Deputetja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës, Evgjeni Thaci e cila ka fituar votat për të qenë pjesë e legjislaturës së ardhshme në një intervistë për portalin Arbresh.info ka folur për jetën e saj.
Ajo ka treguar se në vendin ku është sot e gjitha është meritë e shkollimit të saj, mbështetjes së familjes, shoqërisë. Evgjenia është juriste me profesion dhe është pjesë e kompanisë së sigurimeve ‘SIGURIA’, ku ende vazhdon të punojë në këtë kompani deri në certifikimin e rezultateve. Gjatë bisedës me të, ajo ka thënë se këtë gjë nuk e mohon por e bën me qejf këtë punë. Ajo ka falënderuar drejtorin e kësaj kompanie, Rrahim Pacolli për mbështetjen e dhënë, mbështetje kjo që sipas saj vazhdon edhe tutje duke thënë se është bashkëpunues me punëtorët. Ndër të tjera Evgjenia ka treguar në këtë intervistë se sa i ka ndihmuar fakti që është mbesa e Presidentit Thaçi që të marrë besimin e qytetarëve për t’i përfaqësuar në Kuvend.
Arbresh.info: Na flisni pak për vetën, çfarë e bëri Evgjeninë kjo që është sot?
Evgjenie Thaçi: Jam nga Buroja e Skenderajt, jetoj në Prishtinë. Jam nënë jam e martuar, juriste me profesion. Kam studiuar në Universitetin e Prishtinës dhe në Universitetin e Stokholmit. Ajo që më bëri kjo që jam është çdo gjë që ne kemi kaluar si popull i Kosovës, çdo peripeci që kemi kaluar qoftë para ’99, pas luftës e deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Jam me fat që i kam takuar kësaj gjenerate që ka kaluar nëpër këto peripeci sepse na kanë bërë më të fortë. Jam me fat që kam një familje që më mbështet në çdo aspekt dhe ndihem e fuqizuar që të veproj.
Arbresh.info: Cila është motoja juaj e jetës?
Evgjenie Thaçi: Unë mundohem të gjej pozitivitet në çdo ngjarje, çdo njeri. Shoh pozitiven tek çdo kush. Kjo është motoja ime, pozitiviteti që ne si shoqëri të ecim përpara.
Arbresh.info: Çka ju shtyri të hyni në politikë?
Evgjenie Thaçi: Duke qenë se kam ndjekur zhvillimet politike gjatë gjithë kohës sepse ka qenë e pamundur të mos kyçem në politikë atëherë nuk kam mundur të rri anash. Ne si të rinj të zhvilluar profesionalisht nuk mund të rrimë e të kritikojmë, ne duhet të kyçemi vetë të bëjmë atë ndryshimin që duam të shohim në vendin tonë.
Arbresh.info: A e keni pritur se do të bëheni deputete, dhe sa do të ndikoj ky post tani në jetën tuaj?
Evgjenie Thaçi: Derisa i kam hyrë fushatës zgjedhor e kam pritur që do të jem. KQZ ende nuk ka bërë certifikimin e rezultateve por nga të dhënat që kemi nga gjithë Kosova kemi një numër të madh votash dhe pritet që të jem deputete në legjislaturën e ardhshme. Kjo do të ndikojë shumë në jetën time sepse tashmë nuk do të jem thjesht një grua që punoj për familjen time por një zë i mijëra qytetarëve që ma kanë dhënë besimin.
Arbresh.info: Dihet se jeni edhe mbesa e Presidentit Thaçi. Sa ju ka ndihmuar kjo gjë që të fitoni besimin e qytetarëve të cilët ua kanë dhënë votat?
Evgjenie Thaçi: Është diçka e pamatshme që nuk mund ta di saktësisht. Sigurisht që mbiemri im ka ndikuar shumë sepse unë kam qenë një fytyrë jo e njohur në publikun e gjerë dhe reagimi i parë i njerëzve ka qenë si mbesa e presidentit, por gjatë gjithë fushatës unë kam shkuar në çdo familje, në shkolla, në oborre kam folur me njerëzit ua kam prezantuar vizionin tim për ta dhe ua kam kërkuar mbështetjen e tyre. Këtu mendoj që rezultati i zgjedhjeve mund të jetë si pasojë e emrit por edhe për shkak të vlerave që u kam prezantuar qytetarëve gjatë fushatës.
Arbresh.info: Përfaqësimi i popullit në parlament përgjegjësi a kënaqësi?
Evgjenie Thaçi: Është nder dhe kënaqësi e madhe të marr gjithë atë besim të qytetarëve por mbi të gjitha është obligim dhe përgjegjësi e madhe. Në momentin që jam shpall si kandidate për deputetët e ardhshëm e marr votën e qytetarit si një përgjegjësi të madhe që të bëjë përfaqësimin e qytetarëve në mënyrën më të mirë të mundshme.
Arbresh.info: A i janë dashur Kuvendit të Kosovës fytyra të reja të deputetëve sipas teje?
Evgjenie Thaçi: Sigurisht që i janë dashur. Në çdo vend demokratik sidomos në demokraci të reja fytyrat e reja dhe të rinjtë gjithmonë sjellin kënaqësi. Janë këta të rinj të cilët janë shkolluar, kanë një vizion. Me gjithë respektin për politikanët e vjetër në skenën politike, sepse falë tyre jemi këtu por skena politike duhet gjithmonë të freskohet me fytyra të reja me njerëz që sjellin të reja në politikë por edhe në zhvillimet e vendit tonë.
Arbresh.info: Sa mendoni se do të jeni e ‘zhurmshme’ në Kuvend në aspektin e përfaqësimit të qytetarëve?
Evgjeni Thaçi: Nuk jam prej atyre tipave që më shumë ngritin zërin sesa punojnë. Do të jem shumë këmbëngulëse dhe e bindshme për ato projekte dhe interesa që mbrojnë qytetarët e Kosovës. Në legjislaturën e kaluar kemi pa njerëz shumë të zhurmshëm deri në dhunë por që nuk ka sjellur asgjë për Kosovën. Do të luftoj në mënyrën time jo edhe aq të zëshme sepse kur kemi zhurmë nuk dëgjohet asgjë. Do të mundohem t’i bindi të tjerët në mënyrën time më të edukuar dhe me politikë të cilën besoj që e kam akumuluar deri tani. V.Berisha/Arbresh.info
Vëllaznimi rikthen Myreon Jones
Ushtarët e KFOR-it kryejnë stërvitje të përbashkët evakuimi
Nis protesta e opozitës në Shqipëri, bllokohen disa rrugë në...
Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleanc...
Monza e shkarkon Alessandro Nestan
Biden fal dënimet me vdekje