Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se e veçanta e vitit që po lëmë pas ka qenë krijimi i një momentumi të ri ndërkombëtar për mbylljen e çështjeve të hapura në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Ai ka theksuar se kjo ka ndihmuar edhe në përshpejtimin e arritjes së një konsensusi të brendshëm në Kosovë.
Thaçi ka thënë se edhe partitë opozitare duhet ta marrin rolin që u takon në procesin e dialogut me Serbinë pasi, sipas tij, është i rëndësishëm dhe historik për Kosovën.
Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, presidenti ka bërë me dije se arritja e një marrëveshje paqësore me Serbinë që do ta sjellë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe njohjen nga Serbia është ambicia kryesore për vitin 2019.
Z. Thaçi, Kosova po e përmbyll këtë vit me angazhimin për të arritur një konsensus për finalen e dialogut me Serbinë. Kjo çështje do të jetë temë kryesore edhe në fillim të vitit të ardhshëm. Duke pasur parasysh këtë, a besoni se mund të krijohet një zë unik karshi dialogut si dhe të arrihet marrëveshja Kosovë – Serbi?
Thaçi: Dialogu me Serbinë, përkatësisht arritja e një marrëveshjeje paqësore, gjithëpërfshirëse, përfundimtare, që do ta sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, është ambicia kryesore e Kosovës për vitin 2019. E veçanta e vitit 2018 është se është krijuar një momentum i ri ndërkombëtar, një shtytje që të mbyllen çështjet e hapura në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Këtë viti u arrit Marrëveshja e Prespës që pas dy dekadave solli zgjidhje për kontestin e emrit në mes të Maqedonisë dhe Greqisë. Tash vëmendja është te marrëveshja e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ky momentum i ri, kjo vëmendje e bashkësisë ndërkombëtare, ka ndihmuar edhe në përshpejtimin e arritjes së një konsensusi të brendshëm në Kosovë. Kuvendi i Kosovës ka themeluar delegacionin shtetëror për dialogun në të cilin është përfaqësuar edhe një pjesë e opozitës si dhe shoqëria civile. Tanimë është duke u ndërtuar zëri i bashkuar i Kosovës për ta përfunduar dialogun me Serbinë.
Jeni optimist se edhe opozita mund të reflektojë në këtë drejtim, të paktën LDK-ja?
Thaçi: Edhe bashkësia ndërkombëtare ka filluar të jetë më e qartë në mesazhet e saj. Kjo po reflektohet edhe në qëndrimet e partive politike kosovare, më saktësisht në përafrimin e qëndrimeve të partive politike për dialogun. Në takimet e delegacionit shtetëror për dialogun janë të ftuar edhe përfaqësuesit e partive opozitare. Uroj që edhe partitë opozitare së shpejti ta marrin rolin që u takon në këtë proces të rëndësishëm dhe historik për Kosovën.
Pas letrës së presidentit amerikan po flitet se tashmë konturat kryesore të kësaj marrëveshje janë arritur dhe se deri në pranverë pritet të nënshkruhet nga ju dhe homologu juaj. Është e vërtetë një gjë e tillë?
Thaçi: Nuk ka kontura të marrëveshjes dhe do të jetë delegacioni shtetëror për dialogun që do të negociojë deri në detaje marrëveshjen. Por, ajo që dihet është se çfarë kërkon Kosova nga ky proces dhe kjo është njohja reciproke me Serbinë dhe ulësja për Kosovën në Kombet e Bashkuara. Letra e Presidentit Trump është shumë inkurajuese dhe vë një konturë tjetër kohore për arritjen e marrëveshjes. Letra e bën të qartë se ka një momentum të ri dhe fton që ky momentum të shfrytëzohet dhe marrëveshja të arrihet në pranverë. Për më tepër, letra thotë se nëse e humbim këtë rast. Ky do të thotë kthim tragjik prapa dhe tërheq vërejtjen se nuk dihet se kur do të vijë një rast i tillë përsëri. Prandaj, letra duhet të merret seriozisht nga të gjithë në Kosovë dhe të veprojnë në përputhje me të.
Çfarë do të përmbajë kjo marrëveshje? A do të jetë e përfshirë iniciativa juaj për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën?
Thaçi: Marrëveshja duhet ta sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe ulësen e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Por, do t’i definojë edhe të gjitha çështjet e tjera të hapura në mes dy vendeve. Marrëveshja duhet të jetë e atillë që të gjitha palët të ndihen fitimtare nga ky proces, pra jo vetëm Kosova, por edhe Serbia si dhe bashkësia ndërkombëtare. Unë kam kërkuar që në këtë proces të përfshihet edhe Lugina e Preshevës dhe të kërkohet që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkohen Kosovës.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes veriu i Kosovës do të fitojë një lloj autonomie apo do të shkëputet përfundimisht nga Kosova?
Thaçi: Marrëveshja synon që të jetë përfundimtare, pra të sjellë paqe dhe stabilitet të përhershëm në Kosovë dhe në rajon. Çfarëdo formule tjetër që cenon shtetësinë dhe stabilitetin e shtetit të Kosovës, si ajo për një bashkësi të komunave serbe me kompetenca ekzekutive, nuk është zgjidhje në interes të Kosovës apo të paqes në rajon.
“Epoka e re”: Cila do të jetë pika më sfiduese, sipas jush, e marrëveshjes?
Thaçi: Marrëveshja duhet të jetë e atillë që do t’i bëjë të gjitha palët që të ndihen fitimtare. Kjo në të njëjtën kohë përbën edhe pikën më sfiduese të marrëveshjes.
President, çfarë mund të ndodhë nëse Kosova dhe Serbia nuk mund ta arrijnë këtë marrëveshje?
Thaçi: Siç thuhet edhe në letrën e presidentit Trump, dështimi për të arritur një marrëveshje tani do të ishte një kthim tragjik prapa. E ardhmja evropiane për të dy vendet do të vihej në pikëpyetje. Zhvillimi ekonomik i secilit vend do të pësonte. Asnjë investitor nuk është i interesuar të investojë në vendet ku nuk ka stabilitet politik. Në vend se energjitë tona t’i përqendrojmë në reforma e zhvillim, do të vazhdonim të merreshim me pengimin e njëri-tjetrit nëpër botë dhe me afrimin e njëri-tjetrit në BE.
“Epoka e re”: Z. Thaçi, pse ky vit nuk ishte i frytshëm për Kosovën sa i përket politikës së jashtme të cilin ju e drejtoni?
Thaçi: Politika e jashtme ka qenë e frytshme edhe në këtë vit. Për dallim prej viteve të tjera, theksi nuk ka qenë te sigurimi i njohjeve bilaterale, por te përfaqësimi në organizata ndërkombëtare. Si Kosovë jemi përfaqësuar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, në Alpbach, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Jemi bërë anëtar i Organizatës së Frankofonisë. Kemi pritur mysafirë nga e tërë bota, presidentë, kryeministra dhe ministra; kemi vizituar ShBA-në, Gjermaninë, Britaninë, Francën, për të përmendur vetëm disa nga më kryesoret. Por në marrëdhëniet ndërkombëtare jo gjithmonë e kemi çdo gjë në duart tona. Si në rastin e përpjekjes për anëtarësim në Interpol apo në rastin e liberalizimit të vizave, si Kosovë kemi plotësuar çdo kusht, kemi përmbushur çdo kriter. Por, suksesi nuk varet nga ne, por nga vendet anëtare që jo detyrimisht e shohin interesin e Kosovës dhe të mirën e Kosovës në këto zhvillime. Kjo na kthen te tema e dialogut dhe momentumi i krijuar. Në marrëdhëniet ndërkombëtare është me rëndësi t’i kuptojmë rrethanat dhe t’i shfrytëzojmë ato.
Cilat mendoni se do të jenë sfidat e shtetit gjatë 2019-s në aspektin e brendshëm dhe në atë ndërkombëtar?
Thaçi: Sfida, në të njëjtën kohë edhe mundësia kryesore për vitin e ardhshëm, është arritja e marrëveshjes paqësore me Serbinë. Kjo pastaj do të na mundësonte që t’u kthehemi sfidave dhe nevojave të tjera që kemi, që nga përmbyllja e konsolidimit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës deri te thellimi i reformave në shtet dhe në shoqëri, forcimi i mëtutjeshëm i sundimit të ligjit dhe zhvillimi ekonomik i vendit. Kosova është shtet i potencialeve të pashfrytëzuara, prandaj edhe sfidat që kemi përpara duhet t’i shohim më shumë si mundësi sesa si sfidë apo pengesë.