Pak ditë pasi shpërtheu debati për mbulimin e Skënderbeut në Tiranë, gjatë faljes së namazit të Bajramit, ka ardhur reagimi i Presidentit Hashim Thaçi.
Shefi i shtetit qëndrimin rreth kësaj çështjeje ka zgjedhur ta bëjë publik, në fjalimin e tij, gjatë shugurimit të Katedrales Shën Tereza në Prishtinë.
Për dallim nga Thaçi, asnjë prej liderëve në Tiranë e Prishtinë, nuk ka reaguar ndaj veprimit të Bashkësisë Islame të Shqipërisë.
“Me këtë rast me lejoni të ripërsëris faktin se jemi krenar se nga populli ynë dolën dy figura të mëdha Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Nëna Terezë. Nuk ka beze as pëlhurë te bardh ose të zezë që mbulon madhështinë kombëtare dhe civilizuese të Gjergj Kastriotit” ka thënë ndër të tjera Thaçi.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë fjalimin e Presidentit.
Hirësia juaj, Kardinal Troshani, i dërguari i posaçëm i Papa Françeskut,
Shkëlqesia juaj, Imzot Julius Janush,
Imzot Dodë Gjergji,
I nderuari Kryeministër,
Të nderuar ambasadorë dhe zyrtarë,
Të nderuar qytetarë,
Zonja dhe zotërinj,
Së pari, më lejoni t’ju shpreh urimet e mia më të sinqerta për këtë meshë të shugurimit të Katedrales Nënë Tereza.
Kjo katedrale është shtëpi e Zotit, por është edhe shtëpi e qytetarëve të Kosovës.
Ndihem shume krenar që qysh në verën e vitit 1999, pak ditë pas përfundimit të luftës në një bisedë me komunitetin katolik të shqiptarëve të Amerikës hodhëm idenë e ndërtimit të Katedrales në Prishtinë.
Bashkërisht vumë gur themelin e inauguruam Katedralen dhe sot jemi bashkë në shugurim.
Tradita jonë popullore kurrë nuk ka bërë ndarje në mes të kishës, xhamisë, manastirit apo teqesë.
Me shekuj të tërë myslimanë e katolikë kanë vizituar teqetë e njohura për të gjetur shërim për sëmundje apo halle, dhe me shekuj të tërë myslimanë e të krishterë kanë shkuar në kishë për të gjetur përgjigje për hallet e tyre.
Uroj që kjo katedrale për sot e përjetë të qëndrojë si shtyllë e qytetarëve të Prishtinës dhe të Kosovës, t’ju përkujtojë fëmijëve tanë dhe gjithë gjeneratave që vijnë se kush ishte Shën Tereza.
Rrëfimi i Shën Terezës së Prizrenit, Shkupit, Letnicës dhe Kalkutës është rrëfimi më i rëndësishëm i historisë tonë.
Paramendojeni një grua, e lindur në Ballkan në vorbullat e thyerjeve të epokave, kur nuk dihej se cila perandori do ta merr me dhunë Kosovën – e cila gjeti një inspirim hyjnor.
E gjeti një inspirim në këtë tokë, me këta njerëz, në këtë nën qiell.
Inspirimi i saj ishte që të përballojë të gjitha vështirësitë dhe të fokusohet tek hallet e njerëzimit.
Jo vetëm njerëzimi në aspektin global, por njerëzimin që ka çdo njeri në vetvete. Shën Tereza jonë thoshte: “Nëse gjykojmë njerëzit, nuk kemi kohë t’i duam ata.”
Dhe në zemrën e saj gjeti dashuri për krejt botën.
Pra, një grua e këtij nënqielli, një vajzë, motër dhe një NANË e tokës shqiptare pat zemrën e madhe për tërë botën.
Hirësia e Juaj, Kardinal Troshani – ju vetë keni përjetuar të keqen, mëkatet e njerëzve dhe keni mbijetuar, dhe ja sot jeni me motrat dhe vëllezërit tuaj të Kosovës që ta festojmë shugurimin e Katedrales Shën Tereza.
Them festojmë se kjo ditë e bekuar sot dhe ky shugurim është festë e dashurisë së Nënës Terezë.
Është përkujtim për të gjithë ne se dashuria gjithmonë fiton, se ai që është i shkelur, ai që është duke vuajtur gjithmonë do të gjejë dritën, dashurinë dhe paqen.
Uroj që kjo shtëpi të jetë fanar i dritës dhe burim i dashurisë për njëri tjetrin.
Ju ftoj Hirësi Kardinal Troshani që këtë dashuri që e ndjejmë sot ta ndani edhe me Atin e Shenjtë, Papa Franceskun.
Të rrëfeni për tolerancën që kemi e që është shtyllë e vlerave tona.
Të rrëfeni për popullin e Kosovës që ka refuzuar urrejtjen, ka refuzuar gënjeshtrën që jemi të pazotë dhe të paaftë.
U shkelëm me shekuj por e ruajtëm thelbin tonë, të bartur nëpër shekuj e gjenerata me priftërinj e imamë që nuk shikuan kishën e xhaminë por shikuan popullin si burim të inspirimit hyjnor të tyre.
Shën Ignaciusi, i rendit të Jezuitëve, prej nga na vjen edhe Ati i Shenjtë, e ka lënë thënie se: “Dashuria vërtetohet me vepra e jo me fjalë.”
Shën Terezë e ka vërtetuar këtë thënie me veprën e saj të kujdesit për tërë njerëzimin.
Populli ynë ka vërtetuar këtë thënie me veprën sublime, luftën për liri dhe drejtësi.
Lufta jonë nuk ishte luftë e territorit por betejë për të qenë të barabartë, betejë për ekzistence dhe për të qenë pikë së pari njerëz, ashtu siç e ka paramenduar Zoti njeriun.
Me vjen mirë që gjatë këtij muaj do të kem mundësi ti rrëfej Papa Franceskut në takim për zotimet dhe të arriturat e popullit të Kosovës, se në Kosova po ngadhënjen dialogu, toleranca e vërteta dhe pajtimi ndëretnik, normalizimi dhe paqja ndërmjet Republikës se Kosovës dhe Serbisë.
Kjo katedrale u ngrit me djersën e popullit, diasporës, besimtarëve shqiptarë por edhe dashamirësve nga mbarë bota, katolikë, myslimanë e hebrenj – prej kongresmenëve nga Amerika e largët deri tek qytetari që ka dhënë qindarkën e fundit për këtë Shtëpi të Zotit.
Kjo katedrale është jo vetëm tempull fetar por edhe një rrëfim i historisë sonë.
Me këtë rast me lejoni të ripërsëris faktin se jemi krenar se nga populli ynë dolën dy figura të mëdha Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Nëna Terezë. Nuk ka beze as pëlhurë te bardh ose të zezë që mbulon madhështinë kombëtare dhe civilizuese të Gjergj Kastriotit.
Atletit të krishterimit.
Mua nuk më takon të them më shumë fjalë pos të ju uroj:
Zoti e bekoftë Katedralen e Shenjtores Nënë Tereza.
Zoti e bekoftë popullin që ngriti këtë shpi të madhe të dashurisë,
Zoti e bekoftë Kosovën.
Ju faleminderit
Për dallim nga Thaci, asnjë prej liderëve në Tiranë e Prishtinë, nuk ka reaguar ndaj veprimit të Bashkësisë Islame të Shqipërisë.
“Me këtë rast me lejoni të ripërsëris faktin se jemi krenar se nga populli ynë dolën dy figura të mëdha Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Nëna Terezë. Nuk ka bezë as pëlhurë te bardh ose të zezë që mbulon madhështinë kombëtare dhe civilizuese të Gjergj Kastriotit” ka thënë ndër të tjera Thaçi./arbresh.info/
Xhensila uron 28 Nëntorin me një foto të veçantë
“Mora fjalë” gjëmon në shtëpi, banorët e këndojnë njëzëri
Duka: Fati nuk ishte në anën tonë në këto ndeshje të UEFA Na...
Pacolli flet për herë të parë se si u njoh me Naim Murselin
Specialja nesër me urdhër për zhdëmtimin e viktimave në rast...
Kosova konfirmohet në vazon e katërt për kualifikimet në Kup...