Google ADS

Thaçi për takimin e 27 qershorit me palën serbe: Kosova do të ketë rezultate konkrete

10:39 | 16 Qershor 2020
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka quajtur hap të rëndësishëm takimin me palën serbe që pritet të mbahet në fund të këtij muaji.

Thaçi në një konferencë për medie ka thënë se Kosovën e presin investime të shumta pas stabilitetit politik në rajon, shkruan arbresh.info.

“Institucionet e Kosovës pas ftesës së SHBA-së, për të vazhduar dialogun në Shtëpinë e Bardhë i janë përgjigjur pozitivisht dhe mirëpresin këtë hap të rëndësishëm dhe vendimtar. Me besim të plotë se është koha të shkojmë përpara si shtet por edhe për paqen në rajon. SHBA por edhe aleatët tjerë të përbashkët janë të gatshëm të investojnë në Kosovë, por parakusht është stabiliteti politik edhe i rajonit. Kjo e bënë edhe më të rëndësishëm procesin e dialogut mes dy vendeve që ende vazhdojnë të mbesin armiqësore”, ka thënë ai.

I pari i vendit është shprehur i bindur se Kosova do të ketë rezultatet konkrete në këtë takim.

“Shpresa për takim në Shtëpinë e Bardhë rrit shpresën dhe optimizmin se ky proces do të ketë sukses sepse e ka mbështetjen e qartë të SHBA-ve. Jam i bindur se do të ia dalim me sukses dhe do të kemi rezultate konkrete. Kosova nuk ka kohë për të humbur, nuk ka kohë për stagnim e as për hezitim”, ka shtuar ai.

Ndryshe presidenti i vendit, Hashim Thaçi bashkë me kryeministrin Avdullah Hoti, do ta përfaqësojnë Republikën e Kosovës në Shtëpinë e Bardhë në takimin e 27 qershorit me palën serbe./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme