Google ADS

Thaçi: Po punohet në implementimin e kritereve për transfomimin e FSK-së në Ushtri

18:18 | 27 Tetor 2017
M. A.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot Zëvendës Sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Rose E. Gottemoeller, me të cilën bisedoi për thellimin e bashkëpunimit në mes Kosovës dhe NATO-s dhe për rolin e Kosovës si faktor paqe e stabiliteti në rajon.

Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova i është gëzuar anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe e mirëpret mundësinë që edhe Maqedonia të hyjë sa më parë në NATO.

“Sa më parë rajoni ynë bëhet pjesë e NATO-s, aq më e qëndrueshme do të jetë paqja në rajon”, u shpreh presidenti Thaçi, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Duke folur për transformimin e FSK-së, presidenti Thaçi u shpreh se po punohet në implementimin e të gjitha kritereve që duhet plotësuar që FSK të transformohet në Forcat e Armatosura të Kosovës.

“Jemi duke zhvilluar një proces gjithë-përfshirës të konsultimeve dhe të informimit. Do të shterim të gjitha mundësitë që transformimi të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve të Kosovës”, u shpreh Thaçi.

Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme Gottemoeller u shpreh se NATO mbetet e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajon dhe shtoi se KFOR do të qëndrojë në Kosovë për aq gjatë sa të jetë e nevojshme.

Presidenti Thaçi u shpreh se roli i NATO-s në Kosovë dhe rajon është i pazëvendësueshëm por duhet të punohet edhe që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme