Deklarata e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit të ardhshëm, Albin Kurti, i cili tha se nuk po gjykohen kriminelët e luftës, edhe pse është bërë ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale, i cili mundësohet gjykimi në mungesë, ka nxitur reagimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale, reagon ndaj shkrimit të publikuar në media, më 30 nëntor 2019 me titull “Kurti kritikon Prokurorinë Speciale, kërkon të gjykohen “masakruesit e popullit”.
“Për hir të informimit të drejtë e të saktë të opinionit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinionin se në fund të vitit 2018, ka trashëguar nga EULEX-i rreth 900 dosje për Krimet e Luftës, si dhe rreth 2000 dosje për personat e zhdukur. Nga marrja e kompetencave nga misioni ndërkombëtarë Prokuroria Speciale ka hapur hetime të shumta dhe janë lëshuar letërreshtime ndërkombëtare për personat nën hetim. Aktualisht, në fazën e ngritjes së aktakuzës janë personat të arrestuar dhe fizikisht të pranishëm në Kosovë, ndaj të cilëve zbatohet procedura e rregullt penale”, thuhet në reagim.
Ndryshimi i fundit në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, sipas kësaj prokurorie, i përket hetimit dhe gjykimit në mungesë të personave të cilët kanë kryer krime të luftës. Mirëpo, gjykimi në mungesë mund të realizohet pasi të jenë plotësuar kriteret të përcaktuara me ligj.
Kushti i parë ligjor është që personi nën hetim të jetë kërkuar në shtetin/shtetet ku supozohet të jetë sipas parimit të Bashkëpunimit Juridik Ndërkombëtar së paku pesë (5) herë.
“Pra, për ta zbatuar kushtin e parë ligjor është e nevojshme që personit nën hetim ti dërgohet ftesa, dhe atë pesë herë përmes Bashkëpunimit Juridik Ndërkombëtar. Për ti dërguar ato ftesa nënkuptohet se paraprakisht duhet të sigurohet adresa e banimit e personit nën hetim, gjë që është vështirë të arrihet në raste kur personi në kërkim gjendet në Serbi, për shkak se, siç dihet, në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk ka bashkëpunim juridik ndërkombëtar”, thuhet në reagimin e Prokurorisë Speciale.
Kushti i dytë ligjor është shfrytëzimi i çdo kanali i Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor dhe dështimi i ndalimit të personit nën hetim.
Kushti i tertë ligjor përcakton që pas dështimit të arritjes së këtyre qëllimeve personi në hetim të jetë shpallur në kërkim për hetim në procedurë penale për së paku gjashtë muaj në mjetet e informimit publik të Republikës së Kosovës, përfshirë Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Nga gjithë kjo është e qartë se gjykimi në mungesë nuk mund të zbatohet me një automatizëm, por nevojitet plotësimi i kushteve të cilat në praktikë vështirë mund të realizohen ashtu siç janë përcaktuar, në raste kur personi që kërkohet gjendet në Serbi.
Po ashtu, duhet pasur parasysh se Ligji për ndryshimin e Kodit të procedurës penale të Republikës së Kosovës, ka hy në fuqi me dekretimin e Presidentit të vendit më datë 21.06.2019, që do të thotë se në këtë periudhë gjashtëmujore në asnjë mënyrë nuk ka qenë e mundur të plotësohen kushtet ligjore për gjykim në mungesë.
“Andaj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e siguron opinionin publik se kjo prokurori është duke bërë përpjekje maksimale drejt zbulimit dhe hetimit të krimeve të luftës dhe krijimin e kushteve për vënien e kriminelëve të luftës para drejtësisë. Në realizmin e kësaj detyre kjo prokurori i aplikon ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe standardet e larta të së drejtës humanitare e ndërkombëtare në fushën e krimeve të luftës”, thuhet në fund të reagimit të prokurorisë.
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme në një postim në Facebook, duke kujtuar ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, që ndodhi me 30 maj të këtij viti, Kurti kishte shkruar se me këtë ndryshim iu mundësua sistemit të drejtësisë së Kosovës të nisë procese, të ngrejë akuza, të shqyrtojë çështjet e të dënojë kriminelët e luftës, edhe kur ata janë në mungesë.
“Por, prokuroria speciale po hesht. Pse nuk kanë nisur hetimet dhe akuzat? Pse nuk janë çuar ende përballë trupit gjykues masakruesit e popullit tonë? Pse nuk ka sot një konferencë të tyre për medie ku ata raportojnë publikisht për punën e tyre në këta gjashtë muaj?”, kishte shkruar ai./arbresh.info
Parashikimi i motit për sot
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...