Teuta Rugova fton edhe strukturat udhëheqëse të LDK-së

13:43 | 21 Korrik 2017
L G

Vajza e ish presidentit Ibrahim Rugova dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Rugova e ka thyer heshtjen, duke treguar arsyen e takimit me liderin e AAK-së dhe kandidatin për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinajn. 

Ajo në një postim në faqen e saj në Facebook, ka thënë se do ta bëj atë që do të ta kishte bërë edhe babai i saj.

“Së pari dua t’ju falënderoj të gjithëve për besimin që më keni dhënë që t’ju përfaqësoj në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Njëkohësisht uroj të gjithë kolegët që janë zgjedhur dhe ju siguroj se do të vazhdojmë të gjithë së bashku të punojmë me përgjegjësinë më të lartë për shtetin tonë. Më vije keq për koleget të cilët nuk janë zgjedhur, duke u ndëshkuar nga elektorati për arsye të respektimit të vendimeve të partisë, në votimet e ndryshme që kemi pas në Kuvend.

Unë e di se me qëndrimin tim në sallën e Kuvendit dhe me pjesëmarrjen time në votimin për president ne shkurtin e vitit  te kaluar mund të ju kam zhgënjyer, mirëpo kjo ka qenë drejtpërdrejtë vazhdimësi e traditës së babait tim, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, që të respektojmë marrëveshjet dhe të bëjmë kompromise të mëdha.

Babai im, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, gjithmonë ka punuar për një Kosovë të Pavarur, Demokratike e integruar në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në lidhje dhe miqësi të përhershme me SHBA-të. Presidenti Rugova nuk e ka krijuar LDK-në për opozitë, sepse LDK është thelbi i shtetësisë së Kosovës dhe gjithmonë do të jetë.

Sot familja jonë priti në një vizitë miqësore z. Ramush Haradinaj në shtëpinë tonë. Ishte një takim shumë miqësor sepse z. Haradinaj është një mik i madh i familjes tonë që nga viti 2004 kur presidenti Rugova lidhi marrëveshje koalicioni me të dhe e zgjodhi Kryeminister,  prandaj vizitat e tij gjithmonë janë shumë të mirëseardhura për ne.

Unë jam deputete e zgjedhur e LDK-së  dhe ashtu si kam vepruar e votuar në të kaluaren do të veproj edhe gjatë këtij mandati duke pasur interes primar gjithmonë ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës.

Nëse dikush dëshiron inate dhe bllokada, ja ku është Serbia, ja ku është Mitrovica, ja ku është inati me BE-në që po na mbanë të izoluar, ja ku janë shtetet që nuk na njohin dhe ja ku janë grupet politike që anatemojnë shtetin tonë! Unë e di se si do të kishte vepruar babai im, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova! E dini edhe JU! Andaj veproni!

Demokracia zhvillohet kur të fuqizohet pavarësia e shtetit tonë, sakaq edhe trinomi i babait tim, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova: Liri, Pavarësi dhe Demokraci që nënkupton lirinë qe e fituam më 1999, pavarësinë e Kosovës të njohur më 17 shkurt 2008, por duhet të punojmë shumë që të bëhemi shtet anëtar i plotë i OKB-së dhe atëherë e kemi sigurinë tonë dhe mund të përqendrohemi në demokratizimin e vendit si pikë e tretë e trinomit të Presidentit Rugova. Demokracinë tonë në Kosovë që është ende e re, po e mbanë peng reforma shumë e nevojshme zgjedhore, që duhet të ndodhë sa më parë, me qëllim të tejkalimit të ngërçeve që po ndodhin secilën herë pas proceseve zgjedhore.

Unë kërkoj nga strukturat udhëheqëse të LDK-së, që në Qeverinë e gjerë dhe stabile që po kërkohet nga miqtë tanë të përhershëm, SHBA-të dhe BE-ja, në marrëveshjen e koalicionit, para ndarjes së përgjegjësive qeveritare të vendosen prioritetet për qytetarët e Kosovës, e që janë: formimi i ushtrisë, zgjidhja e problemit të demarkacionit që do të rezultonte me liberalizim vizash, reforma zgjedhore dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës.

Nuk është e drejta jonë të injorojmë votën e qytetarit, por nuk është as e drejta jonë të injorojmë bashkëpunimin e ngushtë të babait tim, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, me Ramush Haradinajn. Unë ju siguroj se babai im, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, në situatën e sotme kurrsesi nuk do të kishte udhëhequr LDK-në në asi mënyre që të bllokoj proceset dhe të injoroj rekomandimet e miqve tanë të përhershëm, SHBA-ve dhe BE-së” Shprehet Teuta.

https://www.facebook.com/teuta.i.rugova/posts/1442671962465254

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme