Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, sot është takuar me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, me të cilin ka diskutuar për raportet e Kosovës dhe BE-së.
Thaçi, thotë se Juncker, është mik i Kosovës dhe mbështetës i perspektivës evropiane, shkruan lajmi.net.
Por ndër tjera ai ka shkruar se “Për BE-në është e pakuptueshme si ka mundësi që kosovarët e duan dhe e kërkojnë kaq shumë liberalizimin e vizave, ndërsa përfaqësuesit e tyre, deputetët e Parlamentit të Kosovës, iu pamundësojnë lëvizjen pa viza qytetarëve të vet, duke mos e votuar këtë marrëveshje.”
“Sot takova Presidentin e Komisionit Evropian, z. Jean-Claude Juncker, me të cilin diskutuam të gjitha çështjet e interesit të ndërsjellë në raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
I vetëdijshëm se nuk ka çështje më të rëndësishme dhe më emergjente për Kosovën dhe qytetarët tanë sesa përfundimi i izolimit të padrejtë ndaj qytetarëve tanë, fokusi im ishte tek përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave.
Presidenti Juncker, që është mik i Kosovës dhe mbështetës i perspektivës evropiane për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, tregoi mirëkuptim dhe vullnet për ta përmbyllur këtë proces të stërzgjatur.
Mirëpo, ai gjithashtu ma bëri të qartë se do ta ketë të pamundur të përmbyllë këtë proces në rast se Parlamenti i Kosovës nuk e ratifikon marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Për BE-në është e pakuptueshme si ka mundësi që kosovarët e duan dhe e kërkojnë kaq shumë liberalizimin e vizave, ndërsa përfaqësuesit e tyre, deputetët e Parlamentit të Kosovës, iu pamundësojnë lëvizjen pa viza qytetarëve të vet, duke mos e votuar këtë marrëveshje.
Edhe për mua si president, kjo situatë është krejtësisht absurde dhe e papranueshme. Të gjithë deputetët e Parlamentit të Kosovës janë përgjegjës për këtë izolim të padrejtë. Prandaj, unë edhe një herë iu bëj ftesë, në emër të qytetarëve të Kosovës, që të vendosin interesin e Kosovës dhe të qytetarëve tanë përpara interesave të tyre personale dhe partiake.
Vota e tyre pro ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion i jep fund izolimit të padrejtë të Kosovës. HTH (fotot: Astrit Ibrahimi)”, shkruan ai.