Google ADS

Thaçi: Nuk paraqes rrezik për askënd në kuptimin politik

15:59 | 17 Dhjetor 2024
A Z

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes, duke mos dashur të deklarohet për fajësinë, ish-presidenti Hashim Thaçi në fjalën e tij hyrëse tha se fillimisht Prokuroria e Hagës ia kishte ngritur aktakuzën e parë veç tre muaj para se ai të rizgjedhej president i vendit, ndërsa aktakuza e re vjen veç dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

Thaçi tha se nuk ka ambicie politike për Kosovë dhe kështu as nuk paraqet rrezik për askënd.

“Pikërisht në këtë fazë të hershme të këtij procesi, për mbarëvajtjen e rregullt kushtetuese dhe ligjore që duhet të ndodhë, ju e dini para 4 vitesh në nëntor të 2020 ngritët aktakuzë ndaj meje vetëm 3 muaj para se të zgjidhesha president i vendit, e tash para 10 ditësh, nxitimthi nga zyra e prokurorit prezantoi aktakuzë shtesë vetëm 2 muaj para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Dua të sqaroj edhe njëherë, nuk jam pjesë e garës politike e as nuk kam ambicie politike as për president, as për kryeministër, as për deputet e as ndonjë pozitë të caktuat publike, ju theksoj se nuk jam pengesë e as nuk paraqes rrezik për askënd në kuptimin politike e as për ndonjë projekt qeverisës”, tha Thaçi.

Ai ndër tjera shpalosi një kërkese për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

“Gjithë jetën time kam punuar për lirinë dhe shtetin e Kosovës, me vizionin për anëtarësim në NATO, Bashkim Evropian dhe raport special me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por e nderuara gjykatëse dëshiroj të ritheksoj dhe nënvizoj domosdoshmërinë e respektimit të kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës në këtë sallë, mosrespektimi i kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës nga palët në këtë sallë të shenjtë për drejtësi paraqet rrezik për minimin e demokracisë në Kosovë, për cenimin e besimit qytetar”, theksoi tutje Thaçi.

Në këtë konferencë të parë për ecurinë e çështjes, janë të pranishëm edhe Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu e Isni Kilaj, derisa Thaçi e Hajredin Kuçi, seancën po e përcjellin përmes videolidhjes./rtk

Të ngjashme