Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur një ligjëratë në Këshillin Evropian për Punë të Jashtme në Paris.
Para shumë diplomatëve, përfaqësuesve shtetërorë, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe të jetës publike në Francë, presidenti Thaçi ka folur për rëndësinë e integrimit në Bashkimin Evropian dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe ndërmjet shteteve në Ballkanin Perëndimor.
“Këshilli për Çështje të Përgjithshme i Bashkimit Evropian sapo ka publikuar konkluzionet për Ballkanin Perëndimor. Unë gjithmonë kam bërë thirrje dhe e mirëpres vëmendjen e shtuar të BE-së për zgjerim me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Përkundër sfidave të shumta që po kalon BE-ja, unë i përgëzoj vendet anëtare të BE-së për arritjen e konkluzioneve të tyre pozitive për dhënien e sinjalit të tyre të portokalltë për hapjen e negociatave me dy shtete të tjera në Ballkanin Perëndimor: Shqipërisë dhe Maqedonisë në qershor të vitit të ardhshëm. Sa më shumë përparon rajoni drejt BE-së, aq më mirë është për të gjithë ne, sepse kjo thjesht nënkupton më shumë stabilitet, paqe më të qëndrueshme, bashkëpunim ndërfqinjësor, më shumë investime të huaja dhe mirëqenie më të madhe”, u shpreh presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ka thënë se dëshira për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian është ende e madhe në rajonin tonë dhe i ka bërë thirrje BE-së që të përfitojë nga ky momentum, që ta afrojë rajonin edhe më shumë seç ka bërë deri më tani.
“Vetëm t’i shikojmë dhe analizojmë zhvillimet pozitive në rajonin tonë tash së voni. Të gjitha këto ndodhën, sepse integrimi evropian është themeli dhe qëllimi përfundimtar i tyre. Këto zhvillime përfshijnë marrëveshjen e çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, përfundimin e ratifikimit të demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, të arriturat e Shqipërisë në adresimin e çështjeve që lidhen me reformat në fushën e sundimit të ligjit, dialogun e vazhdueshëm mes Kosovës dhe Serbisë dhe hyrjen në një fazë finale drejt një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtim. Rreth njëzet vjet pas përfundimit të luftërave në Ballkanin Perëndimor, të gjitha shtetet tona po bëjnë progres konkret drejt anëtarësimit në BE”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi ka folur edhe për kontekstin në të cilin rajoni ynë po punon drejt integrimit në BE.
“Ne nuk mund të shtiremi sikurse kriza ekonomike, kriza e migracionit dhe referendumi i Brexit-it nuk kanë ndodhur. Do të ishte gjithashtu naive të mendohej se ato ngjarje nuk kanë ndikuar dhe nuk vazhdojnë të ndikojnë në perspektivën tonë evropiane. Hezitimi i shteteve anëtare të BE-së për të hapur negociatat menjëherë me Shqipërinë dhe Maqedoninë, përkundër rekomandimit të Komisionit Evropian, ka të bëjë më shumë me çështjet e tyre të brendshme politike sesa me ato dy shtete dhe meritat e tyre përkatëse. Është fare e lehtë që në raste të këtilla të përqendrohemi vetëm në anët negative. Por, është edhe më e rëndësishme të pranohet se, në të njëjtën kohë, ekzistojnë disa trende shpeshherë të kundërta që janë fare të dukshme. Të shumtë ishin ata që parashikuan një efekt domino të Brexit-it menjëherë pas referendumit, por ajo që kemi parë që atëherë është se 27 shtetet e BE-së kanë qëndruar të patundura si anëtare të BE-së”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se BE-ja me të vërtetë u përballë me një valë dhe fluks të lartë të refugjatëve dhe emigrantëve ekonomikë gjatë dy viteve të fundit, por ky trend është ngadalësuar pak dhe ka një qasje më aktive nga ana e BE-së në trajtimin e kësaj çështjeje, përkundër vështirësive të dukshme të vazhdueshme që ka sjellë kjo sfidë.
I pari i vendit ka folur edhe për trendët që i janë kundërvënë populizmit të krahut të djathtë, duke përmendur suksesin e lëvizjes En Marche të presidentit Makron.
“Është përgjegjësi e shteteve anëtare që të mos u nënshtrohen këtyre kërcënimeve dhe të sigurojnë se zhvillime pozitive, të tilla si zgjerimi i BE-së, ende mund të ndodhin. Prandaj mesazhi im kryesor është ky: çfarëdo të jenë problemet, ato nuk duhet të përdoren si justifikim për vendet anëtare që të mos e mbështesin perspektivën e shteteve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE apo të humbasin momentumin aktual për zgjerimin”, ka thënë ai.
Gjithashtu, presidenti Thaçi ka thënë se eurospekticizmi dhe lodhja nga zgjerimi nuk duhet të përdoren nga politikanët në rajonin tonë si një justifikim për të mos u reformuar, zhvilluar dhe përmirësuar jetën e qytetarëve.
“Për Kosovën është koha e fundit që qytetarët e saj të çlirohen nga gjendja aktuale e izolimit. Kosova është shteti i vetëm në rajon ku qytetarët e saj janë të privuar të lëvizin pa viza në zonën Shengen. Kemi përmbushur secilin nga 95 kriteret e përcaktuara nga Komisioni Evropian. Kemi vendosur të gjitha masat e nevojshme institucionale për të parandaluar çdo ndikim migrues dhe qytetarët tanë tani shikojnë nga Evropa që edhe ajo ta mbajë fjalën e dhënë. Justifikimet se nuk është momenti i duhur për shkak të ngjarjeve apo ndjenjave të ndryshme brenda BE-së, tani jo vetëm që janë vështirë të kuptueshme për këdo, por janë edhe të papranueshme”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka theksuar se nëse në Kosovë do t’i nënshtroheshim populizmit, nuk do të mbeteshim të përkushtuar ndaj dialogut me Serbinë dhe as nuk do të punonim kaq shumë drejt një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin.
“Po t’i nënshtroheshim ndjenjave populiste, demarkacioni i kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi nuk do të ishte ratifikuar kurrë në Kuvend”, shtoi presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ka folur edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.
“Të dielën në Bruksel, ne zhvilluam takimin e parë në kuadër të fazës përfundimtare në nivelin më të lartë politik. Sigurisht se këto takime janë shumë të vështira për shkak se të dy shtetet e përfshira në këtë dialog dhe përfaqësuesit e tyre në tavolinë të bisedimeve, bartim mbi supet tona trashëgiminë e hidhur dhe të përgjakshme të historisë sonë njëshekullore. Plagët e këtij konflikti njëshekullor ende nuk janë shëruar dhe jam i sigurt se do të duhet shumë kohë që një gjë e tillë të ndodhë. Por, koha është gjithmonë e çmuar. Pavarësisht të kaluarës së hidhur, ne nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të jemi të përgjegjshëm ndaj interesave tona shtetërore, por mbi të gjitha duhet t’i japim popujve tanë atë çfarë ata e meritojnë dhe kërkojnë nga ne. Çfarë është ajo që presin qytetarët e dy shteteve respektive? Paqe, pajtim, marrëdhënie të mira fqinjësore, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie. Dhe natyrisht, perspektivë evropiane”, theksoi presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi ka thënë se një paqe afatgjate e arritur do të kishte reflektime pozitive për të gjithë rajonin, duke larguar edhe më shumë pretendimin e ideologjive joperëndimore për depërtim në Ballkan dhe duke ulur ndikimin e zërave populistë dhe nacionalistë.
Gjykata urdhëron rinumërimin e votave të zgjedhjeve në Ruman...
Lëndimet e shpeshta të Jamesit, flet trajneri Maresca
Vajza e Gjeneral Fadil Kodrës kandidate e Aleancës për deput...
Dermaku flet për Kosovën: Duhet të punoj fort dhe nëse jam i...
Rashica starton me Besiktasin në Europa League
Kurti në Prekaz: 28 Nëntori është datë themeltare e historis...