Thaçi fton opozitën t’i ndalë kundërshtimet dhe të përfshihet në dialog

16:12 | 25 Maj 2018
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes këshilltarit të tij, Bekim Çollaku ka ftuar partitë politike opozitare, që në vend të kundërshtimit, t’i bashkohen atij në procesin final të dialogut me Serbinë.

Roli prijës i presidentit Thaçi në dialogun me Serbinë që po kundërshtohet nga opozita, sipas tij, buron nga mandati kushtetues e ligjor që ka shefi i shtetit.

“Sikur në çdo vend demokratik në botë, po ashtu edhe në Kosovë, individë të caktuar, apo parti politike të caktuara mund të kenë rezerva apo të mos e pranojnë dhe respektojnë një individ të caktuar, i cili është zgjedhur në mënyrë legjitime si president”, tha Çollaku.

Mirëpo, ka shtuar ai, “preferencat personale apo partiake mbesin pa asnjë vlerë në momentin kur presidenti i zgjedhur në mënyrë demokratike dhe legjitime, vishet me fuqinë që i jep kushtetuta dhe ligjet”.

Kosova, si shtet i ri, thekson Çollaku, ka edhe një demokraci të brishtë, prandaj edhe sjelljet e kësaj natyre kundërshtuese të individëve dhe partive të caktuara politike, sipas tij, janë krejtësisht të kuptueshme.

“Kjo është edhe arsyeja se pse në historinë tonë të re institucionale, secili president i zgjedhur deri më tani, është kundërshtuar nga një grupim apo parti politike e caktuar. Por një gjë e tillë, pavarësisht arsyeve dhe rrethanave, nuk mund të ketë efekt në ushtrimin dhe përmbushjen e mandatit të Presidentit të zgjedhur në mënyrë demokratike”, theksoi Çollaku.

Duke iu referuar kundërshtimeve të opozitës që presidenti Thaçi të jetë prijës në fazën finale të negociatave me Serbinë, Çollaku thotë se në këtë aspekt, nuk duhet humbur shumë energji përtë kundërshtuar diçka që është kushtetuese dhe ligjore.

“Në vend të kundërshtimit për inate personale, individët dhe partitë e caktuara duhet të pyesin vetën se a janë në gjendje të japin kontributin e tyre modest në shërbim të interesit nacional dhe shtetëror në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, theksoi ai.

“Në rast se po, atëherë janë të mirëseardhur për t’iu bashkangjitur ekipit të udhëhequr nga presidenti. Në rast të kundërt, dëshmojnë se mbesin inatçi besnik të bindjeve të tyre personale dhe politike të cilat në rastin konkret, nuk përputhen me interesat shtetërore”, tha Çollaku.

Këshilltari i presidentit Thaçi tha po ashtu se dëshiron të besojë se partitë politike dhe shoqëria civile do të demonstrojnë pjekuri të mjaftueshme për të bashkuar dijen dhe idetë e tyre në shërbim të interesit shtetëror të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme