Thaçi: Demarkacioni së shpejti në Kuvend, votojeni për t’i dhënë fund izolimit

14:43 | 21 Shkurt 2017
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se në takimet që ka zhvilluar së fundmi më zyrtarë të lartë të BE-së i është riktheksuar nevoja për ratifikimin sa më të shpejt të vijës kufitare me Malin e Zi në mënyrë që Kosova të ecë përpara në rrugën drejt integrimit në BE.

Thaçi përmes një postimi në Facebook ka kërkuar nga spektri politik që të lënë anash interesat personale e partiake e të votojnë pro marrëveshjes mes Kosovës e Malit të Zi duke ripërsëritur se Kosova nuk humb asnjë pëllëmb nga territori i saj, shkruan arbresh.info.

Lexoni të plotë postimin e tij:

Në dy javët e fundit kam takuar presidentin Juncker, presidentin Tusk, presidentin Tajani, Përfaqësuesen e Lartë Mogherini, komisionerët Hahn dhe Avramopoulos. Secili prej tyre më ka konfirmuar se ratifikimi i Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi është duke e mbajtur peng vendimin përfundimtar për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Është bërë krejtësisht e qartë nga shumë komisione të pavarura, kosovare e ndërkombëtare se demarkacioni me Malin e Zi është i drejtë dhe se territori i Kosovës nuk cenohet për asnjë metër si rezultat i ratifikimit të kësaj marrëveshjeje.

Prandaj, është për keqardhje fakti që spektri politik kosovar nuk po bashkohet në çështjet që janë me interes për qytetarët e Kosovës.

E ftoj të gjithë spektrin politik që, pa dallim përkatësie politike apo etnike, të bashkohen për të ardhmen evropiane të Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të procedojë projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në ditët në vijim. Ndërkaq, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet vënë interesin shtetëror përpara atij personal apo partiak, dhe me votën e tyre pro kësaj marrëveshjeje, t’i japin fund izolimit të qytetarëve të Kosovës.

Liberalizimi i vizave duhet të ndodhë tani dhe ky është interes nacional dhe shtetëror.

Përgjegjësia për ta arritur këtë qëllim fillimisht i takon koalicionit qeverisës, e pastaj edhe partive opozitare, të cilat, fatkeqësisht, të gjitha veprimet e tyre i kanë përqendruar në përpjekjet për të bllokuar ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

Sërish e ftoj spektrin politik për unitet në këtë çështje të interesit thelbësor për qytetarët e vendit, si dhe ritheksoj faktin se kur bëhet fjalë për vendime të interesit shtetëror, koalicioni qeverisës duhet të tregojë se ka forcën politike, vizionin dhe lidershipin që të marrë vendimet e drejta e të domosdoshme. HTH./Arbresh.info.

Të ngjashme