Thaçi: Askush nuk ka të drejtë ta mbajë peng të ardhmen evropiane të Kosovës

21:44 | 17 Shkurt 2017
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës, i cili po merr pjesë në Samitin e Sigurisë që po mbahet në Munich të Gjermanisë, ka thënë se progresi nëntëvjeçar i Republikës së Kosovës, është vlerësuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Trup, liderët evropianë dhe të vendeve tjera.

Ai ka thënë se pjesëmarrja në këtë samit, është një mundësi e mirë për Kosovën, pasi takohen me liderë botërorë, raporton KosovaPress.

Thaçi: Pjesëmarrja e Kosovës në Samitin e Sigurisë

“Pjesëmarrja e Kosovës në Samitin e Sigurisë këtu në Munich, ku marrin pjesë lider të ndryshëm nga e gjithë bota, është një mundësi shumë e mirë për Kosovën që të takohemi me liderë botërore, që t’i informojmë për sukseset që ka arritur Kosova, në veçanti në këtë përvjetor të 9-të të pavarësisë, të këtij suksesi dhe progresi të vlerësuar nga të gjithë, edhe nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara Trump, gjithashtu edhe nga liderë të tjerë të Bashkimit Evropian dhe liderë të vendeve tjera”, tha Thaçi pas takimit me përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Ai po ashtu theksoi se sot kishin mundësi që të dëgjojnë mesazhe konkrete dhe me vizion të Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Mattis, dhe të liderëve të tjerë, ndërsa shtoi se Kosova është duke punuar maksimalisht që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe e OKB-së.

Thaçi: Do ta votojnë marrëveshjen e demarkacionit

“Edhe në takimin që zhvillova sot me zonjën Mogherini, diskutuam gjithashtu për hapat e avancimit të agjendës evropiane për Republikës e Kosovës, në veçanti që të ndodh shumë shpejt liberalizimi i vizave. E që të ndodh kjo, unë dua të shpresoj që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, do ta votojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe pastaj gjithçka është e mbyllur, sepse Bashkimi Evropian është i gatshëm për mbylljen e procesit të liberalizimit të vizave”, tha Presidenti Thaçi dhe shtoi se askush nuk ka të drejtë ta mbajë peng të ardhmen evropiane të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme