Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” pas dorëzimit të projektligjit për Ushtrinë e Kosovës, ka thënë se do të dëshironte që ky proces të mbështetej edhe nga përfaqësuesit politikë të komunitetit serb në Kosovë, që siç tha ai, po pengohen nga Beogradi.
Në këtë intervistë, presidenti Thaçi ka thënë se fati i Kosovës nuk është i lidhur me fatin e asnjë kryeqyteti të rajonit.
Sipas tij, Forca e Sigurisë do të luaj rolin dhe detyrat si çdo ushtri e çdo vendi të pavarur dhe sovran. Do të jetë në shërbim të çdo qytetari të Kosovës, do të jetë forcë shumë etnike dhe do të ruaj tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
“Tanimë, hapat e parë janë bërë në kuptimin zyrtar institucional. Kryesia e Parlamentit nesër do të shqyrtojë këtë çështje, do t’ia dërgojë qeverisë së Kosovës për të dhënë mendim dhe unë dua të besoj që në ditët e ardhshme, më së largu javën e ardhshme, do të dërgohet për votim në Parlamentin e Kosovës. Nuk ka anëtarësim të Kosovës në NATO, pa ushtri. Dua të besoj që kjo çështje do të bashkojë spektrin politik të Kosovës pa dallim etnik apo partiak”, ka thënë Thaçi.
“Fati i Kosovës nuk është i lidhur me fatin e asnjë kryeqyteti të rajonit. Jemi vend i pavarur dhe sovran që marrim vendimet tona. Lista Serbe nuk ka qenë e gatshme të votojë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, të votojë ligjin për shndërrimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës, një ushtri jo vetëm e shqiptarëve, por një ushtri shumë etnike dhe në shërbim të të gjithëve”, ka thënë më tej Thaçi.
Sipas presidentit Thaçi, Forca e Sigurisë së Kosovës si Ushtri e ardhshme dhe moderne e Kosovës, synim kanë anëtarësimin në NATO, do t’u shërbejë të gjithë njerëzve të Kosovës, do të ruaj tërësinë territoriale të vendit, do t’i shërbejë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe do të jetë në shërbim të paqes kudo në botë.
“Pra do të jetë një ushtri e paqes, mbrojtëse dhe do të jetë një ushtri në suaza të funksionimit të vlerave dhe vizionit euro-atlantik”.
Ndërkaq duke folur për mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, posaçërisht të Shteteve të Bashkuara, Thaçi ka thënë se është punuar tash e tri vite që kjo çështje të kalojë përmes ndryshimeve kushtetuese dhe do të dëshironte shumë që kjo të ndodhë.
Një mbështetje të tillë ka thënë ai ka ekzistuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga NATO-ja, mirëpo është bërë e pamundur thjeshtë pas deklarimeve shumë të hapura, të qarta dhe të vendosura të Listës Serbe dhe të Beogradit që nuk e lejon dhe e kërcënon listën Serbe për të mos votuar FSK-në.
“Kështu që, tash e vetmja mundësi ka mbetur që Kosova të mbetet pa ushtri ose të kalojë në planin B, do të thotë shndërrimin e FSK-së në ushtri moderne. Kështu që ky vendim është në autoritetin tonë. I kemi informuar të gjithë faktorët relevant ndërkombëtarë. Të gjithë i dëshirojnë ndryshimet kushtetuese dhe do të punojmë deri në momentin e fundit që kjo të ndodhë. Thënë ndryshe procesi i shndërrimit ka filluar është institucional, kushtetues e ligjor, është në kuadër të vlerave dhe kornizës Euro-Atlantike, prandaj unë kam besim të plotë se edhe bashkësia ndërkombëtare do të jetë reflektuese në mirëkuptimin e këtij angazhimi shumë të drejtë të institucioneve të Kosovës. Ushtria e Kosovës nuk po bëhet për t’u angazhuar kundër askujt. Askush nuk ka nevojë të ndihet i kërcënuar, përkundrazi, do të jemi faktor i paqes dhe stabilitetit, fqinjësisë së mirë”.
AUV në pritje të rezultateve për mandarinat e importuara nga...
E akuzoi se ka pëlqim ndaj tij, Gresa shpërthen në lot nga X...
Grupi “Shkodra Elektronike” me një falënderim të veçantë për...
Haziri në 35-vjetorin e LDK-së: Kjo familje e Rugovës ia dha...
Isak, objektiv i gjigantit francez
Eskalon situata mes Xuxit dhe Gresës, e lagin njëri-tjetrin ...