Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se partitë politike dhe Kuvendi i Kosovës janë duke u vonuar për të marrë përgjegjësitë e veta Kushtetuese në lidhje me dialogun me Serbinë.
“Gjithmonë kam kërkuar që edhe Kuvendi të jetë i përfshirë drejtpërdrejtë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Kërkoj nga partitë parlamentare nga Kuvendi që t’i marrin përgjegjësitë e veta kushtetuese dhe ligjore, mirëpo po më vjen keq që janë duke u vonuar se koha po ecën”, ka thënë presidenti Thaçi.
Thaçi ka thënë që vendimi i fundit në rast të arritjes së marrëveshjes përfundimtare i takon Kuvendit të Kosovës.
Ai i ka ftuar partitë dhe institucionet shtetërore që të arrijnë një marrëveshje për një pako të veprimeve të sinkronizuara për dialogun.
“Ftesa ime për partitë politike, për institucionet shtetërore mendoj se do të ishte që të pajtohemi për një pako të veprimeve të sinkronizuara të interesit shtetëror në agjendë dhe kohë, duke përfshirë dialogun për normalizimin e marrëdhënive Kosovë – Serbi, arritjen e marrëveshjes, votimin e marrëveshjes, zbatimin e marrëveshjes, vazhdimi i reformave zgjedhore se të gjithë kanë folur dhe askush nuk po merr veprim konkret”, ka theksuar Thaçi gjatë konferencës për shtyp.
Presidenti ka thënë që spektri politik duhet të marrin vendimin që iu takon, që të punojnë bashkërisht, se në fund të fundit askush nuk e kalon Kuvendin, sipas tij marrëveshja përfundimtare i takon Kuvendit.
“Kuvendi duhet të jetë i inkorporuar, duhet të luaj rolin kushtetues, fjalën e fundit e thotë Kuvendi. Duke punuar bashkërisht do t’ia dalim mbanë. Të gjitha partitë parlamentare duhet të ulen të bisedojnë për dialog, për reformë elektorale, zgjedhjet e përgjithshme e lokale kur t’i vije koha për t’i mbajtur, veç sa e lëndon fuqizimin e Kosovës”, ka thënë ai.
Hashim Thaçi deklaroi se dy çmime të mëdha i ka paguar Kosova nga mungesa e unitetit, formimi i ushtrisë dhe ndëshkimi që i është bërë qytetarëve për shkak të vonesës për votimin e demarkacionit.
“Kosova ka pasur traditë dhe ka traditë të dialogut, nuk duhet të bëhet kauzë në betejë mes spektrit politik normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, gjithmonë do të ketë opozitë, a do të thotë që gjithmonë do të ketë opozitë bllokuese, besoj që spektri politik do të reflektoj dhe do të bashkëngjitet”, tha Thaçi.
Më tej ai shtoi se duke qenë së bashku në dialog, vetëm një adresë do të jetë e shqetësuar, Beogradi, duke mos qenë të bashkuar vetëm një adresë do të jetë e gëzuar, Beogradi.
“Ky proces iu takon të gjithëve dhe të gjithë duhet të jenë pjesë, nuk duhet të zhvillohet me inate. Një mundësi e tillë nuk do t’i ofrohet shpesh Kosovës, ftesa ime është ejani të punojmë të gjithë së bashku, të jetë një proces transparent dhe llogaridhënës. Të punojmë së bashku që në fund Serbia ta njoh Kosovën, nëse Kosova e arrinë këtë, të gjithë do të jenë fitues”, ka deklaruar Thaçi.
Presidenti u shpreh se Kosova nuk ka kohë për eksperimente, për turbulenca politike duke iu referuar pyetjes se opozita është duke dashur të bëj një mocion mosbesimi për qeverinë e Kosovës.
“Si asnjëherë më parë Kosovës i duhet uniteti, një përgjegjësi e lartë e bartësve politikë, asnjë proces nuk mundet me u arritë pa një konsensus”, ka përfunduar ai.
Nesër fillon Fushata Globale “16 Ditët e Aktivizmit Ku...
Dafina Zeqiri sjell këngën e re “Tranquilo”
Vazhdon përplasja me Xuxin, rikthehet historia e prindërve t...
U paraqitën si kosovarë në Angli, Rama u premton regjistrimi...
Kurti mori pjesë në varrimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Behgj...
Arrestohen tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u sh...