Google ADS

Thaçi dy ditë pas kthimit nga Haga: Faleminderit nga thellësia e zemrës sime

10:55 | 19 Korrik 2020
L G

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dy ditë pas kthimit nga Haga në Kosovë, ka publikuar disa fotografi, të cilat tregojnë katër ditët e intervistimit të tij para prokurorëve të Specializuar.

Në rreth 30 fotografi të publikuara në faqen e tij në Facebook, Thaçi ka paraqitur ditët e tij nga shkuarja e tij në Hagë, përkrahja e bashkatdhetarëve para Zyrës së Prokurorit të Specializuar, e  deri te pritja madhështore në Mendarë pas përfundimit të intervistimit të tij nga Haga.

“Nga Haga në Kosovë, faleminderit nga thellësia e zemrës sime”, ka shkruar Thaçi, raporton arbresh.info.

Ndryshe, më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Prokurori i Specializuar pretendon se Thaçi, Veseli dhe të dyshuarit e tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje. Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës, si dhe kundërshtarë politikë.

Në një deklaratë për shtyp, Prokurori i Specializuar kishte thënë se aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm.

Prokurori i Specializuar e kishte vlerësuar të domosdoshme nxjerrjen e njoftimit publik për akuzat për shkak të, siç thuhet, përpjekjeve të përsëritura të Thaçit dhe Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara.

Pas intervistimit të hënën, në ditën e parë, Thaçi ka thënë se është diskutuar për “çështje sqaruese, teknike” dhe për interesimin e prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”/arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme