Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se Komisioni Evropian ka qenë i padrejtë me Kosovën dhe se qytetarët e Kosovës janë duke humbur besimin se ky Komision mund të ketë ndonjë agjendë pozitive për Kosovën.
Në një intervistë për gazetën gjermane “Der Standard”, Thaçi ka thënë se është absurde që studentët dhe biznesmenët që duhet të udhëtojnë të pengohen nga ushtrimi i të drejtës së tyre, shkruan arbresh.info.
Më poshtë keni intervistën e tij të plotë.
Standardi: Ju keni propozuar që kosovarët të pajisen me nënshtetësi të Shqipërisë. Pse, në të vërtetë? Pse?
Presidenti Thaçi: Kosova është lënë në izolim, ende nuk ka liberalizim të vizave. Propozimi im është në pajtim të plotë me ligjet e Kosovës dhe të Shqipërisë. Ata kanë të drejtën e dyshtetësisë, ashtu siç kemi edhe ne. Është me të vërtetë një absurditet që studentët dhe njerëzit e biznesit që kanë nevojë të udhëtojnë, të pengohen nga ushtrimi i të drejtës së tyre elementare. Komisioni Evropian ka qenë i padrejtë ndaj Kosovës. Prandaj, qytetarët janë duke humbur besimin që Komisioni Evropian mund të ketë ndonjë agjendë pozitive për Kosovën.
Standard: Nëse ka liberalizim të vizave, atëherë kosovarët nuk do të kenë nevojë për shtetësi shqiptare. Apo ju dëshironi që, pavarësisht kësaj çështjeje, të gjithë kosovarët të pajisen me shtetësi shqiptare?
Thaçi: I mbetet kosovarëve të vendosin nëse dëshirojnë dyshtetësi apo jo. Por, nëse Komisioni Evropian vazhdon me këtë izolim, madje edhe duke e dënuar Kosovën, atëherë ka mundësi që të ndodhi kjo. Kosova ka përmbushur plotësisht 94 nga 95 kriteret për liberalizim të vizave. Ne kemi qenë lojalë, por përmbushja e këtyre kritereve nuk është shpërblyer nga Komisioni Evropian. Komisioni Evropian është i fokusuar vetëm në Serbi dhe është i shqetësuar vetëm për Serbinë, por jo edhe për shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. BE-së i duhet lidership kur janë në pyetje politikat e integrimit dhe të zgjerimit.
Standard: Për liberalizmin e vizave ende nuk është ratifikuar marrëveshja kufitare me Malin e Zi. Vetëm kur kjo të ndodhë, Kosova do të ketë një shans për të marrë një liberalizim.
Thaçi: Kosova dhe Mali i Zi janë partnerë strategjikë dhe kanë marrëdhënie të shkëlqyera. Demarkacioni nuk është një mosmarrëveshje midis Kosovës dhe Malit të Zi, por një çështje e brendshme politike këtu në Prishtinë. Ne kemi qenë të befasuar kur Komisioni Evropian e ka vendosur atë si kusht. Por, ratifikimi i demarkacionit nga një kusht u shndërrua në një kurth për Kosovën.
Standard: Pra, nuk mendoni se Kosova do të jetë në gjendje të ratifikojë së shpejti këtë marrëveshje?
Thaçi: Unë shpresoj që kjo të ndodh së shpejti në Parlament, por ende nuk kemi datë për këtë çështje. Por, ne mbesim të shqetësuar sepse lehtë mund të ndodhë që edhe përkundër ratifikimit të demarkacionit, Komisioni Evropian do të hezitoj të përmbyll me sukses procesin e liberalizimit të vizave.
Standard: Propozimin tuaj që kosovarët të pajisen me shtetësinë shqiptare, a e keni diskutuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën?
Thaçi: Nëse një shtet lejon shtetësinë e dyfishtë, kjo është e drejta e qytetarëve. Serbët e Kosovës kanë nënshtetësinë e Serbisë, malazezët e Kosovës kanë nënshtetësinë e Malit të Zi. Shumica e elitës politike, e medieve nga Kosova tashmë kanë nënshtetësi të Shqipërisë. Pse mos të kenë edhe studentët, biznesmenët dhe qytetarët? Nuk është kjo më një çështje politike, por një nevojë praktike dhe janë në pyetje të drejtat e njeriut. Unë nuk jam nostalgjik kur është në pyetje Jugosllavia e Titos, por para 30 – 40 vjetëve ne kemi lëvizur më të lirë sesa sot. Është një padrejtësi e madhe që po ndodh këtu edhe pse jemi shtetit më pro-evropian në Ballkan.
Standard: A keni folur me kryeministrin Rama për këtë çështje?
Thaçi: Mesazhi im ishte i qartë për të gjithë.
