Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha të martën mbrëma se takimi i paralajmëruar i së enjtes në Bruksel për çështje teknike është i rrezikshëm për shtetin e Kosovës.
Ai i bëri këto komente në prag të takimit të radhës të grupeve të ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë më 17 shtator në Bruksel, ku pritet të diskutohet cështja e Asociacionitë të komunave me shumicë serbe dhe çështja e pronave.
“Çdo agjendë qoftë për asociacion, qoftë për prona, apo çështje tjera, që janë çështje që janë diskutuar nga dy–tri herë, për mua është kthim prapa për Kosovën, është agjendë e Serbisë që procesin e çon drejt një degjenerimi të plotë dhe tendenca të dobësimit të shtetit të Kosovës. Asociacioni është diskutuar dhe duhet të jetë në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 dhe opinionet që ka dhënë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, kështu që rihapja e çështjes së asociacionit përsëri në Bruksel, përsëri pas një dekade është rikthim prapa për Kosovën, është goditje për shtetësinë e Kosovës dhe cenim i sovranitetit e me rrezik për krijimin e Republikës Serbe në Kosovë”, tha presidentit Thaçi.
Ai i bëri thirrje parlamentit të Kosovës që të jetë, siç tha, i vëmendshëm për marrëveshjen që lidhet me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Këtë të drejtë nuk e ka askush as të ulet të diskutojë as të negociojë e lërë të pretendojë të arrijë ndonjë marrëveshje të re për Asociacionin. Gjithçka ka përfunduar në vitin 2013 dhe me opinionin e Gjykatës Kushtetuese që gjithçka që mund të realizohet, mund të realizohet në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kështu që takimi i së enjtes është i rrezikshëm për shtetin e Kosovës dhe është agjendë e Serbisë”, tha ai.
Presidenti Thaçi tha se normalizimi politik dhe njohja e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të ndodh vetëm në Shtëpinë e Bardhë dhe nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumice serbe është pjesë e marrëveshjeve të arritura në prill të vitit 2013 në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Çështja e asociacionit ishte pjesa më e vështirë e bisedimeve për shkak të qëndrimeve të ndryshme të palëve. Autoritetet në Prishtinë thonë se komunat mund të ndihmojnë njëra tjetrën në fushat e shëndetësisë, arsimit, zhvillimit ekonomik e të ngjashme.
Serbia kërkon që ky mekanizëm të krijohet sipas marrëveshjes së arritur në vitin 2015, që parasheh përgjegjësi të gjera në disa fusha, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Serbia kërkon ndryshime në Kushtetutën e Kosovës për të mundësuar kalimin e më shumë përgjegjësive ekzekutive tek asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Por, Kosova kundërshton çdo ndryshimi që do t’i mundësonte përgjegjesi ekzekutive një asociacioni të tillë./Arbresh.info/
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...
Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit në T...
Asociacioni “Klubet Sportive Prishtina” emëron bordin dhe kr...
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...