Gazeta Express e ka siguruar një letër që avokati britanik Geoffrey Nice i ka nisur Qeverisë së Kosovës, ku ai e tregon një histori skandaloze në të cilën është i përfshirë Presi
denti Thaçi dhe ekipi i tij. Në këtë letër del në pah e vërteta edhe për librin biografik të Thaçit, ku shihet se atë Presidenti e ka paguar.
Njëra prej figurave më të dashura publike për shqiptarët e Kosovës menjëherë pas luftës, ka qenë prokurori i Tribunalit të Hagës, Sir Geoffrey Nice. Ai, po udhëhiqte gjyqin e Sllobodon Millosheviqit, personit me të urryer në Kosovë.
Nice kishte vazhduar të ishte “very nice” me shqiptarët edhe kur në një fjalim të tij të mbajtur në vitin 2011 e kishte goditur raportin e senatorit zviceran Dick Marty, që akuzonte direkt kryeministrin Thaçi, dhe gjithë hierarkinë e UÇK’së, për trafikim të organeve dhe akuza tjera mjaft bizare.
Në artikullin e tij, Nice i kishte cilësuar si të pabazuara akuzat e senatorit zviceran dhe raportin e tij si të paqëndrueshëm.
Ky kishte qenë shkaku që shefi i Qeverisë së atëhershme, Hashim Thaçi, ta kërkonte për të bashkëpunuar. Petrit Selimi, atëbotë zëvendësministër i Jashtëm, me porosi të shefit të tij, e kishte kontaktuar Sir Geoffrey’n për të punuar me Qeverinë e Kosovës, më saktësisht për Thaçin, që ishte figura kryesore e akuzuar nga Marty për trafikim organesh.
Prej asaj kohe, prej kohës kur ka ndodhur ky komunikim, gjërat në mes të Qeverisë së Kosovës, në mes të Hashim Thacit, dhe z. Nice nuk kanë rrjedhur shumë ‘nice’. Në pyetje janë pagesat. Hashim Thaci i ka mbetur borxh avokatit të njohur nga Britania e Madhe.
Gazeta Express ka siguruar një komunikim që Nice e ka bërë me Qeverinë aktuale të Kosovës. Ish prokurori i Tribunalit të Hagës duket mjaft i mllefosur nga mënyra se si e kanë injoruar atë institucionet e Kosovës, ndonëse, ai thotë, i kanë borxh mbi gjysmë milioni euro.
“Nuk kisha asnjë bashkëpunim profesional me Qeverinë e Kosovës, derisa më kontaktoi Petrit Selimi dhe më e pyeti nëse do të punoja për Qeverinë. U pajtova me kushtet financiare që m’i ofroi Selimi”, shkruan Nice në një letër drejtuar Qeverisë së Kosovës, respektivisht Avni Arifit, shef i stafit të Kryeministrit, të cilin e njofton se për këtë cështje e ka informuar edhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovës.
Por, çfarë thuhet në këtë letër që Nice i dërgon Arifit?
Aty mësohet se Nice, me ekipin e tij, kishte bërë marrëveshje me Presidentin Thaçi, atëherë shefi i Qeverisë dhe i sulmuari kryesor nga Marty. Për disa vjet, avokati anglez ishte angazhuar ta këshillonte Thaçin, kishte ndihmuar në krijimin e një materiali të nevojshëm kur Gjykata Speciale të jetësohej, si dhe e kishte ndihmuar në një pjesë të librit biografik të Presidentit, i cili u botua tash së fundmi me titullin “Shteti i ri – burrështetas modern”.
Nice vazhdon të rrëfejë në letrën e tij së pasi ishte paguar për një kohë, papritmas i janë ndalur pagesat nga Qeveria, duke i mbetur borxh gjysmë milionë euro, të cilat tash po i kërkon.
Ai thotë se nëse kjo pagesë nuk do të kryhet, sipas marrëveshjes, ai do të flasë publikisht në media për një gjë të tillë.
Nga ky komunikim nuk dihet se sa i ka kushtuar Qeverisë së Kosovës kontrata e Thaçit me dy juristët, megjithatë në të dhënat që i dërgon Nice Qeverisë, prej nëntorit të vitit 2015 deri në fund të korrikut të vitit 2016, duhej t’i paguheshin Nice’it 327,445.86 euro, ndërsa Trompit 162.975.01 euro.
Duke mos iu bërë pagesat, Geoffrey Nice i ka shkruar Qeverisë së Kosovës dhe vetë Presidentit Thaçi, që disa herë i kishte premtuar se i paguan paratë, por kjo, siç ankohet Nice, nuk ka ndodhur edhe më tutje.
Nice shkruan se bashkë me Nevonka Tromp, që ishte hetuese në rastin e Millosheviqit, ishin angazhuar për t’i dhënë këshilla Thaçit, për t’i përgatitur fjalime, aranzhuar intervista, madje duke kontribuuar në librin autobiografik të Thaçit, për të cilin Nice thotë se ka menduar që ishte për Kosovën dhe jo vetëm për Thaçin.
Avokati tregon se kanë përgatitur një material voluminoz sekret për Qeverinë, kur Gjykata Speciale të fillonte aktakuzat e para.
“Kemi punuar që qeveria e Kosovës të mund të përgatiste materiale ku askush s’do të kishte qasje, të cilat do të përdoreshin kur individë do të akuzoheshin nga Gjykata Speciale”, ka shpjeguar Nice.
Edhe pasi pagesat nuk i janë kryer, Nice thotë të ketë vazhduar ta ndihmojë Thaçin, sidomos në pjesën e librit të Thaçit, ku flitet për akuzat rreth trafikimit të organeve.
“Unë, duke m’u kërkuar, kam ndihmuar shkrimtarët e librit biografik të Hashim Thaçit, me historinë e akuzave të trafikimit të organeve, duke menduar se historia nuk ishte vetëm për Hashim Thaçin, por për popullin e Kosovës”, ka shkruar Nice.
Ai thotë se e ka takuar tri herë vetëm për vetëm Hashim Thaçin, madje edhe në Presidencë dhe, sipas Nice, presidenti është zotuar se do t’i kryhen pagesat.
Në këtë letër të tij shihet se Nice është lodhur nga papërgjegjësia e udhëheqësve të vendit, e posaçërisht nga mënyra se si ata po e hidhnin topin sa të njeri sa të tjetri. Për këtë arsye ai kishte vendosur që t’u shkruante të gjithëve përnjëherë.
“Duke ju përfshirë të gjithëve, më nuk do të jetë e mundur që t’i ikni përgjegjësive vazhdimisht” u ka thënë Nice, Enver Hoxhajt, Petrit Selimit, Abelard Tahirit, ambasadorit Lirim Greiçevci, Aridan Arifajt dhe Bashmir Xhemajt.
“Gjithashtu po i dërgoj edhe ambasadorit Ruairi O’Connell, i cili ka bërë përpjekje, që në emër tonë, ta zgjidhë çështjen”, thotë më tej Nice.
Express ka kontaktuar të premten ambasadorin O’Connell për ta pyetur nëse këtë çështje e ka adresuar te Qeveria e Kosovës. Ambasadori ka thënë se kjo nuk e përfshinë atë.
“Kjo është një çështje mes Qeverisë së Kosovës dhe z. Geoffrey Nice”, ka thënë shkurt O’Connell.
Nice zbulon që sipas marrëveshjes me Qeverinë, kishte punuar me persona të tjerë, madje edhe me një nga shkrimtaren e librit biografik për Thacin, Suzy Jagger, që po ashtu është dashur të paguhej.
Në bazë të këtij letërkëmbimi mësohet se, ajo cfarë Presidenti Thaci ka dashur ta paraqes si një libër biografik të shkruar nga dy gazetarë të huaj, në fakt ka qënë një libër i porositur dhe i paguar nga ai.
“Për të kryer punën për Qeverinë, sipas marrëveshjes, ne kemi bashkëpunuar me palë tjera si Alan Donnelly dhe Suzy Jagger dhe gjithashtu Pleurat Halilin”, i kishte shkruar avokati presidentit.
“Ne besojmë se ata janë paguar. Nëse kjo ka ndodhur, ne duam të dimë pse me ne është vepruar ndryshe, kur ne kemi pasur rol kyc në punën që është kryer me këta individë”, shkruan më tej Nice.
Në këtë pikë Nice aludon që Thaci dhe ekipi i tij e kishin anashkaluar atë, duke i kryer pagesat për libër në rrugë të tjerë. Nuk dihet se në cfarë rrugë janë kryer ato pagesa.
Ndërsa, Pleurat Halili, siç shkruan Nice, do të angazhohej që të siguronte një sistem të mbyllur me anë të të cilit do të barteshin materialet që Nice dhe Tromp i kishin mbledhur e të cilat do t’i duheshin Kosovës kur Gjykata Speciale të fillojë me akuza. Mirëpo, Halili papritmas kishte shkëputur kontaktet dhe më nuk u ishte përgjigjur atyre.
“Ishim duke pritur për një njoftim nëse ishte siguruar hapësira e sigurt për të bartur materialin, por ne kurrë nuk u njoftuam nga Pleurat Halili për dhe pas një kohe z. Halili shkëputi komunikimin me ne pa na dhënë asnjë shpjegim”
Nice beson që Thaçit do t’i duhet edhe njëherë. Pas raportit të Dick Martyt, avokati pret që Presidenti ta kontaktojë kur Gjykata Speciale të ngreh aktakuzat e para.
“Unë e kuptoj se Hashim Thaçi mund ta ketë qëllim që të bashkëpunojë me mua kur të bëhet e ditur se kush do të akuzohet nga Gjykata Speciale”, i ka shkruar Nice qeverisë së tanishme.
Avokati i ka shkruar për herë të fundit edhe Presidentit Thaçi, ku i ka treguar se në një gjykatë të Kosovës ka nisur rasti për faturat e papaguara dhe ku e informon se po e prishë e kontratën.
“Prej 2016’ës ne jemi duke shkuar nëpër një proces për të marrë borxhin sipas ligjit të Kosovës”, i ka shkruar Nice, Thaçit.
Madje, Nice, në fund të letrës e kërcënon, duke thënë se edhe pse ka heshtur deri më tani, në rast se nuk i bëhet pagesa, do të detyrohet ta bëjë publike, e kjo sipas tij, do të dëmtojë imazhin e Kosovës.
Gazeta Express ka kontaktuar Avni Arifin për të pyetur nëse Qeveria i është përgjigjur kërkesave të avokatit britanik.
Arifi thotë se edhe përkundër që Geoffrey Nice i është drejtuar Qeverisë, për çështjen që ka të bëjë me marrëveshjen e Thaçit me avokatin, përgjigjen Presidenca dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Presidenca për javë të tëra nuk i është përgjigjur pyetjeve të Gazetës Express rreth angazhimit të Nice nga Thaçi, ndërsa Jetlir Zyberaj nga Ministria e Punës së Jashtme ka thënë se nuk ka informacione rreth çështjes në fjalë
Dënohet me 15 vjet burgim për spiunazh amerikani në Rusi
Shkëlqimi me Napolin, Rrahmani në formacionin e javës në Ser...
Policia arreston një person në Gjilan për një rast vjedhje n...
Irani nuk planifikon të rifillojë fluturimet drejt Sirisë pa...
Isufaj dhe kreu i SPAK nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi...
Krasniqi: Rinia, ambasadore e mesazhit tonë se “Kosova...