Standard: Para disa javëve kam folur me kryeministrin Rama dhe ai tha se menaxhimi i kufirit midis Shqipërisë dhe Kosovës do të jetë më i lehtë. A do të thotë kjo se njerëzit që udhëtojnë midis Shqipërisë dhe Kosovës mund ta bëjnë këtë pa kontrolle kufitarë?
Thaçi: Kjo është në përputhje me rregullat e BE-së. Bëhet fjalë për një menaxhim të integruar të kufijve. Këto nuk i kemi vendosur vetëm në kufi me Shqipërinë, por edhe me Malin e Zi dhe me Serbinë. Ne dëshirojmë kufij të hapur ndërmjet të gjitha vendeve dhe jo atë që po bën BE-ja, domethënë ndërtimin e mureve mentale. Derisa BE-ja mundohet t’i jap leksione presidentit amerikan, Trump-it, për ndërtimin e murit, ajo vetë po ndërton mure mentale në Evropën Juglindore. Këto mure mentale janë edhe më të rrezikshme sesa ndarja fizike e njerëzve.
Standard: Nëse të gjithë kosovarët kanë shtetësi shqiptare, atëherë ata mund të votojnë të gjithë në Shqipëri dhe kjo do të rriste shqetësimin për një Shqipëri të Madhe. Kjo, nga ana tjetër, do të çonte në shqetësimin se mund të kishte diçka si Serbia e Madhe, e cila do të nënkuptonte shpërbërjen e Bosnjë-Hercegovinës. A nuk do të çonte kjo në paqëndrueshmëri në Ballkan?
Thaçi: Serbët e Bosnjës, tashmë kanë nënshtetësi serbe dhe kroatët e Bosnjës kanë shtetësi kroate. Pse duhet të përjashtohen kosovarët nga kjo? Është në përputhje me Kushtetutën. Ekziston edhe mundësia që qytetarët nga vendet fqinje të pranojnë shtetësinë kosovare. Nuk ka të bëjë me ndryshimin e kufijve, por me lirinë e lëvizjes dhe të drejta të garantuara nga kushtetuta.
Standard: Pra, nuk ka të bëjë me Shqipëri të Madhe?
Thaçi: Jo, kjo s’ka lidhje me Shqipërinë e Madhe, por ka të bëjë me lirinë e lëvizjes, me një të drejtë (elementare) të njeriut. Ne jemi dëshmitarë se Komisioni Evropian po e shpërblen vetëm Serbinë. Dhe, kjo ndodh në një kohë kur njerëzit e dënuar nga Tribunali për Jugosllavinë, pas kthimit të tyre në Serbi, po shpërblehen me pozita më të larta në institucione shtetërore. Serbia po bën përparim në negociatat me BE-në jo për shkak se po plotëson standardet evropiane, mirëpo sepse po shantazhon BE-në me “kartën ruse”. Për më tepër, Serbia nuk zbaton marrëveshjet e arritura në dialogun me Kosovën. Dhe, prapëseprapë, ajo shpërblehet.
Standard: Kur do të ndodhë hapi tjetër në dialogun me Serbinë?
Thaçi: Pas zgjedhjeve lokale. Dialogu nuk ka alternativë. Ne duam të përfundojmë me një marrëveshje historike perfundimtare procesin e normalizimit dhe te pajtimit.
Standard: Pra, dialogu mund të rifillojë këtë vit?
Thaçi: Shpresoj!
Standard: Ka shumë thashetheme për veriun e Kosovës. Ekziston edhe qëndrimi në Serbi se Kosova e veriut, e cila është kryesisht e banuar nga serbët, do t’i bashkohet Serbisë nën një marrëveshje të tillë. A është Kosova e gatshme të heqë dorë nga veriu i Kosovës?
Thaçi: Një herë e përgjithmonë ne duhet të shohim se ndarja e njerëzve përgjatë vijave etnike nuk është zgjidhje. Kosova është shtet sovran dhe ka integritetin e saj territorial. Ndryshimi i kufijve nuk mund te ofroj zgjidhje te qëndrueshme, pavarësisht faktit se shqiptaret ne rajon jetojnë ne pese shtete te ndryshme. Por, ndarja ne vija etnike, nuk është një zgjidhje. Duhet të punojmë për një model evropian me kufij të hapur në një rajon, dhe te gjitha shtetet e Ballkanit te integrohen ne BE.
Benjamin Netanyahu shtrohet në spital
Nagavci nesër mban konferencën e fundvitit për media
Deputetet e LVV-së vizitojnë Luginën e Preshevës, Sinani: Dë...
Shpërthejnë sërish demonstratat në Gjeorgji, mijëra protestu...
Laurenti thotë se ndihet mirë pas daljes nga shtëpia: U këna...
Theu kutinë për pesë mijë euro, G Bani merr penalizimin nga ...