Google ADS

Thaçi: Përpjekjet për të njollosur luftën tonë, përpjekje për të dëmtuar ndërhyrjen e NATO-s

22:32 | 16 Korrik 2020
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas intervistimit në ditën e katër nga Gjykata Speciale, është shprehur i lumtur që ka arritur të japë shpjegimit për të gjithë veprimtarinë e tij gjatë luftës.

Ai thotë nëse bëhet vlerësimi në mënyrë të paanshme, atëherë mund të konkludohet se nuk ka kryer asnjë lloj krimi ose shkeljeje të  pretenduar, transmeton portali arbresh.info.

Kjo është e plotë deklarata e Thaçit:

Sapo përfundova dëshminë time para prokurorit të Dhomave të Specializuara. Më vjen mirë që për katër ditë rresht, pata mundësinë të jap shpjegimet e mia për të gjitha çështjet që lidhen me veprimtarinë time gjatë luftës dhe përpjekjet e mia për paqen pas luftës. Gjatë këtyre katër ditëve, jam përpjekur të sqaroj dhe jap informacion për rolin tim, përgjegjësitë e mia gjatë periudhës së mbuluar nga mandati i Gjykatës Speciale. Përkundër faktit që dëshmia ime zgjati shumë, konsideroj se kemi pasur një seancë prodhuese. Tani i takon prokurorit dhe gjykatësit të vlerësojnë dëshminë time në mënyrë të paanshme dhe me një mendje të hapur. Në rast se ata e bëjnë këtë në një mënyrë profesionale, të paanshme dhe të ndershme, ata lehtë mund të konkludojnë se unë nuk kam kryer asnjë lloj krimi ose shkelje të pretenduar. Në çdo rast, më lejoni të theksoj se lufta jonë ishte e drejtë, sepse ishte një luftë për liri. Pikërisht sepse ishte një luftë e drejtë, ne fituam mbështetjen e botës demokratike, përkatësisht të NATO-s. Përpjekjet për të rishkruar historinë, përpjekjet për të njollosur luftën tonë të drejtë, janë gjithashtu përpjekje për të dëmtuar ndërhyrjen humanitare të NATO-s në Kosovë. Por e vërteta jonë e dhimbshme dhe krenare është e pastër dhe askush nuk mund ta ndryshojë historinë tonë./arbresh.info/


Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme