Google ADS

Tetë të arrestuar në veri të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale dhe terroriste

17:59 | 30 Nëntor 2024
R J

Policia e Kosovës është duke mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për media në Qendrën Njësive Speciale “Enver Zymberi” në Mitrovicë. Në konferencë janë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë Gazmend Hoxha.

Kjo paraqitje i dedikohet zhvillimeve në veri të vendit, pas sulmit terrorist të ndodhur ndaj infrastrukturës kritike, gjegjësisht dëmtimit të kanalit të ujit të Ibër-Lepencit.

Siç është bërë e ditur gjatë ditës, disa të dyshuar janë arrestuar në fshatrat e Zubin-Potokut, pas bastisjeve nga Policia e Kosovës lidhur me shpërthimin në Ibër-Lepenc.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se pas aktit terrorist të së premtes, kur u me eksploziv u dëmtua kanali i Ibër – Lepencit, policia ka arrestuar tetë persona të dyshuar në veri të vendit.

Ai thotë se sulmi i fundit ndaj infrastrukturës jetike është më i rëndi në Kosovë që nga paslufta.

Sveçla thotë se institucionet tashmë kanë bashkërenduar aktivitetet për të zbardhur ngjarjen.

“Pas hetimeve intensive sot në orët e mëngjesit janë organizuar kontrolle dhe janë arrestuar 8 persona të dyshuar për përfshirje në këto raste. Në këto aksione janë konfiskuar armë, eksplozivë, uniforma e gjëra tjera që do t’i shërbejnë hetimit”, ka deklaruar Sveçla.

Përveç arrestimeve, është raportuar se policia ka konfiskuar edhe disa materiale të ndryshme. Kështu ka konfirmuar kryeministri Albin Kurti.

“Institucionet tona të sigurisë janë duke bërë përpjekje maksimale për zbardhjen e rastit dhe deri tani ato kanë kryer bastisje ku ka edhe të arrestuar, dëshmi e prova materiale. Të gjithë këta kriminelë dhe terroristë do të përballen me drejtësinë”, ka theksuar Kurti.

Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.

 

Të ngjashme