Derisa udhëheqësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë hapur çështjen e vrasjeve të pasluftës, kjo nuk është befasi për Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, sidomos në kohën para zgjedhjeve. Ai në një intervistë për KosovaPress, u ka bërë thirrje që të mos përdorën këto vrasje për përfitime politike por të ndihmohet drejtësia.
Madje, kreu i shtetit përmend edhe letrat e dërguara tek kryeprokurori i vendit Aleksandër Lumezi, pikërisht për zbardhjen e këtyre vrasjeve dhe vrasjeve tjera.
“Kjo çështje nuk është e një partie politike, as për përfitime politike të kujtdo qoftë. Unë i kam dërguar letra kryeprokurorit që t’i ketë si trajtim të posaçëm që vrasjet e personaliteteve publike të sqarohen deri në fund, prandaj obligim i partive politike dhe institucioneve në vend që t’i politizojnë dhe manipulojnë me familjet e këtyre njerëzve, t’i japin mbështetje sistemit të drejtësisë. Kjo është rruga ime, qëllimi dhe vizioni im”, theksoi Thaçi.
Ish-lideri i PDK-së, partia e të cilit ishte akuzuar në të kaluarën nga LDK-ja se ka gisht në vrasjet e eksponentëve të saj, shton se riaktualizimi i tyre para zgjedhjeve nuk është befasues, porse më shumë i lëndon familjet e të vrarëve, se sa ua lehtëson dhimbjen.
“Le të vlerësoj vet opinioni, por nuk është befasuese që çdoherë para zgjedhjeve hapen tema të tilla të ndjeshme për të lënduar me tepër familjet e tyre, se sa për t’ua lehtësuar dhimbjen apo për të ndihmuar të vërtetën dhe drejtësinë….unë e theksova ne duhet ta mbështesim drejtësinë e t’i lëmë politizimet”, ka shtuar presidenti Thaçi.
Në këtë intervistë, presidenti Thaçi ka folur edhe për Komisionin për të Vërtetën. Kreu i shtetit konfirmon se një të ardhme të afërt, do të dekretoi edhe themelimin e këtij komisioni, pas konsultimeve që ka zhvilluar me gjithë akterët, ku ka marrë opinionet pro dhe kundër.
“Komisioni për të vërtetën dhe pajtimin do të jetë një komision i pavarur, nuk do të zëvendësoj drejtësinë, do ta ndihmoj drejtësinë. Unë besoj se edhe drejtësia, edhe pajtimi, edhe e vërteta mund të ndodhin në Kosovë. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, por kanë ndodhur gjëra jo të mira edhe ndaj komunitetit të tyre pas luftës, prandaj çdo zbulim i së vërtetës është mirë për vendin, është çlirim për vendin, është mesazh i pajtimit, kështu në të ardhmen e afërt do ta bëjë edhe dekretimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin”, tha ai.
Thaçi madje shprehet i bindur se ky Komision do të ketë sukses, meqë ka marrë mbështetjen e shoqërisë civile, mediave dhe familjeve të personave të pagjetur, si shqiptarë, ashtu edhe serbë. Megjithatë, ai thekson edhe kritikat që ka marrë për këtë iniciativë, të cilat i vlerëson si normale.
“Definitivisht besoj se do të ketë sukses, sikurse mos të besoja në të vërtetën dhe pajtimin as që do ta inicioja”, u shpreh presidenti Thaçi.
Në vazhdimin e intervistës, e cila do të publikohet nesër, presidenti Thaçi do të flas rreth procesit të themelimit të ushtrisë por edhe rreth asaj se a ka marrë mbështetjen e SHBA-s për të vazhduar këtë proces, a është iniciativa e tij si trysni për ta shtyrë SHBA-në dhe NATO-n, ta detyrojnë Listën Serbe të kthehet dhe të votojë ndryshimet kushtetuese, si dhe rreth hapave që do të ndërmarrë për dekriminalizimin e skenës politike dhe a beson ai se do ta përkrahë ish-partia e tij në këtë nismë.
Presidenti Thaci do të flas edhe për hapat që do të ndërmarrë ai si president nëse nuk kalojnë në Kuvend, Demarkacioni, Asociacioni dhe Ushtria,dhe a do të kërkojë shkuarjen në zgjedhje nëse dështon ky koalicion t’i përfundojë këto tema.
Pesë vjet nga tërmeti në Shqipëri ku humbën jetën 51 persona
Urdhri për zhdëmtimin e viktimave në çështjen gjyqësore të P...
Barcelona ka një plan të qartë për Gyokeres, ta transferojë ...
Më 3 dhjetor mbahet ankandi i letrave me vlerë për vitin 202...
Vetura përplas për vdekje një 80-vjeçar në Malësi të Madhe
Shifrat e INSTAT: Mbi 761 mijë turistë të huaj në tetor