Në një fshat piktoresk të veriut të Kosovës, Marko Gjuriq ktheu një shishe birre dhe buzëqeshi për kamerat. Në vizitën e tij në të njëjtën zonë pak javë më parë, Gjuriq përfundoi i arrestuar nga forcat speciale, u fut në një furgon policie dhe u dëbua pa druajtje a ngurrim.
Këtë herë, i emëruari serb për çështjet e Kosovës u lejua të qëndronte, megjithëse një helikopter fluturonte zhurmshëm mbi kokën e tij për ta mbikëqyrur në çdo hap që hidhte.
Gjuriq ishte në Kosovë, shtet të cilin Serbia ende e konsideron si provincë të sajën, për të vizituar një fabrikë prodhimi birrash, që është emëruar në nder të një prej betejave (të Gazimestanit) mesjetare, çelësi i lidhjes emocionale të Serbisë me Kosovën. Ai vizitoi edhe një resort turistik në ndërtim e sipër, për t’u kujdesur për pelegrinët serbë drejt manastirit të Banjskas të shekullit të XIV.
“Është detyra ime të jem këtu dhe jam krenar që jam në krah të popullit tim”, tha Gjuriq përpara turmës së mbledhur të ekipeve televizive. “I ftoj të gjithë serbët të vijnë këtu pa paragjykime dhe të vizitojnë vendet e tyre të shenjta këtu në Kosovë dhe Metohi”, deklaroi më tej ai, duke përmendur emrin serb për provincën, që realisht ka shpallur Pavarësinë prej një dekade tashmë, transmeton TCH.
Afro dy dekada pasi forcat serbe u detyruan të tërhiqeshin nga Kosova, në vitin 1999, pas fushatës së sulmeve ajrore të udhëhequra nga NATO kundër Sllobodan Millosheviqit, e një dekadë pasi Kosova shpalli Pavarësinë, çështja më e ndjeshme e vendit është pikërisht fati i serbëve të mbetur aty, si dhe statusi politik i zonave ku ata jetojnë.
Rapresaljet nga luftëtarët shqiptarë të Kosovës pas goditjes së Millosheviqit ndaj popullsisë shqiptarë në vitet ’90, të pasuara nga Pavarësia, sollën për pasojë një largim masiv të serbëve, të cilët tashmë përbëjnë rreth 5% të popullsisë prej 1.8 mln banorësh të Kosovës.
Bazuar në marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel në vitin 2013, qeveria kosovare supozohej të formonte të ashtuquajturën Asociacion të Komunave me shumicë serbe, gjë që do t’i ingranonte zonat me shumicë serbe nën sistemin juridik të saj, por që do t’u jepte atyre edhe një zë kolektiv. Beogradi dhe Prishtina janë ende duke u përplasur mbi formatin përfundimtar të Asociacionit, edhe pse po përparojnë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve dhe shoqërimin e kësaj me një të ardhme drejt Bashkimit Europian për të dyja vendet.
Avni Arifi, shefi i stafit të kryeministrit të Kosovës tha se garancitë kulturore dhe përfaqësimi politik i serbëve janë mishëruar tashmë në Kushtetutën e vendin, ndaj akuzoi Beogradin se po përpiqej të krijonte “kalin e Trojës”, ngjashëm me Republikën Serbe, entitet serb autonom brenda kufijve të Bosnjes.
“Ata po na kërkojnë t’u japim diçka më shumë, por gjithçka mund të marrin është falja, pasi s’ka mbetur gjë tjetër për t’u marrë”, shprehet Arifi.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq pretendoi javën e kaluar se Kosova s’ka bërë asnjë përpjekje për implementimin e premtimeve të ndërmarra prej saj. Vuçiq ka punuar me qarqet diplomatike në përpjekje për të fituar mbështetje për lëshimet që i duhen bërë Serbisë, detajet e të cilave mbeten ende të paqarta, e gjithashtu për të përgatitur opinionin publik vendas mbi kompromise potencialisht të dhimbshme.
Një nga sugjerimet e Beogradit, përmendur gjithnjë e më shpesh në media, është ndarja përgjatë lumit Ibër, me veriun e Mitrovicës që t’i kalojë Serbisë, në shkëmbim të rajoneve me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.
“Të gjithë serbët e mendojnë këtë si një nga zgjidhjet”, tha Vuçiq, teksa refuzoi të komentonte nëse ky është një objektiv specifik gjatë negociatave mes dy vendeve.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërkohë e ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike këtë opsion.
“Nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Padyshim që s’do të ketë këmbim territoresh”, ka thënë ai.
Edhe diplomatët e vendeve perëndimore e kundërshtojnë fuqishëm këtë gjë, pasi do të krijonte një precedent për territore të tjera të diskutueshme në Ballkan. Veç kësaj, shumë serbë jetojnë ende në enklavën jugore të lumit Ibër, Graçanicë, vetëm pak kilometra nga Prishtina. Një portret i madh i Vuçiqit dominon në sheshin kryesor të këtij qyteti, ku janë ngritur edhe flamujt serbë. Dinari serb, sikurse edhe euroja janë monedhat zyrtare atje. Manastiri ortodoks i Graçanicës, i ngritur në vitin 1321, është mbushur plot me afreske të skenave biblike, më e rëndësishmja nga të gjitha interpretimi i “Gjyqit të Fundit” i kompletuar me mëkatarët që digjen.
Janë pikërisht manastiret mesjetare të Kosovës që krijojnë ndjenja emocionale te shumë serbë, të cilët e konsiderojnë atë si zemrën e kombit dhe besimit të tyre.
Këtu, forcat policore ofrojnë një dritë tejet të vakët shprese për ata që do të dëshironin të shihnin një Kosovë të integruar, shumëetnike. Nga oficerët që ndodhen në stacionin policor të Graçanicës, 41 janë serbë dhe 12 janë shqiptarë.
Svetlana Kapetanoviq, a një police femër e etnisë serbe, e cila flet shumë mirë shqip, thotë se gjatë viteve të fundit incidentet me motive etnike kanë qenë ekstremisht të rralla, teksa pjesën më të madhe të punës së tyre ua dedikojnë krimeve të vogla. Oficerët mbajnë veshur uniforma me flamurin e Kosovës, në kontrast të thellë me flamujt serbë që valëviten në qytet.
Kapetanoviq tha se kishte vendosur të mësonte shqipen pas një incidenti në fillim të karrierës së saj në polici, në vitin 2003, kur ajo u thirr së bashku me një grup oficerësh shqiptarë për një incident të dhunshëm të ndodhur në qytet, ku ishte përfshirë edhe një grua e re shqiptare.
“Unë isha e vetmja oficere femër në atë rast, vajza më shihte sikur donte të komunikonte diçka me mua, pa ia thënë atë edhe oficerëve meshkuj. E shihja që ajo donte ndihmë prej meje, unë doja të komunikoja me të, por nuk mundesha të flisja shqip, as ajo serbisht. Dyshoja që ajo të ishte përdhunuar dhe ia raportova atë komandantit tim. Më vonë rezultoi se kisha pasur të drejtë. Ishte pikërisht ai rast që më bëri të kuptoja se duhej të mësoja shqip”, thotë Kapetanoviq.
Si një folëse e mirë e shqipes, Kapetanoviq konsiderohet si një “serbe e rrallë”. Edhe pse ekziston ende një brez i tërë i shqiptarëve të Kosovës që e kuptojnë serbishten, mes të rinjve kjo është gjithnjë e më e rrallë. Fëmijët në shkollat serbishtfolëse, të cilat kanë një kurrikulim të imponuar nga Serbia, nxënësit nuk mësojnë shqip, sikurse edhe e kundërta.
“Për fat të keq, kemi ende situata të tilla ku serbët dhe shqiptarët bëjnë jetë ndarazi”, thotë Dalibor Jevtiq, zv.kryeministri serb, që flet edhe shqip.
Ndërkohë që e zbeh çështjen e pikëpamjeve të tij mbi statusin e Kosovës, Jevtiç thotë se të gjitha palët duhet të kenë një qasje konstruktive mbi çështjen e gjuhës.
Edhe pse partia e tij “Lista Serbe” ka lidhje të ngushta me Beogradin, ai thotë se nuk i takon Serbisë t’u thotë serbëve të Kosovës sesi të jetojnë.
“Plot 90 për qind e serbëve që jetojnë në Serbi nuk kanë qenë kurrë në Kosovë. Ata nuk e kuptojnë mënyrën tonë të jetesës dhe nuk e marr seriozisht kur më thonë sesi duhet ta jetoj jetën time me fqinjët e mi”, thotë ai.
Megjithëse shumica e serbëve të Kosovës janë ende të shqetësuar nga ideja e Pavarësisë, shumë prej tyre konsiderojnë tashmë papunësinë dhe diskriminimin ekonomik si kërcënime më të rëndësishme sesa tensionet etnike. Ata janë gjithashtu të ndarë brenda komunitetit të tyre, ilustruar qartësisht kjo nga vrasja në janar e Oliver Ivanoviçit, një politikani serb të Kosovës që kundërshtonte “Listën Serbe”, e cila dominon skenën politike të serbëve në këtë vend. Ivanoviç u qëllua për vdekje në Mitrovicën e ndarë mes pjesës veriore serbe dhe atë jugore të shqiptarëve nga lumi Ibër. Askush nuk është arrestuar për atë krim.
“Sigurisht nuk ndihesh i sigurtë të flasësh lirshëm në këtë qytet, por le të themi se atë nuk e kanë vrarë shqiptarët”, ka thënë Marko Jakshiq, një ndihmës politik i Ivanoviçit, gjatë një interviste në Mitrovicën Veriore.
Disa serbë të Kosovës thonë se Beogradi dhe Prishtina janë po aq irrituese kur përpiqen të përdorin vështirësitë e tyre për të fituar sa më shumë pikë. Vizitat e profilit të lartë në Kosovë nga Gjuriç e të tjerë shpesh konsiderohen se bëhen për sytë e publikut në Serbi, sesa për materializimin e përmirësimit të kushteve të serbëve në Kosovë.
“Për Beogradin, Kosova është thjesht një çip pokeri që luhet në rrugën e Serbisë drejt integrimit në BE, Vuçiq dëshiron ta luajë atë, ndërsa Gjuriç duket si një mjet qetësues, për të na i bërë gjërat më të lehta”, thotë Jakshiq.
Ish-udhëheqësit e UÇK-së, letër trupit gjykues: Ruani paansh...
Lewandowski në kërkim të golit të 100 në Ligën e Kampionëve
Trump ashpërson tonin dhe vendimet, rrit tarifat ndaj Kinës,...
“Jam shumë pishman që të kam dhënë mundësi”, Xheneta diskuto...
Kurti mori pjesë në akademinë përkujtimor dhe në ceremoninë ...
Nis me tensione protesta e opozitës