Thaçi shpalosi projektligjin për ushtrinë para syve të ambasadorit Delawie

14:44 | 20 Mars 2017
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi edhe sot e ka ripërsëritur transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Ai duke folur në hapjen e Javës së Gruas, tha se transformimi i FSK-së, Demarkacioni me Malin e Zi dhe integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian janë të domosdoshme.

Në prani të ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili ka kundërshtuar formimin e ushtrisë me nisma ligjore, presidenti tha se ushtrinë e kanë mirëpritur shumica absolute në Kosovë, përveç vërejtjeve të miqve të Kosovës për metodologjinë dhe kronologjinë.

 

“Jam i vetëdijshëm se kjo temë dhe kjo nismë ka sjellë një debat interesant. Shumica absolute e kosovarëve si shumica, ashtu edhe të etnive jo shumicë e kanë përkrahur këtë propozim, por i kemi pranuar edhe një sërë vërejtjesh nga miqtë e Kosovës dhe kontribuuesit kryesor të lirisë dhe pavarësisë sonë. Jam i lumtur që vërejtjet nuk kanë të bëjnë me të drejtën tonë që të kemi ushtri apo të mos e kemi, atë jemi të sigurt për të ardhmen e sigurt të fëmijëve tanë, por vetëm për metodologjinë dhe kronologjinë e hapave. Draft ligji që e kam dërguar për FSK-në është i bazuar në një proces reformimi të arkitekturës të sigurisë në Republikën e Kosovës që ka filluar që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe që ka rezultuar rekomandimin e themelimit të ushtrisë në vitin 2014”, deklaroi Thaçi.

Ai shtoi se Kosova nuk është kurrë e sigurt 100 përqind derisa të njihet e pavarur dhe sovrane nga të gjithë fqinjët e saj. Sipas Thaçit, Kosova nuk e ka pranuar dokumentin e presidentit Ahtisari dhe nuk është draftuar Kushtetuta që ajo ta bllokojë Kosovën në progres apo që dikush të ven veto mbi sigurinë dhe të ardhmen e Kosovës. Sipas tij, transformimi i FSK nuk do të bëhet për një ditë apo me një ligj, por ky është një proces që do të zgjatë me vite të tëra. Thaçi shprehu bindjen e mbështetjes së SHBA-ve dhe NATO-së në këtë projekt.

 

“Transformimi i FSK nuk është një produkt që bëhet për një ditë apo me një ligj, ky është një proces që do të zgjatë me vite të tëra. Ne po flasim për një fillim të një procesi gjithëpërfshirës, gradual, dhe të kujdesshëm, nuk kemi para për të shpenzuar kot, as kohë nuk kemi për të shpenzuar, sepse tepër kemi shpenzuar, andaj, duhet të lëvizim përpara dhe jam i bindur që me ndihmën e SHBA-ve dhe NATO-së do të lëvizim për para”, theksoi Thaçi.

Ai ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare për t’i bërë presion Beogradit zyrtar që Lista serbe të mos i bojkotoj institucionet Kosovës dhe të jetë peng i proceseve. Thaçi tha se nëse Lista Serbe nuk kthehet në Kuvend, Kosova ka planin B për ushtrinë.

 

“Natyrisht se bashkësia ndërkombëtare duhet të ushtroj një presion pozitiv në Beogradin zyrtar që mos e frenoj perspektivën e Kosovës dhe që të nxjerr këshillat e duhura për Listën Serbe të Kosovës që mos të jetë pjesë e projektit apo nxitjes së projektit për bojkot, por të jetë pjesë e angazhimeve për votim në Kuvendin e Republikës se Kosovës. Ne e ndajmë të njëjtin qëllim dhe vizion më SHBA-të dhe me NATO për themelimin e Forcave të Armatosur atë Kosovës. Natyrisht se ka opione se a duhet të lëvizet me ligj apo përmes ndryshimeve kushtetuese, edhe ne favorizojmë ndryshimet kushtetuese, por nuk do të mbesim peng të disponimit të Beogradit, nëse kjo e fundit nuk ndikon në kuptimin pozitiv te lista serbe, ne do të lëvizim me planin B… Të gjithë atë që e kam deklaruar qëndrojë 100 përqind”, deklaroi Thaçi.

Presidenti i vendit ka folur edhe për dialogun me Serbinë, Komisionin për pajtim dhe ndërtimin e raporteve për fqinjësi të mirë, si dhe për reformën zgjedhore në Kosovë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme