Thaçi: Kosova është e gatshme për të arritur marrëveshje historike paqësore me Serbinë

19:47 | 15 Qershor 2020
L G

Pas deklaratës së të dërguarit  të posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë –Serbi, Richard Grenell, se këto dy vende do të takohen më 27 qershor në Washington për rifillimin e dialogut, ka ardhur edhe reagimi i presidentit Hashim Thaçi.

Thaçi përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se Kosova është e gatshme për të arritur marrëveshje historike paqësore me Serbinë.

Sipas tij, udhëheqja e proceseve të mëdha politike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë përcaktuese për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj./arbresh.info


Postimi i plotë i presidentit Thaçi:

Udhëheqja e proceseve të mëdha politike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë përcaktuese për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj.

Si President i Republikës së Kosovës e mirëpres ftesën për ta rifilluar procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, si dhe të dërguarit special të tij ambasadorit Richard Grenell.

Kosova është e gatshme për të arritur marrëveshje historike paqësore me Serbinë, njohje reciproke dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike.

Tani i takon institucioneve të Republikës së Kosovës që të tregojnë mençuri dhe maturi në ndërtimin e unitetit dhe koordinimit me partnerët tanë strategjikë dhe të përkushtohemi që ta përmbyllim me sukses këtë proces. HTH

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme