Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron në SHBA si mysafir nderi në edicionin e 7-të të Forumit Botëror Strategjik, të enjten para rreth 1200 pjesëmarrësve nga dhjetëra shtete të botës ka folur për energjinë, infrastrukturën dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Ai ka thënë se gjatë shtet-ndërtimit tonë, është arritur rritje mesatare ekonomike prej rreth 4 për qind për 8 vjet me radhë dhe këtë e konfirmon edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, se Kosova ka shënuar rritjen më të madhe ekonomike në Evropë në ato vite, derisa shumë shtete tjera kanë shënuar rënie ekonomike.
Kreu i shtetit të Kosovës është shprehur krenar që për një kohë rekorde, pa marrë asnjë cent borxh, janë ndërtuar mbi 800 kilometra rrugë dhe autostrada, që është gjatësia e njëjtë e ndërtuar nga viti 1945 e deri në vitet e para të shekullit 21.
Në Forumin Botëror Strategjik, duke e marrë si shembull Kosovën, presidenti Thaçi foli edhe për përpjekjet e presidentit Donald Trump dhe Kongresit amerikan për gjetjen e një gjuhë të përbashkët në përpilimin e një Plani Nacional për Infrastrukturë.
“Rreth 40 për qind të tërë buxhetit të Kosovës ne ia kemi dedikuar investimeve kapitale, duke krijuar kështu një makrocikël pozitiv ekonomik. Kemi refuzuar të marrim borxhe publike dhe sot Kosova ka borxhin me të ultë publik në Evropën Lindore. Vetëm 10 për qind e GDP-së sonë është borxh publik. Mund ta krahasoni këtë me fqinjët tanë, ku për shembull Serbia dhe Shqipëria kanë 60 për qind të GDP-së në borxh publik, ndërsa Greqia tashmë ka arritur 160 për qind të GDP-së ta ketë në borxh”, u shpreh presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit theksoi se nuk janë rritur as taksat, por thjeshtë janë bërë përpjekje që të mbyllen vrimat e zeza në sistemin e tatimeve, duke rritur të hyrat e tatimeve të rregullta dhe luftuar ekonominë gri.
“Banka Botërore ka lavdëruar Kosovën në mënyrën sesi kemi lehtësuar pagimin e tatimeve dhe tani jemi në pozitën e 43-të nga 200 ekonomitë botërore sa i përket progresit në pagim të tatimeve. E tërë kjo, mund të them, nuk është keq për një shtet që para 18 vjetësh ishte në mes të luftës dhe gjenocidit”, u shpreh ai.
Presidenti Thaçi ka folur edhe për çështjen e energjisë, duke thënë se Kosova është shumë e pasur me thëngjill dhe se Kosova nuk do të ishte storie e suksesit pa ndihmën e miqve nga mbarë bota.
“Amerika edhe më tutje na qëndron pranë dhe ne jemi falënderues që së fundmi, Agjencia Federale Amerikane (MCC) ka vendosur të përkrah Kosovën me disa dhjetëra milionë dollarë në fusha si energjia apo sundimi i ligjit, me synim që Kosova të zbatojë politika të favorshme për rritje ekonomike”, ka shtuar presidenti Thaçi.
Duke i marrë si shembuj dy bulevardet kryesore në Prishtinë, atë me emrin e presidentit Klinton dhe tjetrin me emrin e presidentit Bush, presidenti Thaçi ka thënë se për popullin në Kosovë nuk ka republikanë apo demokratë, por ka vetëm amerikanë.
“Sipas sondazheve të agjencionit Gallup, politikën amerikane sot në Kosovë e përkrahin 92 për qind e popullatës”, u shpreh presidenti Thaçi.
Në fund, presidenti Thaçi ka thënë se pa siguri nuk ka as ekonomi të fuqishme.
“Aftësia jonë e pamohueshme që ta mbrojmë lirinë e qytetarëve tanë kudo që janë është shtyllë e krenarisë nacionale dhe përparimit afatgjatë”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi ka thënë se ky leksion vlen si për superfuqi, siç është Amerika, ashtu edhe për shtete të vogla si Kosova.
LVV: Kontratat njëburimore janë vetëm propagandë e opozitës
SPAK godet një organizatë kriminale, heton si të përfshirë e...
Nesër mbahet ceremonia e 25 vjetorit të themelimit të SHKK-s...
Ish-krerët e UÇK-së i kërkojnë trupit gjykues që ta ruajë pa...
Erion Veliaj ia uron ditëlindjen Rita Orës: Super goca jonë,...
Kurti: Idealet e Metush Krasniqit janë ideale edhe të kohës ...