Thaçi: Luftën e UÇK-së nuk do ta mposhtë asnjë shpifje

13:12 | 9 Prill 2017
Arbresh.info

Nuk ka shpifje që do ta mposhtë luftën e drejtë të UÇK-së e kësaj radhe as të komandantit Ramush Haradinaj që së shpejti shpresojmë se do të kthehet në Kosovë. Kështu ka thënë Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në tubimin përkujtimor në Koshare, ku ai për herë të parë po merr pjesë në cilësi të Presidentit, trasnsmeton rtklive.com.

Nga Kosharja presidenti Thaçi ka ripërsëritur se Kosova është shumë afër të krijimit të ushtrisë së saj.

“Në këto dy dekada Kosova ka pasur procese shumë të rëndësishme. Themelimin e UÇK-së, formimin e TMK-së, shpalljen e pavarësisë, më pas formimin e Forcave të Sigurisë. Ndërsa tani është shumë afër krijimit të ushtrisë së saj. Në ditët, javët apo muajt në vazhdim ushtria e Kosovës do të themelohet. Kjo është e sigurt. Kosova do të ketë ushtrinë e saj, do të ruaj partneritetin me NATO-n dhe aleatët ndërkombëtarë. Kosova do të ketë ushtrinë si të gjitha shtetet e rajonit”, ka thënë presidenti Thaçi.
Tutje, ai ka folur edhe për betejën e Koshares. Thaçi ka thënë se në Koshare për herë të parë u thye kufiri shqiptaro-shqiptar.

“Drejtësia e kauzës dhe forca morale që lufton për të drejtën e tij është me madhe se çdo ushtri. Për herë të parë këtu u thye kufiri Shqipëri-Kosovë. Beteja e Koshares ishte e të gjithëve. Operacioni ‘Shigjeta” dhe beteja e Koshares ishte triumf politiko-ushtarak. Ai ishte mesazh i qartë për popullatën e dëbuar nga Kosova se së shpejti ata do të ktheheshin në vatrat e tyre”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti ka treguar se përmes zonës së çliruar në Koshare, ishte mundësuar hyrja më e lehtë e ndihmave humanitare për qytetarët në Kosovë. Ai ka kujtuar edhe heronjtë e rënë në këtë betejë.
“Operacioni “Shigjeta” kishte edhe misionin e bashkërendimit me forcat e NATO-s, për të treguar vendndodhjen e forcave serbe. Lufta që u zhvillua në Koshare dhe Pashtrik, kanë përmasën e madhe të sakrificës. Ushtarë ët stëvitur në bazat e UCK-së, me vullnet dhe trimëri kishin luftuar kundër ushtrisë serbe. Shumë prej tyre sakrifikuan jetën e tyre. Sot dhe përgjithmonë do ti kujtojmë ata që ranë në altarin e lirisë. Si komandatët Agim Ramadani, Sali Çeku, Xhemal Fetahu, Abaz Thaçi etj”, ka thënë presidenti.

Ndërkohë, ai ka kujtuar edhe kohën kur së bashku me Shkëlzen dhe Luan Haradinajn e kishin kaluar shumë herë kufirin. “Ndihem mirë që kam kaluar me dhjetëra herë këtej së bashku me bashkëluftëtarët Shkëlzen dhe Luan Haradinaj”, ka thënë presidenti Thaçi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme