Google ADS

Thaçi takoi Lushtakun dhe Mustafën para se të nisen në Hagë, i quan heronj kombëtarë të luftës

16:16 | 13 Janar 2019
Arbresh.info

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se shkuarja në Hagë për intervistimin e gjeneralëve të UÇK-së, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, dëshmon edhe njëherë drejtësinë e luftës së popullit të Kosovës dhe UÇK-së.

Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ka besim të plotë në vlerat sublime për të cilat kanë luftuar ai dhe bashkëluftëtarët tjerë.

Postimi i plotë i Thaçit:

“Jam i vetëdijshëm se shumë padrejtësi nuk e kanë marrë përgjigjen, as nga drejtësia vendore, as nga ajo ndërkombëtare: si vrasja nga shteti serb e 13,500 civilëve shqiptarë, kryerja e 400 masakrave, dhunimi i 20 mijë grave shqiptare, mijëra shqiptarë ende të pagjetur, spastrimi etnik i mbi një milion shqiptarëve.

Por, e them me bindje të plotë se krimet nuk vjetrohen dhe përgjegjësit do të dalin para drejtësisë.

Kosova beson në pastërtinë e luftës së UÇK-së, beson në drejtësi.

Shkuarja për intervistim e gjeneralëve të UÇK-së, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, eprorëve dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, dëshmon edhe një herë fisnikërinë dhe drejtësinë e luftës së popullit të Kosovës dhe UÇK-së.

Si bashkëluftëtar i juaj dhe president i vendit, kam besim të plotë në vlerat sublime për të cilat kemi luftuar. Bashkërisht i fituam shumë beteja, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Bashkërisht me krenari do t’i fitojmë edhe sfidat e radhës.

Shembulli i juaj për t’iu përgjigjur ftesës së Dhomave të Specializuara dëshmon më së miri se luftëtarët e lirisë së Kosovës nuk i lëkund asnjë lloj pretendimi stigmatizues. Të gjithë të ftuarit e tjerë për intervistim edhe një herë i ftoj t’i përgjigjen pozitivisht ftesave nga Dhomat e Specializuara.

Në kohën e kanosjes ekzistenciale, ju, me guximin dhe dijen tuaj, të pamundurën e bëtë të mundur, ëndrrën realitet.

Ju jeni heronjtë kombëtarë të luftës, prandaj të tillë do të mbeteni gjithmonë për institucionet dhe popullin e Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Ish komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku dhe Rrustem Mustafa -Remi janë nisur sot për në Hagë nga Aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari”, ku do të intervistohen nga Prokuroria Speciale në Hagë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme