Kosovë – Serbi

17:27 | 3 Shtator 2020
Arditë Shkodra

Liderët e Kosovës dhe të Serbisë do të takohen në Shtëpinë e Bardhë të enjten dhe të premten, në një ndërhyrje që është parë si përpjekje për fitore diplomatike për presidentin amerikan Donald Trump që të përforcojë pozitën e tij në fushatën presidenciale, thuhet në një shkrim që mediumi prestigjioz “The Guardian” ia ka kushtuar dialogut Kosovë – Serbi të enjten.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në bisedimet për të cilat Trumpi thotë se çështje primare do të jenë raportet ekonomike mes dy shteteve, por mund të hapin rrugë për marrëveshje më të gjerë.

Qëllimi i bisedimeve “është të ketë zhvillime ekonomike që do të ndryshojnë dinamikën midis klasës politike”, ka thënë një këshilltar i lartë i Trumpit në një bisedë me gazetarët më herët gjatë javës. Ai kishte thënë se s’është ende e qartë nëse Trumpi do të marrë pjesë në takimet – duke sugjeruar se ai do të takojë liderët vetëm nëse nënshkruhet ndonjë marrëveshje.

Kjo shtytje diplomatike e Shtëpisë së Bardhë, e udhëhequr nga i besuari i Trumpit, Richard Grenell, ka zemëruar disa diplomatë evropianë, që kanë thënë se procesit të gjatë të ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian duhet t’i jepet prioritet.

Është shprehur po ashtu frikë se edhe shkëmbimi i territoreve mund të jetë në tavolinë si pjesë e marrëveshjes, që shumë besojnë se do të kishte efekte edhe në pjesët tjera të Ballkanit. Grenelli ka mohuar se një shkëmbim territoresh është duke u konsideruar.

Grenelli, që ishte zgjedhur ambasador në Gjermani dhe më pas edhe ushtrues detyre i inteligjencës kombëtare, kishte marrë po ashtu kritika për taktikat e tij të negocimit. Në prill, kryeministri i shkarkuar i Kosovës, Richard Grenell kishte akuzuar Grenellin se ia kishte montuar largimin ashtu që të prezantonte një sukses diplomatik në vitin zgjedhor.

“Qeveria ime nuk është rrëzuar për asgjë tjetër, por thjesht sepse ambasadori Grenell ishte duke u ngutur të nënshkruante një marrëveshje me Serbinë”, kishte thënë Kurti.

Një takim në Shtëpinë e Bardhë, i planifikuar për qershor, dështoi në minutat e fundit pasi prokurorët në Gjykatën Speciale njoftuan se kanë ngritur aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Njoftimi ishte bërë në kohën sa Thaçi ishte rrugës për Washington.

Tani, dy muaj para zgjedhjeve në SHBA, takimi po bëhet realitet, me theksin te progresi ekonomik.

“Mund të ulemi dhe të vazhdojmë të bisedojmë për çështjet politike që nuk na shpijnë askund, ose mund të bëjmë diçka që presidenti Trump mendon se mund të funksionojë, dhe do ta testojmë nëse funksionon”, kishte thënë këshilltari i Trumpit.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja ishin ndërprerë për dy vjet pasi Kosova vuri taksën ndaj mallrave serbe, por bisedimet rinisën së fundmi. Takimet në Bruksel, përfshirë në nivel ekspertësh dhe nivelin e larët, janë planifikuar për javën e arhdshme.

Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja për normalizim të raporteve mes vendeve mund të përfundojnë së shpejti.

“Të shohim sa kohë na duhet, por po flas për muaj, s’po flas për vite”, ka thënë ai më herët gjatë javës. “Të dyja palët janë të përkushtuara, janë serioze dhe respektojnë njëra-tjetrën”.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen më 3 nëntor. Përballë Trumpit, te Partia Demokratike, kandidat është Joe Biden.

Të ngjashme