Thaçi: FSK do të transformohet me ndihmën e SHBA-ve dhe vendeve të NATO-s

20:21 | 8 Mars 2017
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka shprehur edhe një herë vendosmërinë për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, përmes ndryshimeve ligjore, meqë nuk ka pajtim të deputetëve serbë që kjo të bëhet përmes ndryshimeve Kushtetuese. Kreu i shtetit iu ka përgjigjur edhe shqetësimeve të SHBA-së dhe NATO-së, të cilat e kanë quajtur veprim të njëanshëm transformimin e FSK-së në ushtri pa ndryshime kushtetuese.

Presidenti Thaçi tha në një konferencë për media se Kosova nuk po bënë asnjë veprim kundërligjor, as kundër kushtetues, e cila do të rrezikonte sigurinë e Kosovës apo të rajonit, por po krijon një ushtri moderne, profesionale dhe multietnike.

“Republika e Kosovës nuk po bën asnjë hap të papritur, nuk po bën asnjë befasi, asnjë veprim të njëanshëm, por të pakoordinuar, asnjë veprim kundërligjor apo antikushtetues, nuk po bën asgjë që do të mund të konsiderohet rrezik për sigurinë në Kosovë apo rajon. Kosova po ecë në një proces siç kanë ecur vendet e tjera të rajonit. Realiteti dhe e vërteta në këtë proces është kjo, shteti i pavarur i Kosovës thjesht po bën një akt ligjor dhe kushtetues, i cili është themel i funksionimit të çdo shteti demokratik në botë. Ne si institucione demokratike të shtetit të pavarur dhe sovran kemi vendosur që FSK-së t’i japim misionin dhe detyrat e një ushtrie moderne, profesional dhe multietnike që do të jetë në gjendje ta mbrojë sovranitetin dhe integritetin e vendit”, tha Thaçi.

Por, duket se pataten e nxehtë, kreu i shtetit ia ka lënë Qeverisë pasi tha se pas hapave të ndërmarrë nga ai, radhën e ka Qeveria që të japë mendimin e saj, të cilin e pret se do të jetë pozitiv.

 

“Unë si president i kam përfunduar procedurat, e kam marr vendimin politik, kam filluar me procedurat, i kam dorëzuar kryetarit Veseli, sot kryesia ka votuar në favor që t’i bartet qeverisë për mendim, opinion, veç kemi deklarime nga Qeveria se do të kemi një mendim pozitiv, sepse nuk mund ta imagjinoj dhe mendoj se do të ketë ndonjë opinion tjetër”, tha ai.

Duke folur për koordinimin e veprimeve të tij me partnerët ndërkombëtar, NATO-n dhe SHBA-n, presidenti Thaçi tha se këtë nuk ka mundur dhe as nuk do ta kundërshtojë asnjë nga partnerët ndërkombëtarë. Madje iu përgjigj edhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-së Jens Stoltenberg, i cili në një bisedë telefonike ia ka shprehur shqetësimin për veprimet e tij, duke i quajtur të njëanshme veprimet për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.

“Vërejtja kryesore e sekretarit të NATO-së në bisedën telefonike të zhvilluar sot, gjoja se NAO e konsideron iniciativën tonë ligjore për ndryshimin e misionit dhe detyrat e FSK-së si një veprim i njëanshëm. Kjo nuk qëndron, në asnjë rrethanë sepse për tri vite me radhë jemi munduar të koordinojmë këtë veprim me deputetët e komunitetit serb, që jetojnë në Kosovë, por ata e kanë bërë të qartë se kurrë nuk do ta votojnë ushtrinë e Kosovës. Dhe ky qëndrim i deputetëve, komuniteti serb të Kosovës është drejtpërdrejt i urdhëruar nga shteti fqinj i Kosovës, Serbia. Prandaj, vlerësoj se nëse dikush mendon se duhet të ketë koordinim me Serbinë, kjo ka përfunduar një herë e përgjithmonë, Kosova është vend i pavarur dhe vendimet i marrim vetë dhe Serbia është vetëm vend fqinj. Në rast se sekretari i NATO-s e konsideron iniciativën tonë të njëanshme për shkak se Serbia nuk pajtohet me veprimet tona, atëherë unë e konsideroj këtë krejtësisht të papranueshme, sepse fati i Kosovës dhe ushtrisë sonë nuk guxon dhe nuk do të lejojmë të mbetet peng i vullnetit dhe disponimit të Serbisë në asnjë rrethanë dhe ritheksoj me asnjë çmim”, theksoi Thaçi.

Duke komentuar qëndrimin e SHBA-ve që themelimi i ushtrisë duhet të bëhet vetëm me ndryshime Kushtetuese, presidenti Thaçi theksoi se pavarësisht shqetësimeve, SHBA nuk e vë në pikëpyetje të drejtën e Kosovës për themelimin e ushtrisë.

“Përkundër shqetësimeve të bëra publike SHBA në asnjë rrethanë nuk e vë në pikëpyetje të drejtën tonë legjitime për themelimin e ushtrisë së Kosovës, pra Forcës së Armatosur të Kosovës. SHBA e ka bërë të qartë se plotësisht e mbështesin këtë proces, por duan që këtë proces ta bëjmë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese…që nga viti 2014 kur ka përfunduar rishikimi i sektorit të sigurisë në Kosovë edhe atëherë kur kam bërë publike themelimin e FSK-së që ka qenë një proces i koordinuar, asnjëherë nuk i kam ndalur përpjekjet për ta bërë transformimin e FSK-së nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese ashtu siç kemi preferuar ne, edhe partnerët tanë respektivisht SHBA-të. Në atë kohë të gjitha komunitetet, 25 prej tyre janë zotuar dhe kanë qenë të gatshëm të votojmë, por ndodhi ajo që ndodhi dhe procesi u shty pas zgjedhjeve të vitit 2014”, ka thënë Thaçi.

Për më tepër kreu i shtetit të Kosovës ka theksuar se nëse NATO dhe shtetet e QUINT-it apo SHBA kanë arritur t’i bindin deputetët serbë për ndryshime kushtetuese, ai është i sigurt që Qeveria, ai si president dhe Kuvendi do të ishin të lumtur që të procedonin për transformimin e FSK-së me ndryshime kushtetuese.

“Pyetjen po ia parashtroni një njeriu që tash e dy dekada ka punuar në këtë drejtim dhe e njoh, vlerësoj dhe respektoj në përulësi ndihmën e vendeve perëndimore, veçanti SHBA-së, shteteve të NATO-së, vendeve të BE-së, prandaj jam i vetëdijshëm për shqetësimet që mund të ngritën, edhe për ndonjë poen aty këtu politik. Por e ritheksoj FSK do të transformohet dhe ky transformim do të përmbyllet suksesshëm për çka i siguroj qytetarët, me SHBA-në dhe vendet e NATO-s, pra kjo çështje do të përmbyllet suksesshëm dhe çdo shqetësim tjetër është i paqëndrueshëm”, tha presidenti i shtetit.

I pyetur nëse ka ndryshuar diçka mes tij dhe partnerëve ndërkombëtarë, pasi duket i ashpër me ta, kreu i shteti tha se nuk ka asnjë mospajtim.

 

“Të them të drejtën, nuk e kemi asnjë mospajtim, përkundrazi bashkëpunimi është i shkëlqyer. Unë po sa e përmbylla një takim me shtetet e QUINT-it dhe kemi pasur një bisedë shumë të hapur, të sinqertë, produktive dhe si të ndihmojmë procesin, e në asnjë rrethanë si të ndëshkohet Kosova, askush nuk mendon për ndëshkimin e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi dje vendosi që t’ia dërgojë kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli projektligjin me të cilin do të bëhej transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura. Ndërsa, sot, Kryesia e Kuvendit pas një mbledhje vendosi unanimisht që të kërkojë nga Qeveria një opinion të saj për këtë projektligj, e më pas për ta dërguar në seancë për shqyrtim dhe miratim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme