“The Guardian”: Britanikët të shqetësuar për ndëshkimet e SHBA-së dhe BE-së ndaj Kosovës

09:14 | 1 Qershor 2023
E.H

Për situatën e tensionuar në veri të Kosovës, ka shkruar edhe “The Guardian”.

Gazeta prestigjioze britanik i ka kushtuar një artikull situatës aktuale në Kosovë, konkretisht tensioneve në veri të vendit si dhe qasjen e SHBA-së dhe BE-së ndaj Kosovës.

“The Guardian” duke u thirrur në burime të saja, shkruan se britanikët kanë shprehur shqetësimin e tyre që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, po e kërcënojnë një aleat me ndëshkim për shkak të mënyrës se si e ka trajtuar zhvillimet e fundit në veri.

Sipas tyre, SHBA dhe BE janë duke bërë gabim.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është i përgatitur të marrë në konsideratë zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës me shumicë serbe, pasi disa burime britanike shprehën shqetësimin se SHBA dhe BE po bëjnë një gabim duke kërcënuar aleatin e tyre me ndëshkim për shkak të trajtimit të përplasjeve të dhunshme nga ana e Kurtit”, shkruan mediumi britanik, transmeton Arbresh.info.

Ata i referohen një ish-ambasadori të Mbretërisë së Bashkuar që sipas “The Guardian” ka deklaruar se se i dërguari i BE-së në Kosovë duhet të qëndrojë mënjanë.

Kjo gazetë citon edhe kryetaren e Komisionit për Punë të jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns e cila ka paralajmëruar SHBA-në kundër ndëshkimit joproporcional të Kurtit.

Tutje “The Guardian” shkruan se diplomatët britanikë kanë frikë se përpjekjet e SHBA-së për të fajësuar Kurtin nuk shqyrtojnë shkakun rrënjësor të ngërçit, përfshirë kërkesën e BE-së që Kurti të pranojë një marrëveshje të arritur në 2013 duke i dhënë autonomi gjithëpërfshirëse një asociacioni të komunave serbe.

“BE-ja u përpoq ta impononte këtë si pjesë e një marrëveshjeje prej 11 pikash në bisedimet në Ohër në Maqedoninë e Veriut në mars, por asnjëra palë nuk e nënshkroi marrëveshjen. BE-ja argumentoi se marrëveshja, duke përfshirë klauzolat e vitit 2013 që siguronin njohjen e nënkuptuar de fakto të Kosovës nga Serbia, përmbushi kërkesën kryesore të Kosovës”, shkruan mediumi britanik.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme