Thaçi priti kongresmenin Nunes: Prezenca e SHBA-së në Ballkan qenësore për paqen

12:57 | 31 Korrik 2017
Arbresh.info

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në takim kongresmenin Devin Nunes, kryesues i Komitetit të Inteligjencës në Kongresin amerikan dhe George Pappas, këshilltar i lartë në Komitetin e Inteligjencës, i shoqëruar nga ambasadori amerikan, Greg Delawie.

Presidenti Thaçi ka falënderuar kongresmenin Nunes për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën.

“Jemi partnerë dhe miq, kemi marrëdhënie të veçantë, sepse ndajmë dhe angazhohemi për të njëjtat vlera”, u shpreh Thaçi.

Presidenti Thaçi gjithashtu u shpreh se Kosova në vetëm një dekadë si shtet ka arritur suksese të mëdha në ndërtimin e institucioneve demokratike, ekonomisë dhe sundimit të ligjit.

“Nënshkrimi i MSA-së dhe marrja e statusit të vendit kandidat për MCC janë konfirmim i këtyre të arriturave të Kosovës”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi më tej tha se Kosova është faktor stabiliteti në rajon dhe konfirmoi përkushtimin e Kosovës për paqe dhe stabilitet.

“Jemi të pakompromis në luftimin e radikalizmit dhe terrorizmit”, u shpreh Thaçi.

Presidenti në fund theksoi se prezenca amerikane në Ballkan është qenësore për paqen, zhvillimin dhe integrimin e rajonit.

Kongresmeni Nunes u shpreh se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajonin e Evropës Juglindore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme