Presidenti, Hashim Thaçi, sonte ka marrë pjesë në pritjen e Ambasadës së Finlandës të organizuar në Prishtinë për nder të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit finlandez.
Presidenti Thaçi ka thënë Kosova që po përgatitet ta festojë 10 vjetorin e parë të republikës, 100 vjet duken shumë, por sipas tij në historinë evropiane edhe Finlanda mund të quhet një shtet i ri.
Ai ka thënë se gjithmonë i ka bërë përshtypje sa shumë të përbashkëta kanë Kosova dhe Finlanda.
“Të dy shtetet e kemi edhe një person të përbashkët, presidentin Ahtisari, nobelistin e paqes që realisht ishte finlandezi i duhur, në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, i cili mundësojë që Kosova të çlirohet një herë e përgjithmonë nga rreziku i okupimit”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ai theksoi se me presidentin Ahtisaari ka kaluar orë të tëra në shumë faza të shtetndërtimit të Kosovës.
“Pakkush e dinë që koncepti i tij për pavarësinë e kushtëzuar u bë i ditur qysh në vitin 1999, në një konferencë të organizuar nga presidenti Nelson Mandela dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan. Qysh atëherë presidenti Ahtisaari e kuptoi se gota që thyhet njëherë dhe e gjakos dorën, më s’mund të kapet në asnjë formë, sepse duhet shëruar plagën dhe shërimi i vetëm për Kosovën e përgjakur ishte pavarësia”, theksoi ai.
Presidenti Thaçi ka kujtuar edhe rrëfimin e presidentit Ahtisaari sesi pasioni i tij për paqen buron nga fati i keq që kishte ai si fëmijë, që të mbetej refugjatë kur Bashkimi Sovjetik e aneksoi një provincë finlandeze dhe mbi 400 mijë gra, fëmijë dhe burra finlandez mbetën pa strehë dhe të uritur në mot të ftohtë arktik.
“Është forca e popullit finlandez që e bëri këtë shtet të ngrihej dhe të mos ngujohej në qarkun vicioz të urrejtjes dhe hakmarrjes, por të fokusohej në zhvillim dhe paqebërje. Bashkimi Sovjetik e okupoi Finlandën, por sot Finlanda e vogël ka arsimin më të mirë në botë, standardin më të mirë të jetesës dhe të drejtat më gjithëpërfshirëse për banorët e saj”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi ka shtuar se ky ndoshta është edhe mësimi më i madh i këtij 100-vjetori finlandez.
“Netët në veri të Evropës, edhe në Finlandë, gjatë dimrit janë të gjata dhe të errëta. Por, edhe në netët më të gjata të historisë, kur tmerri dhe ankthet frikësonin popullatën dhe dridhnin shtetin, Finlanda e ka ditur se gjithmonë vjen edhe vera e gjatë dhe e bukur që nuk përfundon kurrë. Prandaj sot, qeveria dhe
populli finlandez kanë konsensus për progres, për vlera, për të drejtat e njeriut, për barazinë e plotë në mes bashkëshortëve me parimin që shumica gjithmonë duhet jetë zemërgjerë me pakicën. Ky mësim i çmuar, ky shembull i progresit finlandez, duhet të jetë inspirim për ne në Kosovë”, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi ka thënë se as Kosova më nuk ka kohë për të humbur.
“Duhet t’i japim fund izolimit tonë duke ratifikuar marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi”
Presidenti e ka përshëndetur iniciativën e kryeministrit Haradinaj që marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, të procedohet nga Qeveria në Kuvendin e Kosovës.
“Duhet të themelojmë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, që të dëshmojmë që jemi shtet dhe popull i besueshëm. Duhet të themelojmë Forcat e Armatosura të Kosovës, që të japim kontributin tonë modest në ruajtën e paqes kudo në botë. Duhet të vazhdojmë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe sa më shpejt të arrijmë marrëveshjen përfundimtare të paqes dhe pajtimit, si kusht kryesor për anëtarësimin e të dy shteteve respektive në strukturat euroatlantike”, ka thënë ai.
Ne fund, presidenti Thaçi ka ngrehur edhe dolli për mësimet e vlefshme që ka marrë nga presidenti Ahtisaari, të cilat, siç ka thënë ai, Finlanda tash ia jep tërë botës./arbresh.info
28 Nëntori brenda familjes së Isa Boletinit, ndër objektet m...
Komuna e Zveçanit seancë solemne për nder të 28 Nëntorit
Nesër përurohet Parku i Ulpianës, merr pjesë Rama
Nisin homazhet pranë kompleksit “Adem Jashari”, Konjufca: 28...
Dua Lipa uron 28 nëntorin: Një komb, një flamur
Aksident në Korçë, një i lënduar