Thaçi: Nuk shkohet në NATO me shoqatë gjuetarësh e peshkatarësh, por me Ushtri

00:09 | 19 Mars 2017
Arbresh.info

Ne nuk do presim Serbinë. Nuk shkojmë në NATO me shoqatën e gjuetarëve apo peshkatarëve, por me ushtri, thotë numri një i Kosovës, i përfshirë në një iniciativë që ka krijuar pështjellim në Kosovë, por dhe jashtë saj.

Nuk ka lidhje kjo që po bëjmë me Gjykatën Speciale, apo nuk po e bëjmë për të marrë diçka në shkëmbim.

Intervista e plotë me Mentor Nazarkon për Konica.al:

Mentor Nazarko: Një nga temat më të rëndësishme sot në politikën kosovare është çështja e themelimit të ushtrisë në të cilën ju jeni iniciator edhe në pikëpamjen kushtetuese, por edhe në pikëpamjen politike. Cilat janë arsyet që e bënë imediat themelimin e ushtrisë? Pra, pse sot? Pse në këtë formë?

Hashim Thaçi: Në kuadër të rishikimt të strategjisë për sigurinë e Republikës së Kosovës, RSS, në kuadër të respektimit të plotë të këtij rishikimi, duke respektuar edhe Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, mandatin dhe misionin tim si Komandant Suprem i Forcave të Sigurisë së Kosovës, kam propozuar nxjerrjen e projektligjit që do të nënkuptonte themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Një forcë kjo e re, multietnike. Një forcë që do ta mbrojë integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe do të jetë në shërbim të gjithë qytetarëve. Pse tani? Në fakt duhet të ndodhte dje, mirëpo jemi vonuar pikërisht duke u konsultuar me të gjithë që të ndodhë një proces i ngadalshëm, hap pas hapi, gradual gjithëpërfshirës, ku do të përfshihen të gjitha komunitetet. Ndërsa tani serbët, definitivisht, pas shumë konsultimeve, takimeve, bisedave kanë theksuar qartë se nuk e përkrahin themelimimn e ushtrisë së Kosovës, thotë Lista Srpska. Prandaj nuk kemi ç’të humbim kohë më tutje- edhe kështu jemi vonuar tash e tri vite, kështu që duhet të ndodhë pikërisht tani.

Mentor Nazarko: Ka patur një moment më përpara se tani, që Lista Srpska apo faktori politik serb, partitë që përfaqësojnë komunitetin serb, kanë qenë më të gatshëm për ta pranuar ushtrinë?

Hashim Thaçi: Vendimin për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës e kemi marrë qysh në vitin 2014. Në atë kohë të gjitha komunitetet serbe dhe joserbe, 25 prej tyre në parlamentin e Kosovës kanë qenë të zotuar të votojnë për themelimin e FAK-ut, por ka pasur mekanizma politikë nga komuniteti shqiptar që nuk ishin të gatshëm të pajtoheshin me të drejtat e rezervuara për 5 vende shtesë në kuvendin e Kosovës për to. Dhe me këtë arsyetim ne nuk jemi pajtuar që të shkohet në votim për FAK-un, kështu që tash e tri vite jemi peng i atij gabimi politik të 2014, të atyre subjekteve politike. Ndërsa tani jemi peng të refuzimit të plotë të Listës Srpska. Në fakt, duhet të bëjmë dallimin mes qëndrimit të deputetëve serbë sepse janë njerëz të mirë, korrektë, konstruktivë, të përgjegjshëm. Kam biseduar me ta veç a veç, në grupe të përbashkëta, me të gjithë bashkë, dhe shprehin vullnet të mirë që të hyjnë në proces, mirëpo problemi qëndron në Beograd. Serbia refuzon dhe urdhëron deputetët serbë që të mos votojnë ushtrinë e Kosovës. Njëri prej tyre e tha shumë hapur: “Më lehtë kemi pranuar pavarësinë e Kosovës se pranimin e themelimit të ushtrisë së Kosovës”.

Mentor Nazarko: Atëhere, kur po flasim ishte një moment tjetër, i mëparshëm. Kur po diskutohej për numrin e ulëseve. A ishte Beogradi më i gatshëm për ta pranuar atëherë, sepse edhe atëhere ata komandoheshin nga Beogradi?

Hashim Thaçi: As atëhere, as sot, as nesër Beogradi nuk do të pyetet nga ana jonë për këtë çështje. Ne jemi vend i pavarur, sovran, vendosim vetë. Por realisht Beogradi është duke penguar konsolidimin e shtetit të Kosovës, dhe ky është një sinjal dhe mesazh edhe për ndërkombëtarët që duhet të punojnë me Beogradin i cili duhet të tërhiqet prej këtij qëndrimi destruktiv në raport me Kosovën dhe sjelljen evropiane.

Mentor Nazarko: Meqë është fjala te faktori ndërkombëtar, më saktësisht, tek faktori evropianoperëndimor-duket sikur ka konvergjencë midis këtij faktori në përgjithësi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (dëgjova dje një intervistë të ambasadorit amerikan), pra edhe NATO-s, për të zgjedhur një kohë tjetër për ta themeluar ushtrinë. Papritmas, ju që keni qenë referenti kryesor i perëndimit në Kosovë, po përplaseni publikisht me ta.

Hashim Thaçi: Në asnjë rrethanë nuk ka ndonjë përplasje. Ne në vitin 2014 jemi dakorduar plotësisht me SHBA dhe NATO për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Gjatë kësaj kohe kam bashkëpunuar shumë ngushtë edhe me ndërkombëtarë edhe me komunitetin vendor. Tani kemi një konsensus të jashtëzakonshëm politik, të paparë dhe qytetar në Republikën e Kosovës për themelimin e ushtrisë së Kosovës, është vullneti i dy milionë qytetarëve të vendit. Qytetarët duan që ta kenë Kosovën, ushtrinë.

Mentor Nazarko: Atëherë?

Hashim Thaçi: Jo, edhe tash është përkrahje masive e qytetarëve, gjithashtu, duhet ta potencoj se nëse deklaratën e pavarësisë së Kosovës e kanë votuar dhe nënshkruar 109 deputetë, propozimin për themelimin e ushtrisë do ta votojnë 110 deputetë që kanë deklaruar. Do të thotë, përtej deklaratës se pavarësisë do të shkojë dhe kjo nevojë imediate dhe e fuqizimit të unitetit të Kosovës. Unë theksoj se ne edhe do ta themelojmë ushtrinë edhe do ta ruajmë partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, në veçanti me SHBA-në dhe NATO-n. Në kuadër të kësaj unë i kam dërguar dhe letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, zotit Stoltenberg. Është edhe mik i imi, ka qenë kryeministër i Norvegjisë në kohën kur është njohur Republika e Kosovës, e njeh Kosovën, e afirmon Kosovën çdokund. Gjithashtu, në letër paraqes argumentet pse tani, opsionin e parë, opsionin e dytë.

Mentor Nazarko: Për modalitetet më së shumti flisnit ju në atë letër…

Hashim Thaçi: …kështu që mendoj se dallimi është vetëm koha kur dhe si. Me rëndësi pajtohemi që Kosova duhet ta ketë ushtrinë sa më shpejt që është e mundur.

Mentor Nazarko: Koha… kur?

Hashim Thaçi: Koha? Prej kur e kemi filluar së prezantuari projektin, unë jam çdo ditë në kontakt me njerëzit, me të gjitha gjeneratat, me të gjitha komunitetet, me gjithë spektrin politik. Jam duke dëgjuar njerëzit, jam duke sqaruar projektin tim, dje kisha takim dhe me komunitetin serb. Serbët e Kosovës duan të jenë pjesë e procesit: e ritheksoj se Serbia duhet të distancohet nga ai ndikim negativ që ka ndaj Lista Srpska, sepse është në interes të tyre që të hyjnë në parlamentin dhe në qeveri duhet të rikthehen të votojnë. Për Asosiacionin, të votojnë, të votojnë për demarkacionin, të votojnë për ushtrinë e Kosovës. Ushtria është edhe e tyrja, Kosova është edhe e tyrja, është atdheu i tyre, nuk është një ushtri që do të themelohet kundër dikujt, apo në favor të dikuj në Kosovë. Janë edhe serbët në këtë ushtri, kështu që mendoj dhe jam i bindur që gjërat do të përmbyllen saktësisht me themelimin e ushtrisë së Kosovës dhe afirmimin apo kultivimin e fuqishëm të raporteve me SHBA-në dhe NATO-n.

Mentor Nazarko: Unë nuk dua që t’ju nxjerr se ju jeni në kundërshtim me faktorin perëndimor, por duket se faktori kohë, çështja kohë është çështja më e rëndësishme. Koha është e tillë, që në Serbi po bëhen zgjedhje, në Maqedoni ka krizë qeveritare, në Shqipëri ka një lloj krize, në Mal të Zi gjithashtu! Dhe, ndoshta, në këtë kuptim, faktori perëndimor nuk e sheh si të përshtatshëm krijimin e ushtrisë nga ana juaj bash tani…

Hashim Thaçi: Mirëpo Kosova nuk mund të mbetet peng i krizave të Ballkanit: nëse Bosnjë- Hercegovina është e bllokuar nga nacionalizmi serb, atëherë natyrisht që gjërat janë të ndërlidhura edhe në rajonin tonë, por pse ta paguajmë çmimin ne? Nëse Serbia e ka rrit nacionalizmin e vet, zhvillon një fushatë elektorale kryekëput nacionaliste, nëse Serbia ka hapur mendje, shpirt dhe gjithçka çka ka për prezencën ruse, pse Kosova të paguajë çmimin? Nëse Mali i Zi pengohet nga Serbia për t’u antarësuar në NATO, që e gjithë Kosova e mbështet fuqishëm Malin e Zi për anëtarësim, pse Kosova të paguajë çmimin? Nëse Shqipëria ka problemet e veta politike, pse Kosova të paguajë çmim? Nëse Maqedonia me fajin e vet është bllokuar politikisht dhe i ka të ndera raportet ndëretnike, pse Kosova të paguajë çmim? Kosova është e zonja e vetes, merr vendimet vetë, është vend sovran dhe ne nuk duam asgjë, as më pak, as më shumë, vetëm të kemi ushtri sikur vendet e tjera të rajonit. Sepse askush nuk pranon në NATO me zjarrfikës, shoqatë të gjuetarëve apo ndonjë shoqatë tjetër, ku ta di, për shembull të peshkatarëve.

Mentor Nazarko: Nëse…

Hashim Thaçi: Por, me ushtri, pa ushtri nuk ka as proces partneriteti për paqe, as antarësim në NATO!

Mentor Nazarko: Nëse nga plani i brendshëm lëvizja juaj është perfekte dhe papritmas keni marrë me vete edhe Vetëvendosjen, e cila ka kundërshtuar disa procese, në planin e jashtëm, unë vazhdoj të insistoj se ndoshta interesi perëndimor është që Serbia apo pjesë të tjera të rajonit mos të rrëshkasin nën ndikimin rus dhe në njëfarë mënyre kjo lëvizje duket sikur…

Hashim Thaçi: Shqetësim për bashkësinë ndërkombëtare duhet të jetë themelimi i ushtrisë së Kosovës; shqetësim për bashkësinë ndërkombëtare duhet të jetë vonesa e Bashkimit Evropian për Kosovën dhe krejt Ballkanit perëndimor. Sepse kjo vonesë e Bashkimit Evropian për inkuadrim dhe zgjerim të vendeve të Ballkanit perëndimor po ndikon që të krijohet një vakum. Vakum të cilin e shfrytëzojnë të tjerët që kanë ideologjinë joperëndimore, ndërkohë po kemi rritje të retorikës nacionaliste kudo dhe shtimin e ndikimit të Rusisë në hapësirat e Ballkanit. Kjo është realitet.

Mentor Nazarko: Po ju mendoni që themelimi i ushtrisë do ta pengojë këtë ndikim?

Hashim Thaçi: Ndikimi rus në Kosovë nuk do të ketë hapësirë. Por nuk mund të them që nuk mund të ketë rritje të elementëve ekstremiste, apo të frymës armiqësore me fqinjët dhe kjo shihet kudo. Qoftë në parlamentin e Kosovës, qoftë në debatet publike, qoftë edhe nga përfaqësuesit e shoqërisë civile edhe gjithë segmentit të shoqërisë së Kosovës.

Mentor Nazarko: Ju flisni që nga pikëpamja strategjike themelimi i ushtrisë është edhe për t’i bërë ballë, po themi, rritjes së ushtrisë serbe?

Hashim Thaçi: Jo. Themelimi i ushtrisë së Kosovës pikësëpari si synim ka kultivimin e paqes në Kosovë dhe rajon, që Kosova të prodhojë më tepër paqe…

Mentor Nazarko: Me armë të rënda? Çfarë armësh?

Hashim Thaçi: Po do të ketë njëlloj si të gjitha vendet e tjera të rajonit, sikur të gjitha vendet e NATO-s, gjithë arsenalin të cilin mund ta ketë një ushtri moderne, një ushtri perëndimore, një ushtri multietnike dhe natyrisht në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Edhe kur themelohet ushtria e Kosovës, roli i KFOR-it do jetë i pazëvendësueshëm, nuk do të ketë asnjë implikim në rolin dhe misionin e NATO-s në Kosovë. Kosova nuk po themelon ushtrinë për të filluar luftë kundër ndonjë shteti fqinj, por për të mbrojtur veten, për të kultivuar dhe forcuar paqen, të ndërtojë fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit. Tekefundit është mekanizmi thelbësor i konsolidimit dhe forcimit të shtetit tonë.

Mentor Nazarko: Juve- duke u marrë më pak me faktorin kohë- te letra juaj për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, nënvizonit kontekstin. A ka lidhje, a ka përfaqësuar rrezik për integritetin territorial të Kosovës, çështja e trenit apo ndonjë kërcënim tjetër për të cilën ju jeni në dijeni dhe ne nuk e dimë?

Hashim Thaçi: Të jem i sinqertë, po. Treni ka qenë provokim shumë i rëndë nacionalist. Një tren i dhuruar nga Rusia për t’u dërguar me mision nacionalist me njerëz të politikës serbe, të estradave të tyre nacionaliste, të grupeve më të fuqishme radikale serbe…

Mentor Nazarko: Po kufiri mbrohet me polici në vende demokratike dhe jo me ushtri.

Hashim Thaçi: Dëgjo, është e lehtë që të flasim në teori, por duhet të ballafaqohemi me realitetin. Ne, integritetin territorial të Republikës së Kosovës duhet ta mbrojmë me mekanizmat tonë të sigurisë. Treni ka qenë një provokim i rëndë i qeverisë së Serbisë sepse treni u nis nga autoritete të qeverisë së Serbisë me mision të qartë nacionalist për të provokuar një frymë nacionaliste të re në veriun e Mitrovicës dhe për serbët e Kosovës për të theksuar që, ja, ne pas 17 vitesh po kthehemi me tren në Kosovë. Rikthimi i Serbisë në Kosovë nuk do të ndodhë as me autobus, as me tren, as me tanke, aq me ushtri e as polici, ka marrë fund njëherë e përgjithmonë. Prandaj kemi marrë vendim të qartë që në asnjë rrethanë, në asnjë çmim, treni i nisur nga Beogradi nuk do të mund të futej as një centimetër në Republikën e Kosovës. Ka qenë një vendim i qartë me çdo çmim dhe është mirë që autoritetet në Beograd e kanë vënë gishtin në kokë edhe kanë menduar dhe e kanë kthyer në gjysmë të rrugës, e kanë kthyer prej nga u nis dhe ashtu do të ndodhë edhe në të ardhmen. Edhe provokimi me murin. Kurrë nuk do të ndodhte rrënimi sikur ne të mos ishim të vendosur dhe t’i thonim qartë bashkësisë ndërkombëtare, se nëse lejohet ndërtimi i këtij muri, ne do ta rrënojmë vetë. Edhe ndalimin e trenit e kemi bërë vetë. Përkundrazi, lejimi i trenit në Kosovë- të jesh i bindur – do të na krijonte disa komplimente për lidershipin e Kosovës, “Good guys! Flexible. You are statesman. It’s not enough” (Djem të mirë! Fleksibël! Ju jeni burrë shteti. Kjo nuk është e mjaftueshme). Është e turpshme të lejojmë ngjarje të tilla. Pra, Serbia provokon incidente në Kosovë, provokon probleme në Kosovë dhe kush janë viktimat këtu? Viktimat janë serbët e Kosovës dhe kjo mua më dhemb, sepse ata janë qytetarët tanë, ata duhet të integrohen në institucione. Tjetër dëshiroj të shpall përpara jush dhe përmes jush, për tërë opinionin: Serbia ka plan për ndarjen e Kosovës, ka plan për aneksimin e Kosovës. Të njëjtin model që ka bërë Rusia Krimenë.

Mentor Nazarko: Këtë e di bashkësia perëndimore…

Hashim Thaçi: Nëse bashkësia perëndimore e di, edhe ne duhet të jemi të kujdesshëm se diçka të tillë ne nuk do e lejojmë të ndodhë.

Mentor Nazarko: Kjo nuk pengohet me ushtri, besoj sepse një nga diplomatët kryesorë të Bashkimit Evropian thotë që Kosova është vendi më i sigurt në Evropë.

Hashim Thaçi: Unë pajtohem që Kosova është vendi më i sigurt në Evropë sepse ka prezencën e NATO-s dhe është fat që edhe themelimi i ushtrisë së Kosovës nuk e implikon në asnjë rrethanë rolin e misionin e KFOR-it por i mban në rol sovran dhe natyrisht se duhet ta kemi ushtrinë. Dëgjo, a duhet të themelohet, apo jo? Kjo është pyetja më qesharake që mund të dëgjosh, çështja më qesharake që dikush mund të hapë. Si duket sot, me ardhur dikush para Edi Ramës, kryeministrit të Shqipërisë, apo presidentit Bujar Nishani dhe t’i thotë se Shqipëria duhet ta ketë apo nuk duhet ta ketë ushtrinë? Çfarë është ajo pyetje? Ajo është thjesht pyetja më idiote që mund ta ngrejë dikush, qoftë vendor, qoftë ndërkombëtar. Prandaj ne po bëjmë atë çka të gjitha vendet e tjera kanë bërë.

Mentor Nazarko: Letra që ju i drejtuat Sekretarit të Përgjithshëm (për faktin që e bëtë publike), i theksoi diferencat në qëndrimin tuaj me ato të bashkësisë perëndimore. Madje, në njëfarë mënyre ishte një përpjekje për t’i treguar atij Kushtetutën, ligjet e Kosovës ndërkohë që imagjinojmë që ata i dinë këto…

Hashim Thaçi: Për Kosovën është shumë e rëndësishme çka është diskutuar në Këshillin e NATO-s, se çdo shtet i NATO-s ka dhe opinionet e veta. Jam shumë mirënjohës për të gjithë diskutuesit që askush nuk e konteston të drejtën e Kosovës për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, ndërsa aspekti procedurial dhe kohor është i mirëseardhur për t’u diskutuar. Kjo është ajo çka mendoj se veprimi ynë ka arritur efektin maksimal.

Mentor Nazarko: Ka ndonjë divergjencë veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sepse…

Hashim Thaçi: As divergjenca më e vogël nuk qëndron mes institucioneve të Kosovës, mes presidentit të Kosovës me SHBA-në e theksoj, pse qëndrimi është i qartë. Duhet të themelojmë forcat e armatosura të Kosovës edhe unë jam në favor të ndryshimeve kushtetuese. Tani ftoj edhe bashkësitë ndërkombëtare të punojnë me serbët që t’i bindin edhe ata për ndryshimet kushtetuese. Por nëse edhe bashkësia ndërkombëtare nuk e bind Beogradin që të tërhiqet prej atyre reagimeve negative, agresive dhe destruktive në raport me Kosovën dhe aspak perëndimore, atëhere ne jemi zot të vetes dhe do të lëvizim me projektligj.

Mentor Nazarko: Mos ka ndonjë konvergjencë të tipit, ne po e kundërshtojmë publikisht, por ju bëjeni fakt të kryer dhe pastaj…

Hashim Thaçi: Unë gjithçka që punoj e bëj në mënyrë transparente dhe …

Mentor Nazarko: Amerika ndoshta nuk i bën transparente veprimet e veta…

Hashim Thaçi: ShBA-ja, e theksoj, ka qenë shumë afër prej ditës së parë të themelimit të forcës së sigurisë së Kosovës. Kanë pasur ekspertët e vet dhe i kanë edhe në NATO, prandaj çdo hap duhet të bëhet i koordinuar edhe e theksoj, do ta bëjmë. Forcat e armatosura të Kosovës, janë një forcë multietnike dhe ne do ta ruajmë partneritetin. Ky proces ka filluar dhe garantojë se do të përmbyllet suksesshëm në partneritet me BE-në.

Mentor Nazarko: S’do ketë pasoja? Ambasadori amerikan tha “unë nuk guxoj të mendoj për pasojat”.

Hashim Thaçi: Dëgjo, unë mendoj vetëm për të mirat dhe nuk do të ketë pasoja. Ne do ta themelojmë ushtrinë dhe do ta ruajmë partneritetin.

Mentor Nazarko: A ka dhe- me këtë e mbyll këtë kapitull – brenda dhe mbrapa këtyre lëvizjeve që Kosova ka bërë kohët e fundit si çështja e ushtrisë, çështja e bisedimeve apo e ndërprerjes së tyre dhe në fund vendimit për shtetëzimin apo kalimin në pronësi të Kosovës të aseteve të Serbisë, në territorin tuaj, një qëndrim të tipit: ose na jepni liberalizimin e vizave ose diçka tjetër?

Hashim Thaçi: I kam dëgjuar edhe këto opinione, por nuk qëndrojnë. E para, trenin nuk e provokuam ne, e provokoi Serbia, ne reaguam me vendosmëri. Dy, murin e provokoi Serbia, ne reaguam dhe e rrënuam, dhe bëmë shumë mirë, përndryshe Serbia nuk do ishte ndalur me veprimet e veta destruktive. Nga ana tjetër, asosacioni është një çështje që ka filluar herët, nuk ndërlidhet me aktualitetin, demarkacioni ka filluar herët nuk lidhet me realitetin. Mosvotimi i demarkacionit prej kuvendit do t’i kushtojë Kosovës shumë. Këtu Kosova do të paguajë çmim për fajin e vet. Megjithëse kushti i demarkacionit është plotësisht i pajustifikueshëm nga BE-ja, por ja që është kusht. Në takimet që kam zhvilluar në Bruksel më është thënë qartë: Pa kalimin e demarkacionit, nuk do ketë liberalizim të vizave, dhe Kosova padrejtësisht është vend i izoluar. Kështu që nuk i kisha ndërlidhur këto gjëra. Tjetër, ndalimi i zotit Haradinaj, nuk ka ndodhur nga kosovarët. Nuk ka qenë i koordinuar prej kosovarëve, ka qenë padrejtësi ndaj tyre, ndaj Ramushit, ndaj gjithë bashkëluftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përsëri ishte provokim i Serbisë, i aktakuzave të Serbisë që çoi në një vendim ndalimi të autoriteteve të Francës. Kështu që unë do ta respektoj në tërësi rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Mentor Nazarko: Nuk ka një parim të shkëmbimit, që ne tërhiqemi nga këto, ju na jepni liberalizimin e vizave?

Hashim Thaçi: Çështja e ushtrisë është e pandalshme, do të lëvizë përpara e do të realizohet suksesshëm.

Mentor Nazarko: Është dikush që në mënyrë kritike e sheh këtë lëvizje të lidhur me çështjen e demarkacionit, me çështjen e Haradinajt, me çështjen e gjykatës speciale?

Hashim Thaçi: Asnjë lidhshmëri të çështjes së ushtrisë së Kosovës nuk ka me këto çështje politike që kanë qenë edhe më herët të ngritura. Dyshoj që kanë ndodhur këto ditë, kështu që nuk ka ndonjë lidhje çështja e ushtrisë me aspektet politike ditore apo të prioriteteve që i kemi pasur në agjendë.

Mentor Nazarko: Pra as me gjykatën speciale, as me…

Hashim Thaçi: Të jem i qartë, gjykata speciale duhet të ndodhë, ashtu siç jemi marrë vesh me bashkësinë ndërkombëtare, i kuptoj reagimet: është padrejtësi historike, sepse serbët kanë kryer krime dhe nuk po ndodhin dënime të atyre krimeve makabre deri në përmasat e gjenocidit! Pikërisht për të ruajtur partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, unë kam paguar çmim për opinionet vendore që të udhëheq atë proces të ndjeshëm të themelimit të Gjykatës speciale. Kjo ka ndodhur për të ruajtur partneritetin me SHBA-në dhe BE-në. Përndryshe nuk do të ndodhte në asnjë rrethanë sepse është një gjykatë monoetnike, kjo është e vërtetë, dhe s’mund ta mohojë askush, ndaj debati është i drejtë. Por Kuvendi i Kosovës nuk duhet të bëjë një gabim të radhës, sepse nga ana tjetër votimi i asosacionit duhet të kryhet sa më shpejt që është e mundur. Unë e mbështes fuqishëm, anipse tani serbët e bojkotojnë procesin e themelimit të asosacionit edhe demarkacioni duhet të përmirësohet. Kështu që ndaj mendime të ndryshme me tërë spektrin që mendon t’i ndalojë disa procese që kanë qenë të tmerrshme, por në të njëjtën kohë dëshiroj t’i falënderoj të gjitha partitë politike, shoqërinë civile, mediat, qytetarët e Kosovës për mbështetjen unike ndaj themelimit të ushtrisë së Kosovës. Nuk është një projekt individual, është institucional.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme